Pala shqiptare dëshmon në KAS. De Biasi: Presim me besim

E publikuar: 17/04/2015 15:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës po dëgjon këtë të premte dëshminë e palës shqiptare sa u përket incidenteve dhe dhunës së shkaktuar në ndeshjen me Serbinë në Beograd, më 14 tetor të vitit të kaluar.
Sipas “SuperSport”, i pari që ka dëshmuar ishte kapiteni Lorik Cana dhe pas e trajneri De Biasi. Burime të pakonfirmuara pohojnë për Top Channel se, deklaratat e dy përfaqësuesve tanë u përqendruan te dhuna e tifozerisë serbe dhe pamundësia për të vazhduar ndeshjen në një ambient armiqësor.

Menjëherë pas dëshmisë, trajneri i kuqezinjëve, De Biasi ka komentuar në rrjetet sociale.

“Në orën 11:25 nisa dëshminë time përpara KAS-it të Lozanës dhe pas thuajse një orë e përfundova atë. Tani të presim me besim”, shkruan ai.

Në seancë ka patur edhe përfaqësues serbë, të kryesuar nga sekretari i federatës serbe, Zoran Lakoviç, që u përpoqën të hedhin poshtë pretendimet e palës tonë.

Pasdreke ka nisur dëshmia e ekspertëve ndërkombëtarë të thirrur nga Federata Shqiptare. I pari Profesor Sebastien Beson, i specializuar në çështjet e arbitrazhit dhe i dyti Profesor Doktor Alain Macaluso, një tjetër emër i madh i së drejtës ndërkombëtare.

Agjenda e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë përcakton një seancë të gjatë që përfundon pas orës 18.00 dhe nuk pritet që vendimi të dalë që këtë të premte. /infosot/