Miralem Pjaniç ishte heroi i verdhekuqve në Olimpico, me golin në një kundërsulm të shpejtë në minutën e 25..
Roma i ka dhënë fund pritjes 4 mujore për nje fitore në shtëpi, duke mundur minimalisht 1-0 Napolin në një përballje që vlente jashtëzakonisht shumë për biletat që të çojnë drejt Champions League. Miralem Pjaniç ishte heroi i verdhekuqve në Olimpico, me golin në një kundërsulm të shpejtë në minutën e 25, falë disa pasimeve precize të Florenzit, i cili duhet thënë se bëri pjesën më të madhe në orkestrimin e këtij aksioni.
Nëse në pjesën parë të takimit ishte Pjaniç, në të dytën ishte Morgan De Sanctis heroi për skuadrën e Rudi Garcias duke shmangur një valë ofensivash nga të kaltërit e Benitez, të cilët dominuan 45 minutat e dyta me lojën e tyre në kërkim të golit. Përballë dominimit të napoletanëve, loja e romanëve ishte shumë e dobët në sulm, ndonëse Iturbe pati një rast të mirë për ta çuar në 2-0 rezultatin kur kaloi edhe portierin Andujar, por topi përfundoi në anën e jashtme të rrjetës. Gjithsesi në fund është Roma që ka të drejtë të festojë jo vetëm sepse kjo është fitorja e parë e 2015-ës në shtëpi, por mbi të gjitha sepse ka aromë Championsi.