Të enjten e javës që lamë pas, 56 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan për Ahmet Ismailin si guvernator i ri i Bankës Qendrore të Kosovës. Kundërkandidati i tij, Lulzim Ismajlin, mori vetëm 4 vota.
Por, për tërë procesin rekrutues për këtë pozitë, një ish-guvernator i BQK-së po hedh akuza për parregullsi.
Fehmi Mehmeti, të cilit mandati në krye të BQK-së i skadoi në fillim të këtij viti, i ka shkruar një letër presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, në lidhje “parregullsitë” që e përcollën procesin e përzgjedhjes së guvernatorit të ri.
Në letrën që mban datën 17 korrik, ai po i kërkon presidentes të mos e dekretojë guvernatorin e ri, Ahmet Ismaili për shkak të “shkeljeve” në procesin e rekrutimit për këtë pozitë.
“Shkeljet që kanë ndodhur gjatë procedurës rekrutuese, duke filluar nga ajo që Bordi Drejtues i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ka shpallur konkursin e dytë për pozitën e njëjtë pa nxjerrë vendimin për anulimin e konkursit të parë, po ashtu diskriminimi dhe pabarazia që ka ndodhë në fazat e procedurës, e vlen të përmendet edhe mosndërmarrja e hapave adekuatë nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me rastin e evidentimit të shkeljeve flagrante dhe mospërfilljes së procedurave të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi e po ashtu tërheqja nga monitorimi i procesit i Komisionit Britanik, duke më lënë pa zgjidhje tjetër, ju drejtohem juve si niveli më i lartë i vendit që të mos e bëni dekretimin e propozuar për Guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës pasi që dekretimi i tij prej anës suaj do të ngarkonte edhe ‘shkeljen’ e radhës në këtë proces”, thotë Mehmeti në letrën drejtuar Osmanit, të cilën e ka siguruar Klankosova.tv.
Në këtë letër, të cilën Mehmeti e ka titulluar “njoftim/kërkesë”, ka cituar edhe kryesuesin e Komisionit përzgjedhës për këtë pozitë, i cili thotë se ka dhënë një mendim të ndarë lidhur me përcaktimin e listës përfundimtare të kandidatëve për Kuvend/Qeveri.
“Shkeljet në këtë proces i ka evidentuar edhe Kryesuesi i Komisionit përzgjedhës për këtë pozitë i cili pas fazës së intervistimit më datë 30 janar 2023 ka dhënë një mendim të ndarë lidhur me përcaktimin e listës përfundimtare të kandidatëve për Kuvend/Qeveri ku i njëjti ndër të tjera thotë, citoj: ‘Ligji për BQK-në (Neni 38 paragraf 2) kërkon decidivisht që Kuvendit t’i përcillet lista me kandidatët të cilët konsiderohet se kanë përmbushur kriteret sipas ligjit. Që do të thotë se bazë esenciale për pasqyrimin e përmbushjes së këtyre kritereve është rezultati final i procesit të intervistimit dhe poentimi përkatës. Njëherësh ligji nuk kufizon numrin e kandidatëve të cilët i propozohen Kuvendit. Ndërlidhur me këtë, Paneli ka shqyrtuar dhe vendosur me një votë kundër (vota ime) që në Kuvend të dërgohet lista me katër kandidatë dhe atë pas rangimit të përgjithshëm të kandidatëve përmes procesit intervistues pra me datë 25 janar, 2023. Mbështetur në këtë rrethanë dhe duke pasur parasysh rangimin e kandidatëve (poentimin), kam propozuar që në Kuvend të përcillet lista me pesë (5) kandidatë pasi që kandidatët e ranguar sipas poentimit përfundimtar me renditjen në listën ranguese 4 dhe 5 janë absolutisht me pikë të barabarta dhe arsyeja e votës sime kundër është fakti që të respektohet ‘Parimi i barazisë para ligjit’ si njëri ndër parimet fundamentale kushtetuese për të evituar pabarazinë në trajtim mbi çfarëdo baze dhe për të penguar diskriminimin eventual. Për të evituar cenimin e parimit në fjalë, është përgjegjësi e të gjitha institucioneve që ndërlidhen me këtë proces, të ndërmarrin veprimet e duhura që të sigurohet barazia dhe mosdiskriminimi i kandidatëve që janë pjesë e këtij procesi’”, ka thënë më tej Mehmeti në këtë letër.
Tutje, ai ka sqaruar se kandiduar edhe për një mandat në këtë pozitë, ndërsa pretendon të jetë diskriminuar.
“Unë kam kandiduar edhe për një mandat në këtë pozitë dhe diskriminimi që më është bërë mua duke mos u trajtuar barabartë me kandidatët tjerë në rrethana kushte dhe poentim absolutisht të njëjta dhe duke nxitur dilema me integritetin tim pas publikimit të rezultateve të intervistimit, ka qenë gjëja më e ulët dhe jo etike e Komisionit përkatës”, i shkruan Mehmeti, Osmanit.
Ndërkaq në fund, ai kërkoi me ngulm nga presidentja që të mos e dekretojë Ahmet Ismailin në postin e guvernatorit të ri të BQK-së.
“Marrë parasysh detyrat dhe përgjegjësitë e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, pasi që duhet ta udhëheqë njërin nga dikasteret më të rëndësishme të vendit, luteni shumë që para ndërmarrjes së hapave për dekretimin e personit të propozuar të kërkoni sqarime për mënyrën e përzgjedhjes së tij dhe shkeljet që janë bërë gjatë fazave paraprake dhe të ndaloni këto parregullsi, pasi që e them me bindje të plotë që përveç shkeljeve ligjore dhe mosrespektimit të rregulloreve për rekrutim, është bërë edhe shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës e që është akti më i lartë juridik i shtetit”, ka deklaruar Mehmeti në këtë letër të siguruar nga Klankosova.tv drejtuar të parës së shtetit, Vjosa Osmani.