Strategji të përbashkët në politikën e jashtme që përfshin koordinim permanent, në baza ditore. Këtë e kërkoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Shqipëri. Por kjo është e pamundur sipas Ben Andonit, gazetarit dhe publicistit nga Tirana i cili beson se vetëm kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama mund ta krijojnë një momentum të ri të marrëdhënieve ndërshtetërore.
Presidentja e Kosovës këtë javë ishte për dy ditë në Shqipëri. Vizita zyrtare e zhvilluar të hënën dhe të martën kishte në thelb qëllimin e Vjosa Osmanit për bashkërendimin e dy shteteve për një strategji të unifikuar në politikën e jashtme.
“Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme”, tha ajo të hënën në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, i cili e priti me nderime të larta shtetërore.
Gazetari dhe publicisti shqiptar, Ben Andoni e sheh të pamundshme realizimin e idesë së Osmanit. Ai i tha Gazetës Express se “nuk mund të ketë strategji të përbashkët, kur ne jemi dy vende të ndryshme”. Si shembull, e përmendi ndëshkimin e Kosovës nga Bashkimi Europian dhe qëndrimin e Shqipërisë në këtë rast. Dhe në këtë synim, rolet e presidentëve, sipas tij, mbeten dytësorë.
“Personalisht, më duket se ishte një formulë për të gjetur një momentum të ri të marrëdhënieve tona. Nuk mund të ketë strategji të përbashkët, kur ne jemi dy vende të ndryshme. Për më tepër, kur BE-ja parashikoi masat, Rama, ishte palë me atë përballë Kosovës. Në këto kushte, flasin dy vende vëllezër por me ndarje shumë të mëdha, për shkak të konjukturave gjeopolitike dhe jo vetëm. Nga ana tjetër, unifikimi bëhet kur një nga vendet tona, gjendet në zgripe të vështira. Për fat të mirë, Kosova megjithë vështirësitë po e bën udhën e saj të shtetformimit. Më duket se të dy presidentët tanë, për të mos e treguar rolin e tyre të dukshëm dytësor përbri kryeministrave Rama dhe Kurti kanë zgjedhur diplomacinë presidenciale, që është një justifikim i roleve të tyre thjesht protokollare”, tha Andoni.
Presidentja kërkoi koordinim permanent, në baza ditore, “nga diplomatët deri te ambasadorët, nga deputetët deri te presidentët e shteteve”. Por se ajo që propozoi Osmani s’është e mundshme, sipas Andonit e ka treguar nisma e Ballkanit të Hapur. Dy vendet kanë edhe konjuktura të ndryshme, thekson ai.
“Madje, edhe z. Begaj në takimin me znj. Osmani foli si president i një vendi të BE-së dhe jo i vendit vëlla. Por, ka strategji të pjesshme mes dy vendeve tona, që do të thotë përpjekje për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, në momentin kur Shqipëria ka role dhe për shembull afrime në bashkësitë me fuqi të madhe vote, siç janë vendet muslimane. Në këtë rast, të dy vendet mund të punojnë bashkë, por sërish interesat ekonomike dhe konjukturat e ndryshme, nuk e ndihmojnë shumë strategjinë e përbashkët. Duhet që diplomacitë tona të punojnë shumë për diasporën tonë, që po mban dhe rregullon ekuilibrat ekonomikë të qytetarëve tanë”.
Deri diku, Andoni beson se vizita e Osmanit në Shqipëri mund të ketë ndikuar në njëfarë afrimi të sërishëm në relacionet ndërshtetërore pas tensioneve të kësaj vere. Pas afro tre vjetësh, ajo u kthye ta zhvillojë një tjetër vizitë zyrtare në Tiranë. Vizita e saj në fundvitin 2020 mund të konsiderohet si një nga më të tensionuarat ndonjëherë që një shef/e shteti e ka zhvilluar atje. Pasi kishte qëndruar gjatë krah kryeministrit Albin Kurti në një betejë akuzash e kundër-akuzash me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, tash tha se angazhohet që ata t’i tejkalojnë mospajtimet. Megjithëkëtë, Andoni parashikon se “ndarjet do të shtohen”.
“Presidentja Osmani në retorikën e saj, disa herë, ka qenë shumë e ashpër ndaj Tiranës zyrtare. Vizita e saj, kohë më parë në Shqipëri ishte modeli i një sjellje zyrtari me tagrin e presidentit, që nuk duhet të ekzistojë mes nesh. Por ishte sërish ajo, që e priti Ramën, kur Kurti gjeti arsye absurde për të mos e pritur në aksionin e Ramës për përgatitjen e samitit të BE-së. Që do të thotë se mes vendeve tona, gjithnjë e më shumë po dalin ndarje, që personalisht mendoj se në të ardhmen do të shtohen në mënyra dhe forma të ndryshme, varësisht zyrtarëve që do jenë në fuqi. Gjithsesi, këtë herë Osmani u tregua e kujdesshme dhe Rama ia ktheu në të njëjtën mënyrë me shumë maturi, ashtu si i takonte dhe siç duhet të jetë”, tha ai.
Tash, Andoni thotë se “duhet një momentum i ri”, që sipas tij do të thotë se “Rama dhe Kurti duhet të krijojnë fillimisht një klimë besimi mes tyre dhe të sqarojnë disa sinore, të ideve dhe interesave personale”.
“Por, mbi të gjitha, duhet t’i venë fre egove të tyre protagoniste, pasi fuqia e tyre i ka eklipsuar të gjitha personalitetet e dy vendeve. Rama dhe Kurti duhet të kuptojnë se Shqipëria dhe Kosova janë mbi ta. Mbase, do të duhet krijimi i një klime më të thjeshtë, por mbi të gjitha një takim kokë më kokë për të sqaruar shumë gjëra. Tek Kurti ka funksionuar mirë, kur me të drejtë i kërkoi Tiranës që të rishikohen me kujdes moria e marrëveshjeve dhe memorandumeve dhe të shikohet efikasiteti i tyre, ashtu si tek Rama, kur i ka kërkuar Kosovës që të jetë më në sintoni me qëndrimin e SHBA-së dhe aleatëve”.