Igor Salikov, një ish oficer në grupin mercenar Wagner (të financuar nga Kremlini) për 25 vjet, mbërriti dje në Holandë për të dëshmuar para Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për krimet ruse të luftës në Ukrainë, njoftoi transmetuesi publik holandez NPO1.
Gjatë një interviste në EenVandaag, Igor Salikov, 60 vjeç, pohoi se ishte ngritur në gradën e kolonelit gjatë 25 viteve të shërbimit të tij në Forcat e Armatosura Ruse përpara se të bashkohej me Wagner.
“Kam qenë dëshmitar i krimeve kundër civilëve”, ka thënë 60-vjeçari gjatë intervistës, duke shtuar se ka parë të burgosur të luftës të keqtrajtuar dhe ekzekutuar dhe fëmijë të rrëmbyer.
Kremlini ka mohuar çdo rol në krimet e supozuara.
“Unë pashë njerëz nga shërbimet sekrete duke marrë një numër të madh fëmijësh jetimë përtej kufirit në Bjellorusi,” tha Salikov.
Salikov tha se ata që i kryen këto krime të supozuara të luftës e bënë këtë me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, por edhe me urdhër të drejtpërdrejtë të kabinetit të presidentit Vladimir Putin.
Në mars, ICC lëshoi një urdhër-arrest ndërkombëtar për Putinin për transferimin e fëmijëve me forcë në Rusi pas pushtimit të Ukrainës nga Kremlini.
Paralelisht, Kievi dhe disa nga aleatët e tij perëndimorë po mbrojnë formimin e një gjykate për të hetuar “krimin e agresionit” të Rusisë gjatë luftës.
Salikov tha se ai u largua nga forcat ruse pasi refuzoi urdhrat për të ekzekutuar civilë dhe tani dëshiron të raportojë atë që pa në GJPN sepse ai “humbi besimin në kauzën ruse”.