Njëri nga dëshmitarët kryesorë për krimet e forcave serbe në fshatin Qyshk, Zoran Rashkoviq, pjesëtar i formacionit paramilitar “Çakallët”, ka thënë se qëndron prapa fjalëve që ka thënë në procesin gjyqësor për këtë rast.
Komentet e tij për Radion Evropa e Lirë vijnë pasi njësia për krime lufte e Gjykatës së Apelit në Beograd ka revokuar vendimin e shkallës së parë, me të cilin “Çakallët” janë dënuar me burgim shumëvjeçar, për shkak të krimeve në fshatrat afër Pejës, gjatë vitit 1999.
Lënda i është kthyer Gjykatës së Lartë në Serbi për gjykim të sërishëm.
“E di se nuk do të tërheq asnjë fjalë të vetme që kam thënë në atë proces gjyqësor, nisur nga kërkimfalja për popullin shqiptar për shkak të qindra kufomave. A do të dëshmoj përsëri? Kur nëna Serbi më ka thirrur që në moshën 18, 19-vjeçare të luftoj, jam përgjigjur, kam luftuar. Kur nëna Serbi më ka thirrur para pesë vjetësh të them të vërtetën për ngjarjet në terrtorin e Qyshkut, Pavlanit, Zahaqit, Lubeniqit, jam përgjigjur dhe kam thënë të vërtetën”.
“Mendoj se sot qëndrimi i Serbisë është që të mos flitet shumë për krimet serbe dhe unë do të dëgjoj sërish nënën Serbi”, ka thënë Rashkoviq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit në Beograd, kanë reaguar përfaqësuesit e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në Serbi.