Bëra 20 vjet martesë dhe e tërë kjo kohë më shkoi duke përcjellë burrin në rrugëtim dhe duke e pritur se kur po vjen. Profesioni i tij prej shoferi ma gërditi edhe jetën.
Si për sherr, kur unë isha e nxehtë dhe më nevojitej burri, ai ishte në rrugëtim me kamionin e tij.
Kur mua nuk ma kojke hiq, ama bash hiq, burri më vinte në shtëpi, edhe atë krejt duart e nxira, ndonjëherë edhe fytyrën, se për rrobat as mos të flas.
Gjithnjë kishte probleme me një kamion të vjetër, sikur ai të ishte mekanik e jo shofer. Kurrë nuk më shkonte mendja të flladitesha me ndonjë mashkull tjetër, pavarësisht se sa isha e kallur. Gjithnjë gjeja ndonjë punë në shtëpi, sa për ta harlisur mendjen.
Por…
Pas lufte burri sikur vonohej më shumë në rrugëtimet e tij dhe gjithnjë e më pak vinte në shtëpi i nxirë katran. Ditë pas dite e javë pas jave, dyshimi në besnikërinë e tij ndaj meje shtohej, e bashkë me të edhe dashuria ndaj tij zbehej.
Një ditë, derisa ai ishte në rrugëtim, unë i futa rrobat e zhyllosura të tij në koritë, sepse aso kohe nuk kisha makinë rrobash. Duke ia kontrolluar xhepat, jo pse jam idiote, por është rregull që t’i kontrollosh xhepat para se t’i fusësh rrobat në ujë, sepse më ka ndodhur njëherë që ia kam “larë” 1000 dinarë të asaj kohe, në xhep ia gjeta një kondom… Mbeta gojëhapur, por nuk e prisha disponimin. Vetëm mendoja se si të veproj, kur ai të kthehej.
Herët në mëngjes burri i botës u kthye në shtëpi. Për çudi, ishte i pastër dhe kishte një dozë parfumi. Ndoshta hunda e tij ishte mësuar me atë aromë dhe nuk e ndjente, por unë e nuhata menjëherë, bile e kuptova se ai parfum ishte i femrave dhe nuk ishte nga ato që kishim ne në tualet. Edhe pse isha e zgjuar, nuk bëja zë, për të parë nëse do t’më ngacmonte.
Burri i botës u fut me kujdes në shtrat që mos të ma trazoj gjumin dhe menjëherë ia krisi gjumit. I shkreti ishte i rraskapitur fare. Herëve tjera, kur vinte, më zgjonte ngadalë, duke m’i futur këmbët mes këmbëve të mia dhe bënim dashuri të mrekullueshme, sepse edhe ashtu mua më pëlqen dashuria në mëngjes. Sapo u thellua në gjumë, unë u ngrita dhe ia nuhata edhe më shumë rrobat, ku u vërtetova se përmbajnë parfum femrash.
Në drekë u zgjua “zotnia” dhe më kërkoi një kafe. Ia solla si përherë, por bashkë me kafenë edhe kondomin.
“Ja, merre këtë se për pak sa nuk e kam futur në ujë!”, i thash, paksa me qortim.
“Nuk është e mundur… Nuk e di, nuk e di nga ky nalet në xhepat e mi!”, u shpreh si me habi, por që fytyra i humbi fare.
“Nuk kërkova sqarim nga ky nalet në xhepin tënd, por vetëm të tregova se e shpëtova nga uji. Tjera herë, kujdes xhepat, ë!”, i flisja sikur të isha një damë e vërtetë.
Në fakt, unë edhe jam e tillë, por pse fati ka dashur që të martohesha herët dhe të jetoja gjithnjë në krah të burrit, unë nuk kam faj…
Ditët në vazhdim hetoja se ai sillej më ndryshe. Sikur e ndiente një barrë të rëndë mbi supe. Por, unë as që ia zeja në gojë këtë ngjarje. Thjesht, sillesha sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por, gjatë gjithë kohës u vërtetova se ai po ma luante lojën!
Nga kjo ditë fillova të mendoja edhe për nevojat dhe kënaqësitë e mia, pavarësisht nëse kjo do të ndodhte me të apo me ndonjë mashkull tjetër.
Fundja, kisha shumë oferta, por që asnjëherë nuk e kam “ngrënë”. Menjëherë mendja më ka shkuar te një djalosh, i cili ishte 20 vjet më i ri se unë, por që shpeshherë i lëpinte buzët kur takoheshim në tregun e perimeve, apo në shitore.
“Do ta provoj me të!”, i thash vetvetes.
Edhe pse nuk kisha gjë për të blerë, një ditë u vesha bukur dhe dola në treg. Sikur t’më kishte përcjellë frajeri, u gjend afër meje, që në kontaktin e parë që bëra me shitësit.
“Jam në banesë krejt vetëm sonte. Po ti?”, më tha si hajdut djaloshi që shumë kohë më vardisej.
“Tung! Çka po bën?”, ia ktheva, sikur të mos e kisha dëgjuar se çka më tha.
“Të pres në banesë sapo të bie terri!”, tha shkurt frajeri dhe u largua.
Nuk e kuptoja pse ky djalosh i ri më ishte lyer pikërisht mua, kur e di se ka shumë femra të gjeneratës së vet. Megjithatë, nëpër kokë më silleshin lloj-lloj mendimesh.
Ishte vështirë ta luftoja dëshirën që pikërisht me të të shtrihesha në shtrat, ndërkohë që fakti i besnikërisë ndaj burrit plot 20 vjet, më frenonte fuqishëm. Mendoja nëse kaq kohë nuk i kam hyrë kësaj loje, s’po i hyj fare.
Megjithatë, dëshira sikur mbizotëronte. U ktheva në shtëpi dhe fillova edhe më tej të ballafaqohesha me ofertën që ma ofroi ai.
Në mbrëmje u përvodha dhe shkova te djaloshi që vërtet e dëshiroja, por mosha e tij e re dhe fakti që kurrë s’kam qenë me mashkull të huaj, më pengonte të takohesha.
Sapo i jam afruar derës, ajo u hap. Ai më kishte pritur krejt kohën në derë. Sapo e ka mbyll derën më ka rrëmbyer fort, sa që u ndjeva e ligshtë në duart e tij.
“Zonja ime e ëndrrave, a e di se çdo natë të imagjinoja në shtratin tim?!”, më tha ai.
“Ja ku më ke tash…”, i thash.
Dhe, kjo ndoshta është histori e turpshme, por ja që më ka ndodhur. Fundja, burri i ka fajet. Sepse, dëshira ime për të përjetuar diçka të këndshme më lindi vetëm pasi e kuptova se burri po më tradhtonte…