Albin Kurti-Rama-Foto-Balkaninsight
Kryeministri Rama ka anuluar mbledhjen e dy qeverive Kosovë-Shqipëri për shkak të agravimit të Kosovës me bashkësinë euroatlantike.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ai u shpreh se ka thirrur një takim më të ngushtë me Albin Kurtin.
Kreu i qeverisë tha se ka frikë se një plan shumë i rëndë për Kosovën mund të vihet në lëvizje, duke ju referuar sanksioneve që mund të ndërmarrin partnerët euro-atlantikë.
Fjala e plotë e Ramës:
Ndjesë për këtë orë të pazakonshme, por është një komunikim i jashtëzakonshëm, i cili lidhet me takimin e nesërm të dy qeverive në Gjakovë.
E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.
Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë europiane, Joseph Borrel, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situate, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë.
Për fat të keq dhe me shumë keqardhje më duhet të them që nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot.
Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit.
Kam bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje.
-Në kushtet kur i zoti i hallit, nëse mund të quhet kështu Albin Kurti, i cili sipas jush rrezikon nga momenti në moment të sanksionohet nuk e ka problem që të zhvillohet kjo mbledhje e dy qeverive, përse vendosni ju që të shkoni drejt këtij vendimi? A po agravohet në këtë mënyrë edhe marrëdhënia Shqipëri-Kosove?
Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë, nuk është këtu fjala, që të jemi shumë të saktë për të zotin e hallit sepse halli është i Kosovës, por është dhe i shqiptarëve, i kombit shqiptar që rrezikon të dalë në një dritë jo të mirë në sytë e atyre, të cilët e kanë bërë këtë komb që të jetë në ditët e tij më të mira në historinë e tij, shumë e shumë mijëra vjeçare, për herë të parë. Kështu që, halli nuk është i Kryeministrit, halli është i qytetarëve të Kosovës, i Kosovës dhe i të gjithë shqiptarëve.
E dyta, nuk e kuptova pyetjen “Nëse ai nuk e ka problem të bëhet mbledhja e dy qeverive, pse e kemi ne problem?”
Ne e kemi shumë problem sepse Shqipëria nuk është një UFO, Shqipëria nuk operon e izoluar dhe marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën është një marrëdhënie vëllazërie, por Shqipëria është një shtet, i cili është pjesë e pandashme e bashkësisë euro-atlantike, është një vend anëtar i NATO-s dhe nuk ka asnjë shans që Shqipëria të zhvendoset nga boshti i bashkësisë euro-atlantike për të, nuk e di se çfarë se për më tepër, jua kam thënë dhe më parë, ne mendojmë jo 99%, por ne mendojmë 100% njësoj siç mendojnë aleatët tanë në këtë rast. Ashtu sikundër, ju kam thënë që kur disa prej partnerëve i thonin Albinit dhe autoriteteve të Kosovës “Mos i mbani zgjedhjet në veri” unë isha 100% me Albinin dhe me autoritetet e Kosovës që zgjedhjet duheshin mbajtur sepse bojkoti i serbëve nuk mund të fitonte statusin e instrumentit fatal për Republikën e Kosovës që “Nuk duam ne të marrim pjesë, nuk bëhen dot zgjedhje”. Në atë rast, kam dhënë dhe unë kontributin tim modest që partnerët të kuptonin se këtu nuk ishte çështje e një teke të Albin Kurtit, por ishte një qëndrim parimor dhe për mua, i saktë.
Mirëpo, sot, jo vetëm që nuk ndajmë opinionin mbi mënyrën sesi po veprohet, por ne si vend jemi 100% kundër mënyrës sesi po veprohet. Besoj që i dhashë përgjigje pyetjes.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me bashkësinë euro-atlantike dhe pozicionin që Shqipëria ka fituar në këtë bashkësi ku sot është në pikën e vet më të lartë në historinë e saj, nuk e vë dot në diskutim askush dhe për asnjë arsye dhe aq më pak ta vërë në diskutim një situatë ku Kosova po kërcënohet në një arsye të mos-arsyes dhe nga një, sipas meje, gjykim absolutisht i gabuar strategjik. Nuk kuptoj dhe nuk e kupton askush cila është strategjia këtu dhe cili është interesi strategjik i Kosovës në këtë proces ku Kosova po hyn në një kurs përplasjeje dramatike me bashkësinë euroatlantike, kështu që arsyeja pse unë po i bëj gjithë këto përpjekje është Kosova. Nuk është aspak, ndonjë arsye tjetër, është Kosova.
-Zoti kryeministër, nëse me lejoni kam dy pyetje. Ju përmendet gjatë fjalës suaj një plan ose sanksione që BE, ose Bashkësia euroatlantike kanë në plan të vendosin ndaj Kosovës. Nga ajo mënyra sesi folët, duket që keni dijeni ose i keni parë këto sanksione. Në mesin e këtyre sanksioneve a përfshihet dhe heqja e regjimit të vizave për Kosovën.
Kryeministri Edi Rama: Nuk më takon mua të bëj asnjë koment mbi këto. Unë nuk dua as t’i mendoj këto të them të drejtën. Jam i tmerruar nga ideja që këto mund të ndodhin, se këto nuk është çështja që janë masa, të cilat kjo bashkësi merr ndaj vendeve jo dashamirëse le të themi ndaj saj, kjo bashkësi po detyrohet t’i marrë ndaj një shteti që ka krijuar vetë dhe kjo do të thotë që edhe sikur këto masa të jenë të përkohshme, uroj që të mos vihen, por mesa duket edhe kjo përpjekje e fundit po shkon drejtë të njëjit fat si të gjitha përpjekjet e tjera të bëra nga gjithë të tjerët. Pra, edhe sikur këto masa të jenë të përkohshme, efekti destabilizues në marrëdhëniet mes Bashkësisë euroatlantike dhe Kosovës nuk do të jetë edhe aq i përkohshëm. Besimi dhe mbështetja nuk do të jenë më ashtu siç kanë qenë deri tani. Do të jenë shumë më të kursyera dhe shumë më të kushtëzuara hap pas hapi dhe jo thjeshtë ndaj Albin Kurtit dhe qeverisë së tij, por dhe ndaj qeverive që do vijnë më pas sepse kështu funksionon historia e marrëdhënieve me fuqitë e mëdha.
-Dhe nëse me lejoni pyetjen e dytë. A ka ndikuar ndopak retorika apo do e cilësoja dhe ironia që ka përdorur gjatë deklaratës së sotme Kryeministri i Kosovës zoti Kurti kur i pyetur nga kolegët në Prishtinë ju ka kujtuar juve dhe disa nene të Kushtetues që ju imponojnë juve mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë kufirit, duke ju sugjeruar që atë plan që ju keni bërë për veriun e Kosovës t’ia sugjeroni Presidentit serb Vuçiç për jugun e Serbisë, pra për Luginën e Preshevës.
Kryeministri Edi Rama: Zero. Zero sepse së pari përpjekja ime për t’u takuar me Kryeministrin e Kosovës nuk ka filluar sot, ka disa ditë që i kam kërkuar të takohemi për të folur për këtë situatë.
E dyta, zero sepse siç unë them atë që mendoj, dhe Albini thotë atë që mendon. Dhe për mua nuk ka surpriza, nuk ka gjëra të panjohura me Albinin sepse siç më njeh ai mua, e njoh dhe unë atë dhe është i sinqertë në atë që thotë, ai beson vërtetë që thotë diçka të rëndësishme dhe diçka që unë duhet ta marr në konsideratë. Dhe e fundit, zero sepse ka dy njerëz që janë të pa interesuar për asociacionin dhe në këtë pikë janë bashkë, jo janë bashkë në kuptimin që janë marrë vesh, absolutisht, por janë të interesuar që asociacioni të mos krijohet. Dhe këta janë kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë. Pse? Sepse për mënyrën sesi e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme, iu duhet armiku i jashtëm. Pse i çon presidenti i Serbisë ushtarët në kufi me Kosovën? Mendoni ju që në cepin më të largët të mendjes së vet dhe në ëndrrën e tij më kurajoze ai mendon se mund të futet një ushtar serb 1 metër në kufirin e Republikës së Kosovës? Absolutisht jo, as që nuk e imagjinon. Po pse i çon? Nuk i çon për të mbrojtur me armë serbët që janë në Kosovë, por i çon për të ndezur shpirtin nacionalist të serbëve që janë në Beograd dhe në Serbi. Për çfarë këndojnë ata ushtarët serb në kufi me Kosovën “Kosova është e jona”? Për çfarë? Këndojnë për ata që i dëgjojnë në Serbi. Këngë mitingu! Pa asnjë lloj lidhje.
Për çfarë i duhet Kosovës ky konfrontim me Serbinë? Serbia e ka humbur luftën, ushtarakisht një herë e mirë, pa kthim, pa të drejtë apeli në vitin 1999 dhe Serbia qysh nga viti 1999 nuk është më kërcënim për Kosovën.
Nuk ka çfarë i bën fare. Jo sepse është Albin Kurti aty apo cilido qoftë, por sepse aty është Amerika. Është kjo Amerikë, e cila sot është në acarimin maksimal me qeverinë e Kosovës. Atëherë për çfarë duhet kjo histori konfrontimi permanent?
Duhet për politikë të brendshme. Dhe cila është gjëja që e shpërben figurën e armikut imagjinar në sytë e zgjedhësve të njërit dhe të tjetrit? Asosacioni. Që mbyll përfundimisht, në këtë aspekt po flas mundësinë për të vazhduar lufta që “ këta s’na lënë të zgjedhim, këta nuk duan të zgjidhen”. Është shumë e qartë. Prandaj unë jo vetëm që nuk prekem, por përkundrazi më vjen mirë edhe eshte pjesë e marrëdhënies shumë të shëndetshme që kam me Albin Kurtin sepse themi atë që mendojmë edhe kur jemi dakord edhe kur s’jemi dakord. Qëllimin e kemi një, 100%. Njohja e plotë përfundimtare ndërkombëtare e Kosovës. Edhe nga Serbia, përvese nga gjithë të tjerët dhe kërkimi i faljes që Serbia duhet t’i bëjë Kosovës për krimet që ka bërë në Kosovë. Kjo është finalja!
Ndryshimi midis meje dhe Albinit është që Albini i do këto në fillim. Unë them që këto vijnë në fund se kështu kanë ardhur në gjithë historinë e njerëzimit. Unë nuk di ndonjë rast kur dy palë që kanë bërë luftë, qoftë dhe agresori me viktimën kur kanë bërë një proces paqeje, kjo të ketë filluar nga falja dhe nga poshtërimi.
Kancelari i Gjermanisë nuk u ul në gjunjë në 1945 për të kërkuar falje, u ul shumë vite më vonë dhe po marr ekstremin, nazistët gjermanë. Unë nuk kam asnjë problem me çfarë thotë Albini, përkundrazi, më pëlqen shumë se e ka këtë karakteristikë, por jam i tmerruar nga ky kurs taktik elektorale e brendshme. Asgjë nuk ka këtu tjetër përveç kësaj, sipas meje.
Kryeministër, a po e sanksiononi ju i pari Kosovën në bashkërendim me ndërkombëtarët e nëse Albin Kurti nesër nuk ju pret në Gjakovë, çfarë vjen më pas mes dy vendeve?
Kryeministri Edi Rama: Po e sanksionoj unë Kosovën?
Po ju pyes nëse po e bëni këtë.
Kryeministri Edi Rama: Jo! Më the a po e sanksionoj unë Kosovën bashkë me ndërkombëtarët.
Ju thatë se komunikimet nuk ju kanë ndikuar tek kjo vendimmarrje për të anuluar mbledhjen. Atëherë çfarë ndryshoi që ju e morët këtë vendim nëse nuk është një sanksion apo një formë presioni që ai ndryshoi qëndrim?
Kryeministri Edi Rama: Jo, fare. E thashë dhe një herë, ka disa ditë që kërkoj ta takoj. Ka qenë i zënë, e mirëkuptoj, nuk ka asnjë problem dhe nuk jemi në kushtet kur mund të bëjmë një mbledhje si UFO. Shqipëria nuk është UFO të paktën. Shqipëria, e përsëris, është pjesë e pandashme e bashkësisë euroatlantike dhe nuk mundet as të bëjmë një teatër me marrëveshje për bujqësinë, për blegtorinë e për të tjera, që janë shumë të rëndësishme e që janë gati e që mund të bëhen dhe pas një jave, pas dy javësh apo pas tre javësh. Ndërkohë që Kosova po digjet ngadalë, por po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar, me ata që e krijuan si shtet. Unë i marr me mend të gjitha nënqeshjet e përqeshjet me bashkësinë euroatlantike sot, që krijoi Kosovën, të atyre që nuk e deshën kurrë krijimin e Kosovës së pavarura I marr me mend! Kanë të drejtë të nënqeshin e të përqeshin, sikur thonë “hë, e donit shtet?” E këtë gjë ne nuk duhet ta lejojmë, duhet të bëjmë çmos që ta pengojmë, duhet të bëjmë çmos që të mos ndodhë. Për çfarë bëhet një herë? Unë nuk e kuptoj. Për çfarë bëhet? Për një të ngujuar atje që nuk ushtron dot jo detyrën por as funksionet bazike të një njeriu të lirë, normal, që të dalë të marrë ajër jashtë godinës? Për çfarë? Sepse ajo që u bë me zgjedhjet ishte gjëja e duhur, por ajo nuk u bë, besoj unë të paktën, por nuk besoj se i shkon mendja as Albinit vetë që ajo u bë që edhe bashkitë, komunat me shumicë dërrmuese serbe t’i qeverisin shqiptarët. Ajo nuk u bë për këtë. Ajo u bë për t’ju thënë serbëve ju e bojkotoni? Po mirë, ne nuk i lëmë institucionet e qeverisjes vendore në vakum edhe sikur aty të hyjnë kryetarë komunash me dy vota.
Ama në momentin kur krijohen kushtet që ata të rifuten në zgjedhje dhe në momentin kur ti thua unë jam gati të bëj zgjedhje të parakohshme, gjëja e parë që bën, çliron të vetëburgosurin e vetëvendosur në një godinë të mbushur me policë ku nuk ka asnjë punonjës, ku nuk bëhet asnjë aktivitet zyrtar, burokratik, teknik, shkresor, por ku i vetëvendosuri i vetëburgosur thjesht rri aty si simboli i një absurdi e pastaj vazhdon procesi me pjesën tjetër. Unë nuk jam ariu, unë jam kryeministri i Shqipërisë. Kam bërë një propozim, janë bërë edhe propozime të tjera. Ka dhe drafte të tjera, as nuk kam kërkuar ti imponohem kujt, as nuk pretendoj që ati draft të merret e të adoptohet pa e parë. Gjëja më normale, unë nuk pres që presidenti i Serbisë të thotë bravo, as që ta pranojë sepse kanë shkruar diku në një marrëveshje që draftin me demek do e bëjë një ekip menaxhimi që është me serbë e ku di unë. Unë nuk pres nga ai, por minimalisht qeveria, kryeministri i Kosovës të thotë ok, ta shohim, çfarë problemi ka? Merre shihe njëherë se nuk i dihet. Mund të jetë komplet kot, por ju siguroj që është top, se nuk e kam shkruar unë. E kanë bërë ekspertë të nivelit më të lartë botërorë dhe faktikisht, ata që e kanë marrë në Paris, në Berlin, në Bruksel, në Ëashington, kanë vetëm fjalë të mira. E keqja është që ka një pengesë psikologjike të fortë, që ka të bëjë me natyrën e gjithë politikës së bërë nga të dy.
Pyetja e dytë, çfarë ndodh nëse dështon takimi nesër?
Kryeministri Edi Rama: Çfarë ndodh? Asgjë! Jeta vazhdon keq për Kosovën fatkeqësisht. Aspak mirë edhe për kryeministrin e Kosovës sepse në vend që të jetë në të gjitha instancat e mundshme për të vazhduar të komunikojë e të bëjë marrëdhënie ndërkombëtare për shtetin që përfaqëson, nuk do ta ketë dot të mundur e kjo është e tmerrshme. Ndërkohë që ne do vazhdojmë. Ne vëllazërinë nuk e kemi politike, e kemi një vëllazëri që buron nga gjaku i njëjta, nga gjuha e njëjtë, nga historia e njëjtë dhe nga e ardhmja e njëjtë, kështu që ne do vazhdojmë por ne nuk bëhemi palë në një absurd, nuk kemi se si. Do të ishte një tradhti e madhe që do t’i bënim Kosovës përveç se një çmenduri për Shqipërinë. Ne kemi detyrën t’ia themi po aq copë sa i ka Albini dëshirë gjërat kur i thotë.
A jeni ju i gatshëm që këtë draft statut për pakicat kombëtare t’ia prezantoni edhe zotit Vuçiç në mbledhjen e radhës së Open Balkan siç ju sfidoi sot zoti Kurti? Dhe së dyti, ju deklaroni se Kosova duhet ti nënshtrohet kërkesave të ndërkombëtarëve, nga ana tjetër ju e quani sa i takon Gjykatës Speciale, e quani një turp, e cila erdhi si pasojë e faktorit ndërkombëtar. A po veproni me dy standarde zoti Rama?
Kryeministri Edi Rama: E para unë nuk përdora fjalën nënshtrim. Këtu nuk bëhet fjalë për asnjë nënshtrim. Unë po flas për një bashkësi euroatlantike e nuk po flas për ndërkombëtarë në mënyrë abstrakte. Bashkësie euroatlantike është krijuesja e shtetit të Kosovës, por nuk mjafton të quhet sy, që të shohë. Mund të quhet sy e mund të jetë komplet një mjet atavik në zgavrën e kafkës së një personi sepse mund të mos funksionojë. Nga ana tjetër, nuk më rezulton mua që ka një problem ndërkombëtar dhe as më rezulton që ka një kërkesë nga bashkësia euroatlantike për të bërë ndonjë asociacion në Serbi. Kosova ka një Kushtetutë si shtet i ndërtuar nga bashkësia euroatlantike.
Kosova ka një kushtetutë si shtet i ndërtuar nga bashkësia euroatlantike. Kosova është një shtet multi-etnik dhe nëse e keni vënë re edhe në vetë qeverinë e Kosovës përdoren dy gjuhë atje. Kështu që, për natyrën dhe për strukturën që ka ai shtet, është vendosur, jo nga unë, s’e kam vendosur unë, s’jam unë që kam vendosur as detyrim kuotën për serbët në Parlament, as detyrimin që serbët të përfshihen në qeveri, as detyrimin për të pasur një asociacion. E kanë vendosur vetë autoritetet e Kosovës në dialog me serbët përmes Bashkimit Europian. Ky është detyrim i marrë nga shteti i Kosovës, zotëri. Nuk është ndonjë ide imja apo ndonjë detyrim që buron nga ndonjë fantazi e ndërkombëtarëve. Është një detyrim i marrë dhe çështja është si të ndërtohet në mënyrë që mos cënojë kornizën e Republikës së Kosovës. Kjo është çështja. Kurse këtë mos nënshtrimin ndaj bashkësisë euroatlantike, për fat të keq po e shohim të zhvillohet në formën e një manifestimi të një halli me drejtësinë, këtu në Shqipëri dhe unë i kuptoj hallexhinjtë që frymëzojnë pastaj altoparlantë për të çuar përpara agjendën e tyre të mosnënshtrimit.
Ndërkohë që Kosova nuk ka se kujt t’i nënshtrohet fare. Fare! Se askush nuk i kërkon Kosovës që të nënshtrohet dhe duhet të jesh idiot të që mos shohësh që Serbia është sjellë zvarrë deri në këtë pikë ku është sot në tavolinë me përpara një sërë pikash, ku pika më e nxehtë, për mua s’është as e nxehtë, është ujë i thjeshtë fare, për tu pirë pa asnjë problem, është asociacioni që Kosova të bëhet shtet anëtar i OKB-së. E kuptoni se për çfarë bëhet fjalë? Kur artikuloni fjalët nënshtrim ndaj ndërkombëtarëve’? A e kuptoni se për çfarë bëhet fjalë kur ky proces i cili është fund e krye një proces i bashkësisë euroatlantike, kaq vjeçar e ka sjellë Kosovën sot në këtë pikë që e ka një firmë larg njohjen përfundimtare, të paktën nga shtetet e bashkësisë euroatlantike dhe ajo është kryesorja dhe pastaj edhe ulësen në OKB edhe ne merremi dhe Kosova sot merret me të dali apo s’duhet të dalë një i vetëvendosur, i vetëngujuar në një godinë, mbushur me policë që ruajnë të vetëngujuarin e vetëvendosur dhe që s’ushtron dot as funksionet e tij bazike si njeri i lirë, të dalë për të marrë ajër jashtë. Ndërkohë që Serbisë i është thënë që do futesh në zgjedhje dhe Serbia thotë “do futem në zgjedhje, po, si urdhëron”! E kuptoni se ku ka rënë pazari? Nuk e thashë kot përpara pak ditësh, po i shkohet mbrapa me një pasion të verbër kokrrës së ullirit dhe po derdhet e gjithë fuçia e vajit, kur thonë tironsit. Po nuk është një fuçi vaji që mbushet më aq kollaj. Për ta rimbushur do jetë “painful”, kur thonë ata që e kanë mbushur.
Zoti Rama, ju thatë që bashkëpunimi dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët nuk lëkunden qoftë edhe për Kosovën, por a jeni ju i gatshëm që të sakrifikoni marrëdhëniet me Kosovën për të ruajtur ekuilibrat me ndërkombëtarët?
Kryeministri Edi Rama: Nuk po merremi vesh fare, fare, fare! Pse në çfarë rreziku është Kosova? Më fal, kush po e rrezikon Kosovën? Se ndoshta nuk e kuptoj unë! Mund të më jepni një informacion se cilët janë ndërkombëtarët që po rrezikojnë Kosovën meqë juve thatë se këtu u dashka bërë një zgjedhje, o me ndërkombëtarët, o me Kosovën? Duhet të më jepni informacion kush po e rrezikon Kosovën dhe nga se po kërcënohet Kosova tani që po flasim. Ma jepni dot këtë informacion? Më jepni dot një element të këtij absurdi se mbase janë çmendur të gjithë! Mbase janë çmendur Shtetet e Bashkuara, mbase është çmendur Bashkimi Europian, bashkë me ta patjetër edhe unë se siç edhe e di më mirë nga të gjithë, syri që nuk shikon, i çmendur jam, kush po e sulmon Kosovën ose kush ka një plan për ta futur Kosovën në një situatë për jetë a vdekje? Ma jepni! Dini ju gjë që e ndërtoni këtë pyetje?
Zoti Rama, ju thatë që marrëdhënia juaj me ndërkombëtarët…
Kryeministri Edi Rama: Jo, marrëdhënia ime me ndërkombëtarët, zotëri edhe një herë se nuk po kuptohemi. Ne nuk kemi një marrëdhënie me ndërkombëtarët në këtë rast. Shqipëria nuk është një “vend në një marrëdhënie me”, Shqipëria është pjesë, është pjesë e bashkësisë euroatlantike. Shqipëria është anëtare e NATO-s. Nuk është një vend që aspiron të bëhet anëtar i NATO-s. Është anëtare! Shqipëria negocion sot me Bashkimin Europian. Shqipëria është sot krenarisht dhe me meritë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pra nuk është, “marrëdhënia jonë me”. Jemi ne, zotëri. Jemi ne! Bashkësia euroatlantike jemi ne. Prandaj ngriheni kokën lart kur e them këtë dhe sa herë ta mendoni këtë ngriheni kokën shumë lart për Shqipërinë. Jemi ne bashkësia euroatlantike. Siç flasin të tjerët që janë anëtarë të bashkësisë euroatlantike, flasim dhe ne. E në këtë pikë, nuk është problemi se janë çmendur të gjithë dhe ne po çmendemi për konformizëm. Jo mo zotëri. Po të ishte se do të çmendeshin të gjithë dhe ne do ta shikonim këtë, do ishim në pozicion tjetër. Nuk jemi sepse mendojmë 100%. Ju duhet të na jepni një informacion, kush po e kërcënon Kosovën? Nga se? Nga se? Kush ka ndonjë plan që ta sulmojë?
Pyetja ishte, nëse ju si qeveri dhe qeveria e Kosovës keni marrëdhënie jo të mira kohët e fundit dhe nëse kjo situatë që po ndodh në veri të Kosovës, duket se e ka vështirësuar edhe më tepër komunikimin tuaj me qeverinë Kurti, zoti Rama? Atëherë pse nuk keni komunikim me zotin Kurti, zoti Rama? Këto kohët e fundit?
Kryeministri Edi Rama: Nuk dhe përgjigjen! Pra, nuk ka kërcënim. Bën një pyetje sikur këtu ka ndonjë kërcënim dhe thashë mos ke ndonjë informacion. Nuk ka, apo jo? Nëse merrni ndonjë informacion për ndonjë kërcënim, do isha shumë, shumë mirënjohës që të na vini dhe ne në dijeni. Ndërkohë që, unë me Albinin komunikoj rregullisht. Nga e nxjerr ti që s’komunikoj? Unë e thashë vetë që kam komunikuar edhe gjatë këtyre ditëve, kam komunikuar edhe me parë. Me qeverinë e Kosovës ne kemi marrëdhënie krejt normale. Bëjmë punë me qeverinë e Kosovës rregullisht, në të gjithë sektorët. Ato marrëveshje që janë në tavolinë për tu firmosur, janë rreth 13 marrëveshje, janë fakti që ne vazhdojmë punojmë normalisht me qeverinë e Kosovës. Nuk kemi të njëjtin opinion dhe të njëjtin pozicion në këtë çështje. Kjo është e mirënjohur. Por tani nuk është më çështja që s’kemi ne të njëjtin opinion, tani është çështja që ka një kurs përplasje, jo me ne, jo me ne. Se bashkësia euroatlantike mund të vendosë që kryeministri i Kosovës nuk pritet më në asnjë derë. Derën në Shqipëri e ka të hapur, pavarësisht se ne jemi pjesë e asaj bashkësie dhe i themi asaj bashkësie, jo, na falni, ne nuk e zbatojmë këtë, për shembull. Pra nuk jemi ne këtu. Ne thjesht dhe vetëm shikojmë dhe tmerrohemi nga kjo miopi, është miopi, është diçka që nuk e kuptoj dhe arsyeja pse unë i kërkova, prapë nuk e mbyll fare se shpresoj që të mund ta bëjmë takimin nesër, Albinit të takohemi është për të pasur një diskutim shterues lidhur me këto pozicione.
Unë jam i hapur që nëse ai ka informacione që nuk i ndan me publikun dhe që nuk i ka ndarë me ne dhe i ndan me mua dhe thotë “Shiko se këtu ka një rrezik dhe rreziku është ky”. Nëse më bind për atë rrezik unë jam i gatshëm të kthehem tek bashkësia euro-atlantike dhe t’i them “Shikoni se ka diçka që duhet marrë më seriozisht”, por ama nëse ai është i hapur dhe dëgjon edhe argumentimin tim, se unë e thashë, nuk jam ariu, jam kryeministri i Shqipërisë dhe nuk shoh asnjë interes, zero interes të asnjë natyre përkundrazi, shikoj vetëm dëme për kombin shqiptar nëse shqiptarët në Kosovë i tregojnë bashkësisë euro-atlantike që “Nuk dimë të bashkëjetojmë me ju se duam ose të na dali e jona për kokrrën e ullirit ose pastaj në djall le të shkojë fuqia e vajit dhe nuk ka rëndësi fare që atë fuqi vaji e keni mbushur ju 90% dhe 10% e kemi mbushur ne”. Ky është shqetësimi.
-Nisur nga retorika që ju parashtruat në përgjigjen e fundit që Kosova nuk rrezikohet nga asgjë. Në fakt, si për mua si gazetar që e kam ndjekur situatën, por edhe nga institucionet e Kosovës, nga kryeministria dhe nga Presidenca, Kosova rrezikohet nga kriminelët serbë në veri, zoti Rama, nga vatrat kriminale serbe, të cilat ushqehen drejtpërdrejtë nga zoti Vuçiç dhe nga kriminelët, të cilët janë të sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara. Kosova kërcënohet, sipas institucioneve të vetë Kosovës nga këto banda, të cilët kanë dhunuar në mënyrë sistematike KFOR-in, policinë e Kosovës dhe dhjetëra gazetarë. Zoti Rama, në këtë konferencë ju nuk e përmendët fare këtë rrezik që vjen nga bandat kriminale serbe të ushqyera nga Beogradi.
Kryeministri Edi Rama: Banda kriminale ka në çdo shtet të botës dhe me bandat kriminale lufton çdo shtet i botës. Banda kriminale ka në gjitha shtetet e botës dhe me bandat kriminale nuk ka asnjë kompromis, nuk diskutohet kjo, por unë po flas për kërcënime të një natyre tjetër dhe përsa i përket çështjes së bandave kriminale mund t’ju them që bashkësia euro-atlantike është absolutisht e vendosur që ta mbështesë çmontimin e tyre dhe nuk ka asnjë diskutim për këtë.
Ashtu sikundër, bashkësia euro-atlantike i ka identifikuar, pra i ka verifikuar më saktë identitetet e atyre që kanë marrë pjesë në akte të dhunshme dhe i ka kërkuar qartësisht qeverisë së Beogradit përsa i përket atyre që kanë qenë të importuar që të arrestohen dhe të vihen përpara drejtësisë dhe patjetër i ka dhënë qeverisë së Kosovës mandatin ose më saktë “Ok” që të veprojë, por ka një problem në dukje shumë të vogël, por që është bërë problem i madh, që bashkësia euro-atlantike thotë “Të fillojmë me këto hapa dhe pastaj vazhdojmë me të tjerat” sepse është për t’u zgjidhur gjëja në themel pastaj mund të vazhdojë normal lufta me kriminelët, siç vazhdon në çdo shtet dhe mund të bëhet në bashkëpunim të plotë me forcat e tjera që janë atje. Pra, kur ata që janë plagosur drejtpërdrejtë dhe që e përfaqësojnë, si shtete, KFOR-in e të thonë “Këta kriminelë duhet të vihen të gjithë përpara përgjegjësisë, por hapi i parë është ky” atëherë duhet bërë hapi i parë, pastaj hapi i dytë, pastaj hapi i tretë”.
Cili është interesi i Kosovës? Interesi i Kosovës është sa më shumë qetësi, sa më shumë qetësi për të marrë njëherë atë të madhen fare, që është marrëveshja që çon në njohje, ajo është njëherë.
Nëse aty krijohen flakë, cili është më i interesuari strategjikisht si shtet për të mos pasur flakë atje, për të shkuar gjërat sa më përgjumshëm atje? Kosova.
Gjëra të thjeshta të natyrës strategjike. Taktika nuk të çon asnjëherë në fitore, strategjia po. Taktika vetëm të ngatërron me këmbët e tua në fund, sipas meje.
Vetëm dua të di nëse refuzimi i Albin Kurtit për t’u takuar me ju, erdhi pasi ju prezantuat apo dorëzuat tek Kancelari Scholtz dhe presidenti Macron propozimin tuaj? Takimin e kërkuat para me Albin Kurtin apo më pas?
Kryeministri Edi Rama: Flas për këto 72 orët e fundit, ndoshta pak më shumë kur gjërat janë agravuar maksimalisht në bashkësinë euro-atlantike dhe që u kam kërkuar atyre pak kohë, por mesa duket do dalë fjala e tyre që “Okej por…”
Tjetra, unë nuk e kam çuar atë draft tek Putini apo tek Xi Jinping. Unë e kam çuar atë draft tek dy njerëzit që i kanë bërë gati Kosovës dhuratën më të madhe të mundshme. Ai plan që është në tavolinë, i ashtëquajturi “plani franko-gjerman” është gjëja më e bukur e mundshme që mund të shkruajnë politikanët dhe juristët së bashku. Është një masterpiece of politics. Kaq di të them unë dhe Kosova e ka në tavolinë.
Mua më ka mësuar edhe historia, por edhe jeta që kur i bën shumë naze një marrëveshjeje që ta vënë në tavolinë fuqitë e mëdha, marrëveshja tjetër nuk është më aq e mirë dhe marrëveshja tjetër nuk është më aq e mirë. Nëse kujtesa ime nuk më bën tani një rreng, fqinjve tanë të mirë, vëllezërve tanë maqedonas ju vu dikur në tavolinë një marrëveshje që të pranonin që emri i vendit të mos ishte i njëjti brenda me jashtë. Nuk e pranuan. Tani e kanë të njëjtin brenda dhe jashtë dhe është një nga marrëveshjet e Greqisë me bashkësinë europiane, marrëveshje të tjera e të tjera. Ajo që vjen më mbrapa, pasi ti i lodh fuqitë e mëdha, duke bërë naze është më e keqe.
Ne nuk e ndryshojmë dot raportin e fuqive. Ne mund t’i bëjmë elektoratit për një farë kohe magji sikur ne jemi Davidi që po lufton me Goliathin. Nuk funksionon për një kohë të gjatë. Dhe për më tepër pastaj Goliathi anglo-amerikano europian që luftohet nga një David shqiptar mund ta intrigojë për një farë kohe një elektorat që ndjen dhe boshllëkun e sapo mbarimit të Big Brother, por nuk është diçka që çon larg. Dhe më e keqja e madhe pastaj është që e dëmton aq keq vendin saqë, nuk e di. Jam pa fjalë sot.
Thonë që nata sjell këshilla të mira, shpresoj shumë që diçka të ndryshojë. Nuk jam optimist, por shpresoj shumë në mënyrë që të kemi mundësi t’i shfrytëzojmë këto orë për të dalë nga ky qorrsokak.
Shumë faleminderit!