“Nuk ka të bëjë me realitetin” – Talat Xhaferi ‘i bënë horë’ Kurtin e RTK-në

E publikuar: 23/02/2024 21:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndodh për herë të parë. Një kryeministër i një shteti fqinj deklarohet publikisht dhe demanton një lajm që i përshtatet propagandës se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Ishte Talat Xhaferi që e bëri këtë.

Ai në emisionin televiziv mohoi se autoritetet maqedonase ishin mobilizuar për ta parandaluar një atentat ndaj Kurtit, shkruan insajderi.

“Lajmi që kishte qarkulluar nuk ka të bëjë me realitetin”, ka thënë Xhaferi duke iu referuar lajmit të publikuar nga RTK’ja, i cili mori epitetin si lajmi më i rrejshëm i kohëve te fundit.

Rikujtojmë se me 10 shkurt të këtij muaji televizioni publik i Kosovës, raportoi se gjatë qëndrimit të Kurtit në Shkup ishte bërë një plan për vrasjen e tij.

Në raportimin thuhej se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

Pavarësisht se Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut thoshte se gjatë qëndrimit të Kurtit në Shkup nuk ka pasur tentim për vrasjen e tij.

Por, përkundër kësaj RTK insistonte se kishte pasur tentim për atentat, ndërsa kryeministri Kurti tha se ka marrë kërcënime.

Mediumi publik e pati plotësuar lajmin e publikuar duke bashkangjitur biseda nga një grup në “Telegram”.