Një person është plagosur me armë zjarri në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë.
I njëjti është dërguar në emergjencë, derisa nga ky institucion bëhet e ditur se viktima është jashtë rrezikut për jetë.
“Po, një i plagosur ka ardhur, lëndime me armë zjarri, gjendja e tij është stabile, është në trajtim stabil, mandej vendosim nëse do të lirohet apo çfarë do të ndodhë. Jashtë rrezikut për jetë ka marrë plagë në këmbë”, tha për Portalin Dukagjini, doktori kujdestar, Ejup Govori.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar gjuajtjen me armë zjarri në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, derisa njoftuan se një person i plagosur është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 20:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ‘Bajram Bahtiri’ në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë një person ka marrë plagë nga arma e zjarrit. Ndërkohë që i plagosuri është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes, si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Sipas disa dëshmitarëve që kanë folur për Dukagjinin në kushte anonimiteti, të dyshuarit kanë gjuajtur nga vetura.

















