Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të jetë bartëse e luftës së armatosur. Rreth saj rreshtoheshin djemtë dhe vajzat më të mira të këtij populli që ishin të gatshëm për t’u flijuar në emër të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.
Në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në përgjithësi luftës çlirimtare, një vend të veçantë zë Zona Operative e Karadakut. Me strukturimin, organizimin, përgatitjen, shtrirjen dhe komandimin e saj në nivel të duhur, ajo kishte finalizuar organizimin luftarak në tërë territorin e Kosovës.
Organizimi luftarak i Zonës së Karadakut, kishte edhe specifikat e veta që mbretëronin në teren e që ishin: përqendrimi më i madh i popullsisë serbe, kufijtë Serbisë dhe Maqedonisë etj.dhe organizimi ndodh pak më vonë se në zona tjera. Megjithatë, luftëtarët e kësaj ane ishin pjesëmarrës kudo nëpër fushëbeteja në zonat e luftës. Përpjekjet për organizim nuk munguan dhe ato janë të hershme. Kjo zonë ishte një bazë e fortë e furnizimit me material luftarak për zonat, që ishin të përfshira në zjarrin e luftës. Por, mbi të gjitha ajo ishte e përqendruar në organizimin ushtarak, që përfshinte një territor shumë të gjerë. Gjeografikisht, ZOK-u shtrihet në pjesën juglindore të Kosovës. Ajo në juglindje kufizohet me Maqedoninë, në verilindje me Serbinë, në veri me Zonën Operative të Llapit, në veriperëndim dhe jugperëndim me zonën Operative të Nerodimes.
Komandat Rexha dhe Komandant Shaqa ne Qendren Operative…
Në territorin e përgjegjësisë së ZOK-ut ishin të përfshira katër qendra, qytete me specifika të ndryshme ekonomike, kulturore e politike. Gjilani konsiderohet si qendër e Anamoravës dhe qendër industriale që është urë lidhëse me qendrat tjera,Vitinë, Dardanën (Kamenicën) dhe Artanën ( Novobërdën). ZOK-u kishte në përgjegjësi një sipërfaqe prej 1550 km2, me afro 250.000 banorë. Janë mbi 100 km gjatësi e kufirit, që kufizohet me Serbinë. Largësia nga kufiri me Shqipërinë, objektivisht e vështirësonte furnizimin me armë. Por, njësitet e logjistikës me sukses shfrytëzuan dhe përdorën si rrugë të furnizimit, rrugët që lidhnin me Serbinë dhe Maqedoninë.
Strategjia e veprimit luftarak, e përpiluar nga komanda e Shtabit të Zonës, ishte përpunuar me kujdes për t’iu përshtatur sa më shumë rrethanave që mbretëronin në atë kohë. Kahjet e shtrirjes së organizimit ishin në tri drejtime:
1.Malësia e Gallapit, që përfshinte territorin nga Mramori, Mareci, Zllashi në veri si dhe në lindje malësinë e Dardanës. Kjo shtrirje ishte bërë për t’i koordinuar më mirë veprimet luftarake me Zonën Operative të Llapit.
2.Shtrirja në Malësinë e Zhegocit dhe lidhja me Zonën Operative të Nerodimes;
3.Malësia e Karadakut lidhej me Vitinë dhe me vargmalet deri në Kaçanik, e cila shërbente si vijë furnizuese e logjistikës së Zonës së Karadakut dhe zonave tjera.
Pas konsolidimit dhe përgatitjeve të vazhdueshme si dhe pas analizave të bëra nga komanda e shtabit, më 20 mars 1999, komandanti lëshon urdhrin për shtrirje në zonat me rëndësi strategjike.
Në Malësinë e Zhegocit, së pari u angazhuan përgjegjësit e njësiteve dhe, menjëherë pas kësaj, me një urdhër të komandantit të shtabit, një pjesë e Shtabit të Zonës e përbërë nga Shemsi Syla,zëvendëskomandant i zonës,Daut Ilazi, shefi i Shtabit të Zonës,Elisa Ymeri,shef i Komunikimit dhe Fatmir Mehmeti, komandant i Policisë Ushtarake si dhe Brigada 171 “ Kadri Zeka” me komandantin e saj, Sali Mustafa, vendosen në Zhegoc, me 28.03.1999. Fillimisht, komanda e Brigadës dhe ushtarakët e lartë të Shtabit të Zonës, u vendosën në shtëpinë e dëshmorit Pajazit Ahmeti. Më pastaj, Shtabi si seli të tij do ta ketë shtëpinë e Mejdi Ahmetit. Spitali ushtarak vendoset në shtëpinë e Sami Ahmetit, ushtar, ndërsa komanda e Brigadës me reparte vendoset në shtëpitë e lagjes së Zhegocit të Poshtëm, në shtepinë e Faik Ahmetit, përgjegjës i UÇK-së për Zhegoc, si dhe në shtëpinë e ushtarëve Bekim Ahmeti e Izet Ahmeti.
Nga Gjilani u urdhëruan, përmes kordinatorit, Veli Murati(Vali) të vijnë në Zhegoc, përgjegjësit e organizimit luftarak e të pushtetit civil, si Hanumshahe Abdullahu-Zymberi (Nushi), Bejtush Isufi, Fazli Abdullahu, Ismail Kurteshi e disa të tjerë. Në këtë kohë u intensifikua veprimtaria e të gjithë aktivistëve në Gjilan dhe në Viti për të furnizuar me sa më shumë material luftarak ushtarët e Brigadës 171, si dhe për t’i ngjeshur radhët e organizimit në kuadër të sektorit të logjistikës.
Kjo shtrirje dhe ky mobilizim, shkaktoi edhe reagimin e armikut, i cili u alarmua duke filluar përgatitjet intensive, sa me shpejt, për një ofensivë kundër forcave të UÇK-së. Së pari armiku ndërmori disa aksione, duke granatuar disa shtëpi që ishin baza të UÇK-së në Gjilan dhe në rrethinë. Granatoi shtëpinë e komandant Rexhës, shtëpinë e vëllezërve të Kadri Zekës, shtëpinë e Shaban Hajdarit- përgjegjës i njësitit për Qenar Qeshme, si dhe shtëpinë e Xhemajl Ymerit, baba i tre luftëtarëve të lirisë, i cili gjatë këtij granatimi vritet. Aty u vrane edhe dy persona dhe u plagosën disa të tjerë. U granatua edhe Malisheva e Epërme, ku u vranë tre e u plagosen dymbëdhjetë persona. Për të gjitha këto plane të armikut për të dhënë direktivat për përgatitjen e operacionit për përballje me forcat serbe ishte njoftuar komandanti i zonës, dhe për këtë, ai kishte ardhur nga Mareci dhe për disa ditë qëndroi në Zhegoc. Komandanti kishte aprovuar kërkesën për kthimin e 67 ushtarëve, të cilët në atë kohë ishin të angazhuar në luftimet në Llap, që i komandonte Refik Shala – Gjilani si dhe kërkesën për kthimin e njësisë speciale, që ndodhej në Marec e që komandohej nga Raif Musliu – Kumanova.
Në takimin e mbajtur në Zhegoc, në të cilin u shqyrtua situata më e re e krijuar, komandanti lëshoi urdhëresë për emërimin e Muharrem Ibrahimit si përgjegjës për operativë dhe zëvendës i shefit të shtabit. Në këtë takim u vendos që Spitali Ushtarak (teknika e kompletuar u dha nga “Diagnoza” e vëllezërve Ilaz e Fatmir Poroshtica) dhe Baza e Logjistikës të vendoseshin në Malësinë e Zhegocit, si dhe u vendos që qendër e rekrutimit të ushtarëve të rinj të jetë shkolla e Zhegocit. Me detyrën e përgjegjësit për rekrutim, u ngarkua Bejtullah Osmani (Dajku).
Okupatori serb, para se të nisej në ofensivë kundër forcave të UÇK-së në Malësinë e Zhegocit, duke përdorë dhunë të shfrenuar, kishte ndërmarrë një fushatë të egër të masakrave dhe spastrimit në fshatrat e Anamoravës, që për pikësynim kishte izolimin dhe mbylljen e të gjitha arterieve të furnizimit dhe të ndihmës për forcat Çlirimtare.
Më 2 prill 1999, forcat armike sulmojnë fshatrat Lladovë, Llashticë, Zhegër, Shurdhan, Stançiq dhe kështu me një veprim strategjik, neutralizuan njërën nga kanalet e furnizimit, Grykën e Shurdhanëve, dhe tërë Grykën e Karadakut. Në këto sulme, ushtria dhe policia serbe, ushtroi dhunë e terror. Torturoi, dhunoi e vrau me dhjetëra gra e burra të kësaj ane. Në flakë ndezi po thuaj çdo shtëpi, kështu po realizohej një pjesë e skenarit nga plani famëkeq serb i “tokës së djegur”.
Me 6 prill, nga shtëpitë e tyre, forcat e rregullta e paramilitare serbe, larguan e keqtrajtuan edhe popullatën e Përlepnicës dhe fshatrat përreth, Kosaqe, Kmetoc, Verbice e Kmetocit dhe Shillovë. Larguan popullatën e Malishevës, të disa pjesëve të qytetit të Gjilanit dhe fshatrave përrreth Malësisë së Zhegocit, Cernicë, Gumnishtë, Kravaricë, Kishnapolë, Sllakoc deri në Gadish. Këto eskalone të vdekjes vranë e shkretuan gjithçka para vetes. Armiku kishte një qëllim,të fuste tmerr dhe panik, për të ulur forcën dhe moralin, para ofensivës së përgjithshme, qe ishte planifikuar kundër pozicioneve të forcave çlirimtare, në Malësinë e Zhegocit. Më 10 prill, e sulmuan fshatin Bresalc, për të bërë edhe spastrimin e fundit të terrenit para sulmit kundër Malësisë së Zhegocit e të Verbicës. Në skenarin e përgatitur kishin menduar ta pastronin krahun e djathtë para se ta sulmonin bazën e UCK- së. Forcat speciale, policore e ushtarake kishin rrethuar fshatin duke ndjellur tmerr. Ata rrahen, torturuan, internuan 32 të rinjë për në fshatin Partesh, si kusht I hakmarrjes në rast të rrezistencës eventuale kunder tyre. Forcat serbe plagosen 8 persona, vranë 3 të tjerë, një grua, një burre dhe plakun 94 vjeqar, Hasan Sylen. Shkretruan gjithcka, plaqkiten e ua vune zjarrin dhjetra shtëpive dhe xhamisë së fshatit. Në mbrëmjen e asaj dite njësiti i UÇK-së kishte nxjerrë gjashtë të plagosurit nga zona e armikut dhe i kishte shtrirë në spitalin ushtarak në Zhegoc, ku të gjithë operohen dhe më vonë shërohen me sukses. Natën, ndërmjet 14 dhe 15 prillit, Serbia sulmoi fshatrat Uglar, Pogragjë, Sllubicë, Llovcë, ndërsa Rahovicën dhe një pjesë të Preshevës i rrethoi edhe me autoblinda dhe tanksa dhe kështu pamundësoi edhe kanalin tjetër të furnizimit.
Beteja e Zhegocit (15 Prill 1999)
Beteja e Zhegocit ka rëndësi të veçantë për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës meqë, shënon përfshirjen e tërë territorit të Kosovës në flakën e luftës frontale të UÇK-së me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Në këtë betejë armiku synonte rrethimin e befasishëm dhe asgjësimin e efektivit të UÇK-së, që ishte i vendosur në Malësinë e Zhegocit. Shtabi i Zonës ishte i vendosur në Zhegoc të Poshtëm, ndërsa efektivi i Brigadës 171 “Kadri Zeka” ishte i shtrirë në tërë Malësinë e Zhegocit. Forcat serbe me qëllim të arritjes së synimeve të tyre qarkuan bazat e UÇK-ës në një rreth të gjerë, nga të katër anët. Forcat serbe gjatë tërë natës, së datës 14 prill 1999, u pozicionuan në fshatrat – në veri: Kishnicë, Brus e Honroc, në lindje: Llabjan, Parallovë e Bresalc, në jug nga: Gadishi dhe Poneshi, kurse në perëndim nga: Sllovia dhe Akllapi. Kështu mëngjesi i datës së 15 prillit, filloi me manovrimet psikologjike, duke bërë zbarkime të mijëra trupave ushtarako-policore dhe të teknikës së rëndë luftarake në vende të dukshme me qëllim të krijimit të panikut në popull dhe presionit psikologjik në ushtarët e UÇK-së. Për të gjitha zhvillimet, komanda e Zonës ishte në rrjedha të përhershme dhe bazuar në informacionet e hollësishme.Në mungesë të komandantit të Zonës Ahmet Isufit (Rexhës), Komandant Shaqa (Shemsi Syla), në orët e hershme të 15 prillit, mbledh Shtabin dhe komandantin e brigadës, i njoftuar për situatën e krijuar dhe ndanë detyrat, duke i uruar për fillimin e betejës e të luftës së hapur për të cilën kishte kohe që ishin përgatitur. Luftëtarët e lirisë në këtë betejë kishin dy misione, të përballeshin me armikun në vija fronti dhe të mbronin popullatën civile që ishte e shumtë në numër, (6000), duke mos llogaritur edhe popullsinë e shpërndarë nëpër lagje të Vërbicës së Zhegocit.
Luftimet filluan te Hanet e Zhegocit, ku njësitet pararojë të UÇK-së ballafaqohen në një luftë të rreptë me forcat armike. Në këtë ballafaqim, u vranë disa ushtarë dhe policë serbë dhe u shkatërrua një numër i mjeteve teknike të armikut. Në këto luftime ra dëshmori i parë, luftëtari trim dhe i patrembur i orëve të para të organizimit të UÇK-së në ZOK, Pajazit Ahmeti. Pranë tij plagoset edhe Afrim Myrtaj, i cili merr nëntë plagë. Shokët që luftonin në një pikë të afërt, nën breshërinë e plumbave të armikut, arrijnë t’i afrohen dhe ta tërheqin me sukses.
Në një pikë tjetër të frontit, pas një lufte heroike në panteonin e dëshmorëve bashkohet edhe Alban Ajeti, kurse luftëtari Fadil Qerimi plagoset dhe i ndihmuar nga shokët arrin të tërhiqet.
Lufta kishte arritur kulmin në ballafaqim të rreptë me armikun. Luftëtarët trima të vijës se parë ishin bërë digë e pakalueshme. Armiku shtonte sulmet. Kërkonte përforcime. Malësia ishte shndërruar në arenë të përgjakshme lufte. Në këto çaste të bërjes së historisë, rënies dhe flijimit sublim në altarin e lirisë po i shtohej edhe Nushja e Tefiku, dy bashkëshortë dhe shokë ideali, veprimtarë të hershëm të rrugës së Xhevë e të Fehmi Lladrovcit. Bashkë me ta bien edhe dëshmorët Ramadan e Shaban Hyseni. Heroikisht, duke u përpjekur për të mbrojtur popullatën, kishte rënë edhe dëshmori i kombit Nijazi Osmani, ushtar i orëve të para i UÇK-së.
Lufta për mbrojtjen e popullsisë
Forcat e UÇK-së, përveç përpjekjeve ballore me armikun, i cili numerikisht ishte shumë herë më i madh, bënë gjithçka për të zhvendosur popullsinë civile nga zonat ku luftohej. Në saje të rezistencës së njësiteve të UÇK-së të vendosura te Hanet e Zhegocit, arrihet që të përfitohet në kohë për të bërë zhvendosjen e popullsisë në drejtim të Gadimes, e cila ende nuk ishte i përfshirë në luftime. Pas humbjeve, që forcat serbe i pësojnë në përleshje me UÇK-në, fillojnë represaliet dhe masakrat në popullsinë civile, e cila ndodhej në fshatrat, Sllovi, Vrellë, që ishin jashtë kontrollit të UÇK-së, por edhe në popullsinë që nuk kishte arritur të zhvendosej. Ushtarët e Brigadës 171 “Kadri Zeka”, të cilët morën pjesë në Betejën e Zhegocit, përkundër terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike shumë të rënda, tërheqin nga rrethimi të plagosurit bashkë me popullsinë, që e kishin nën mbrojtje, si dhe tërhoqën edhe Spitalin Ushtarak duke e zhvendosur në një vend të sigurt. Është e pamundur të përshkruhet përkushtimi i ushtarëve, deri ne flijim, për të mbrojtur dhe siguruar kalimin e çdo banori të atyre anëve në zonat që konsideroheshin më të sigurta, për faktin se nuk kishte luftime në to. Në mesin e popullsisë ishin jo me pak se dyzetë persona të pa lëvizshëm ose të paralizuar, mbi 20 të plagosur, qindra e mijëra pleq, fëmijë, burra e gra. Bazuar në rrezikshmërinë e madhe që shkaktohej nga granatimet, komanda urdhëroi për tërheqjen e disa njësiteve që t’u dilnin në ndihmë popullsisë. Kështu, përkundër sulmeve të pandërprera, të kushteve atmosferike dhe terrenit shumë të vështirë, e gjithë popullsia që ishte e vendosur në Zhegocin e Poshtëm ia doli që përmes mallit të thepisur dhe tejet të vështirë të Plikoviqit, të depërtojë deri në fshatin Gadime dhe Vrellë. Duke pasur parasysh se një pjesë e popullsisë së zhvendosur do të futej në kolonat nga Gadimja për në Shqiperi, ushtarët udhëzuan popullsinë që të zhduknin dokumentet të cilat i identifikonin ata si qytetarë të Malësisë së Zhegocit, pasi që druhej se hakmarrja për humbjet e ushtrisë serbe do të mund të zbrazej në ta. Zhvillimet në terren ishin mjaft dramatike, ushtria serbe kishte kërkuar përforcime duke ashpërsuar luftimet, në saje të numrit të madh të ushtarëve dhe të teknikës po avanconte duke tentuar të fuste UÇK-në në rrethim të plotë. Përkundër luftimeve të ashpra, rrezikut për jete a vdekje, luftëtaret trima deri ne orët e mbrëmjes për asnjë çast nuk ishin zmbrapsur. Ata, në vija fronti luftonin me heroizëm të pashoq, kurse në prapavijë bëhej gjithçka për të mbrojtur popullsinë nga terrori dhe dhuna e egër e forcave serbe. Shembull i këtij përkushtimi është luftëtari trim Nijazi Osmani, i cili bie heroikisht, gjatë përpjekjes për të mbrojtur popullsinë civile.
Orët e vona të natës së 15 prillit po përmbylleshin me një betejë të ashpër e të pabarabartë . Komandanti përgjegjës në betejë Shemsi Syla bashkë me shefin e shtabit Daut Ilazin, komandantin e brigadës Sali Mustafën, shefin Policisë Ushtarake Fatmir Mehmetin, shefin e operativës Muharrem Ibrahimin, shefin e komunikimit Elisah Ymerin e të tjerë, ne takimin e jashtëzakonshëm, në malet e Zhegocit, pas shqyrtimit të raporteve të komandanteve të pikave në teren, marrin vendimin për të çarë rrethimin dhe për të marshuar drejt Marecit për t’i ardhur në ndihmë pjesës tjetër të efektivit të Zonës së Karadakut në Betejën e Marecit, e cila u zhvillua nga 18 prilli deri më 23 prill 1999. Kështu luftëtarët të lodhur e të rraskapitur nga Beteja e Zhegocit, pa u çlodhur fare, por me moral shumë të lartë, përballen me një betejë tjetër edhe më të ashpër.
Në këto zhvillime dramatike të luftimeve nëpër istikame të luftës e të qëndresës, nëpër pika të vijës së luftës ranë dhjetëra dëshmorë. Në lulen e rinisë e të bukurisë, po sa i kishte mbushur tetëmbëdhjetë, Zylfie Gashi, u flijua për tri shkronjat e arta të UÇK-së. Ende pa i mbushur gjashtëmbëdhjetë vjet, së bashku me babanë dhe xhaxhanë, ra Kastriot Baftiu. Sahit Baftiu, edukues dhe pedagog i brezave, me rënien e tij u bë shembulli më i mirë i sakrificës për atdhe, me të vëllanë dhe të birin. Nijazi Osmani, në luftë të pakompromis në mbrojtje të jetës së banorëve ra për të mos vdekur kurrë… Bahtir Jahiri, Shahin Baftiu, Ilmi Hyseni, Feim Ajeti, Fadil Ajeti, Bashkim Ramadani, Ismet Ajeti, Fatmir Ademi, Blerim Ademi, Ismet Sadiku, Sherif Sherifi, Bahri Sadiku, Ibrahim Beqiri, Ibrahim Pacolli, Enver Miftari(Bardhi),Bajram Gashi,Gafurr Hyseni, Bejtush Gerbeshi, Shefki Salihu… dhanë shembull të sakrificës, duke u bërë themel i fortë i lirisë.
Ne Betejen e Zhegocit u vranë: 25 luftëtarë dhe 22 nga popullata civile, moshash dhe gjinish te ndryshme, femije, te rinje e te reja, pleq e plaka, u djeg e u shkatrrua gjithcka, aty ku kishte mbërrirë të shkelte këmba e serbit, rrallë kund mbet shtëpi në këmbë në këtë malësi, gjithckaje iu vu zjarri, u vra gjithe gjëja e gjalle, e gjithe bagetia, … Ata deshen tua ndalin jetën këtyre maleve që të mos kenë pranverë lulëzimi, që të mos ketë lindje e rritë femiu, që të shuheshin vatrat e ngrohta, ku mbaheshin e ushqeheshin luftetaret e lirise, por kurrë nuk u vra shpirti kryengrites i malësoreve, kurrë nuk u vra ndjenja e paster e lirisë. Ajo jetë po vazhdon tash e 16 vite duke iu falenderuar shembullit të heronjëve e martirve…