Pamje që tregojnë sesi rusët po i përdorin ukrainasit e zënë rob si mburojë (VIDEO)

E publikuar: 14/12/2023 12:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se ka pranuar një video, që shfaq ushtarët rusë duke përdorur robërit që ishin pjesëtarë të ushtrisë ukrainase – si mburojë në vijën e frontit.

Videoja është siguruar nga forcat e armatosura ukrainase dhe është shpërndarë me REL-in, e sipas ekspertëve të fushës besojnë se kjo është një dëshmi tjetër se ushtria ruse po kryen krime lufte kundër trupave ukrainase.

Videoja është realizuar në afërsi të fshatit Robotyne në rajonin ukrainas Zaporzhzhia. Nuk është cekur data e videos kur është filmuar, por Robotyne është vend i luftimeve të shpeshta mes ukrainasve dhe rusëve.

Në fund të gushtit, Kievi njoftoi se ka çliruar këtë vendbanim për të cilin thotë se ka rëndësi të madhe strategjike.

REL në kanalin e saj në YouTube ka publikuar versionin rrëqethës të shkurtuar, ku personi i identifikuar si ushtar rus shihet duke qëndruar prapa personi që pretendohet të jetë ushtar ukrainas.

Rusët marrin një burrë tjetër dhe e vendosin para vetes, me qëllim që të mund të fshihet fizikisht prapa tij. Ushtarët e tjerë rusë qëndrojnë prapa shpinës së tyre.

E në një moment një ushtar rus hedh diçka që duket si granatë, në drejtim të pozicionit të ukrainasit. Madje dëgjohet shpërthimi dhe trupat ukrainase duke vrapuar.

Ukrainasit që ua kanë siguruar videon REL-it thonë se Rusia ka përdorur këtë taktikë si “mburojë” gjatë betejave, me qëllim që të zbulojë pozicionet mbrojtëse të forcave ukrainase.