Luis Suarez dhe Lionel Messi. E hap uruguaiani dhe e mbyll argjentinasi. Barcelona fitoi 2-0 me Valencian në Camp Nou në një ndeshje dramatike, që pavarësisht shifrave në favor të katalanasve mund të kishte përfunduar me rezultat tjetër nëse Parejo nuk do të kishte gabuar përballë Claudio Bravos nga pika e bardhe e penalltisë.
Pa u mbushur një minutë lojë, Messi tregoi klasin e tij teksa ftoi Luis Suarezin brenda zonës me një pasim të saktë, me uruguaianin që nuk fali me një gjuajtje vrasëse pranë portës së Alves. Por kundërpërgjigjja e Valencias ishte e menjëhershme. Një lojë e rrezikshme e Gerard Pique brenda zonës së Barcelonës e detyroi gjyqtarin të vërshëllente për një 11 metërsh të cilin e mori përsipër Daniel Parejo, por Claudio Bravo e nuhati goditjen e sulmuesit spanjoll, duke i mohuar golin e barazimit.
Alcer Paco në dy momente u shfaq rrezikshëm në zonën e Barcelonës, me pjesën e parë që u mbyll me një goditje të Lionel Messit por që nuk gjeti portën. Në fraksionin e dytë katalanasit e kontrolluan me qetësi lojën, duke lejuar shumë pak hapësira në prapavijë. Në minutën e fundit shtesë, teksa Valencia ishte e hedhur e tëra në sulm për golin e barazimit, Lionel Messi vulosi fitoren 2-0 të Barcelonës, që kaloi një test mjaft të vështirë në këtë fund sezoni për titullin kampion.