Humbja me Parmën në Tardini një javën e 30-të të Serisë A, ishte thjesht një rastësi, pasi kur bëhet fjalë për kundërshtarë të denjë, Juventusi nuk di të gabojë. Bardhezinjtë fituan 2-0 ndaj Lazios në Juventus Stadium, duke i dhënë një asist Romës për vendin e dytë, por c’është më e rëndësishmja formacioni i Allegrit hipotekon titullin e Serisë A dhe pret vetëm matematikën për të festuar fitimit për të katërtin vit radhazi të trofeut më të rëndësishëm në futbollin italian.
Trajneri i Lazios, Stefano Pioli kishte lënë në stol Etrit Berishën duke aktivizuar nga minuta e parë Federiko Marchettin, ndërkohë që Lorik Cana, i cili kthehej nga udhëtimi raskapitës në Lozanë, rreshtohej titullar në qendër të mbrojtjes. Golashënuesit më të mirë të Serisë A, Carlos Tevez, i mjaftuan më pak se 17 minuta lojë për të gjetur rrugën e rrjetës, pas asistit të dhënë nga Arturo Vidal. 11 minuta më pas Leonardo Bonucci mposhti për herë të dytë në këtë mbrëmje Marchettin, me një gjuajtje të saktë nga jashtë zonës. Kaq i mjaftoi Juventusit për të administruar lojën dhe për të siguruar fitoren e 22 në Serinë A, që e shkëput me 15 pikë nga ndjekësit më të afërt që janë pikërisht lazialët.
Sfida tjetër e së shtunës Sampdoria-Cesena përfundoi në barazim 0-0, me formacionin e Sinisa Mihajlovic që bën një hap të gabuar në shtëpi për objektivin Europa League.