Në një video që qarkulloi dje në media, u aludua se kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani patën një diskutim të tensionuar mes tyre. Në lidhje me të ka folur sot i pari i Qeverisë.
Ai ka thënë se nuk ka të bëjë me përplasje mes tij dhe të parës së shtetit.
“S’ka të bëjë më atë, ka folur Perparim Kryeziu pse është”, ka thënë Kurti, i pyetur pse të nerovozoi presidentja.
Çka tha Përparim Kryeziu, zëdhënësi i qeverisë?
“Në fjalën e tij sot në mëngjes, në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, Kryeministri Albin Kurti, përveç tjerash, tha se 10 ligje të Kuvendit që përbëjnë reforma tejet të rëndësishme në përputhje me ndryshimin e madh demokratik zgjedhor të shkurtit 2021 me slloganin “Drejtësi dhe Punësim”, janë të ngujuara, të rrëzuara ose të deformuara te Gjykata Kushtetuese. Kur pas Kryeministrit e mori fjalën Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për Zgjedhje, që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023. Në atë xhirim shihet Kryeministri Kurti duke i folur Presidentes Osmani për Avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij”, ka shkruar dje Kryeziu.
















