Rusia zotohet se do t’i përgjigjet Moldavisë, e cila vendosi sanksione ndaj saj

E publikuar: 25/11/2023 13:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se “nuk do ta lërë pa përgjigje” vendimin e Moldavisë për të vendosur sanksione kundër saj, si pjesë e pakos së sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Moskës.

Autoritetet moldave iu bashkuan së fundmi pakos më të madhe të sanksioneve evropiane kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Sanksionet kanë për cak qindra njerëz, përfshirë nga Moldavia, apo njerëz që kanë punuar në rajonin e ndarë nga Moldavia me mbështetjen e Kremlinit, Transdniester.

Rusia i ka mbi 1.000 trupa në Transdniester.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se vendimi nuk është në përputhje me “interesat e banorëve” të Republikës së Moldavisë dhe se “shumica dërrmuese” e moldavianëve kanë qasje miqësore ndaj Rusisë.

Por, sondazhet publike në Moldavi e tregojnë të kundërtën: mbi 38% e qytetarvë moldavianë besojnë se Rusia e nisi një pushtim të paprovokuar të Ukrainës dhe vetëm 17% i besojnë narratives së Kremlinit se ky është “një operacion i çlirimit”.

Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, marrëdhëniet e Kishinievit me Moskën janë përkeqësuar shpejt.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, e akuzon Moskën për komplot për të kryer puç kundër Qeverisë pro-evropiane në Kishiniev dhe se po përpiqet ta destabilizojë vendin e saj.