E vrau vëllaun dhe ia dogji kufomën, Supremja vërteton dënimin e përjetshëm për të akuzuarin nga Rahoveci

E publikuar: 11/01/2024 12:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Supreme e ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm për të akuzuarin për vrasje të rëndë dhe posedim të paautorizuar të armëve, me inicialet G.K.

I njëjti kishte pranuar se e kishte vrarë vëllaun e tij, ia kishte djegur kufomën dhe më pas hedhur atë, në mënyrë që t’i fshihte gjurmët.

Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte shpallur të akuzuarin nga Rahoveci fajtor dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm, dënim të cilin e kishte vërtetuar edhe Apeli. Por për atë vendim, mbrojtja e G.K ishte ankuar.

“Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme PA-II.nr.1/2023, precizohet se vet i akuzuarit, në mbrojtjen e tij, në deklaratën e dhënë në polici, nuk e ka mohuar kryerjen e veprës penale në drejtim të vëllait të tij, përkundrazi e ka përshkruar në detaje se si e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.K., pastaj se si e ka djegur kufomën dhe si e ka hedhur të njëjtën me qëllim që të fshihen gjurmët e vrasjes. Përveç kësaj, dëshmitarët e familjes së të dënuarit dhe dëshmitarët e familjes së tani të ndjerit, kanë vërtetuar se pikërisht i akuzuari G.K. është personi që e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B., prandaj konkludimet e gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari me dashje direkte e ka privuar nga jeta të ndjerin janë të drejta dhe të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe shkresat tjera të lëndës”, thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net.

Këtë vendim, Apeli e ka marrë duke i pasur parasysh edhe rrethanat veçanërisht rënduese.

“Gjykata Supreme duke marr parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, vendin e kryerjes së veprës penale, sjelljen e të akuzuarit para kryerjes së veprës penale si dhe pas kryerjes së veprës penale, faktin se vepra penale është kryer në “rrethana veçanërisht rënduese”, konsideron se dënimi të cilin i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, i vërtetuar edhe me aktgjykimin e shkallës së dytë, është i drejtë, i ligjshëm, dhe se i njëjti është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të dënuarit, dhe është në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale dhe se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i ndëshkimit”, njoftohet tutje.