Murati i reagon Ramës: Komunës së Prishtinës ia dhamë 270 milionë për 2 vjet, çdo vit u teprojnë paratë

E publikuar: 06/04/2023 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, i cili sot e akuzoi Muratin se ua ka bllokuar 28.8 milionë euro që janë të të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit.

Sipas Muratit, kjo ankesë e Ramës nuk qëndron, meqë siç ka thënë kësaj komune çdo vit i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale.

Ka thënë se këto dy vjet, Qeveria ka mundësuar mbi 270 milionë euro investime shtesë për Komunën e Prishtinës, por se deri në fund të muajit mars 2023, Komuna e Prishtinës ka arritur të realizojë vetëm 2% të buxhetit prej 40 milionë euro për investime kapitale të parapara për 2023.

“Me këtë ritëm, vështirë që arrin ta tejkalojë 50% të buxhetit, e lëre më të tejkalojë shifrën prej 40 milionë eurove. Prandaj edhe pretendimi se Komunës po i bllokohen investimet është totalisht joserioz, kur kihet parasysh që Komunës së Prishtinës çdo vit i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale”, ka shkruar Murati.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se janë 28.8 milionë euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon.

Ai ka kërkuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, që urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në të kundërtën ka thënë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Rama.