Interi dhe Milani kanë luajtur pa gola në ‘Derby della Madonnina’, në kuadër të javës së 31-të në Serie A.
Fillimi i ndeshjes u takoi Nerazzurrëve. Ata patën iniciativë më të madhe, ndërsa Hernanes pati shansin më të mirë.
Me kalimin e minutave, loja e Rossonerëve filloi të shënojë ngritje dhe ishin ata që rrezikuan portën e Handanovic. Të zgjedhurit e Inzaghit madje shënuan, por nga pozita jashtë loje.
Përkundër shanseve nga të dyja palët, skuadrat shkuan në pushim me rezultatin e fillimit të ndeshjes.
Lojtarët me fanellat kuqezi e nisën më mirë fraksionin e dytë, mirëpo zikaltrit rrezikuan me një kundërsulm duke shënuar, por goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.
Të zgjedhurit e Roberto Mancinit u kthyen shumë shpejt në lojë për të krijuar presion te kundërshtari me një rast të mrekullueshëm të Palacios, i cili nuk arriti ta konkretizojë.
Nerazzurrët kërkuan edhe një penalti për prekje të topit me dorë nga Antonelli në zonë, por arbitri nuk dëgjoi. Në vazhdim, Mexes shënoi autogol, mirëpo goli u anulua, pasi paraprakisht Palacio kishte shkaktuar ndërhyrje të palejuar.
Xherdan Shaqiri hyri në lojë në minutën e 76-të, ndërsa lojtarët e Interit vazhdonin të ishin të rrezikshëm, por Lopez u tregua vendimtar në disa raste.
Dy skuadrat ruajnë pozitat nëntë (Milan, 43 pikë) dhe dhjetë (Inter, 42 pikë) në tabelën e Serie A dhe do ta kenë të vështirë që të sigurojnë pjesëmarrje në Evropë në javët e mbetura. /Telegrafi/