Dani Alves do të luajë me Paris Saint Germain për tre sezonet e ardhshme, ku do të përfitojë 27 milionë euro. Ky është lajmi i fundit i dhënë nga mediat spanjolle, sipas të cilave marrëveshja është arritur më 10 mars mes menaxheres së brazilianit Dinorah Santana dhe drejtuesve më të lartë të klubit parizien.
Në kontratë do të jetë një klauzolë, sipas të cilës në sezonin e fundit Alves duhet të luajë të paktën 20 ndeshje që të mund të përfitojë 9 milionë euro.
Barcelona është njohur vetëm javën e fundit për këtë parakontratë të Alves me PSG dhe drejtuesit katalanas nuk e kanë pritur mirë faktin që futbollisti brazilian ka nisur bisedimet me kampionët e Francës pa marrë më parë një ofertë nga ata.
Barça mund t’i ofronte mbrojtësit të djathtë deri 6 milionë euro në sezon, një shifër kjo ndjeshëm më e ulët se ajo e ofruar nga PSG.
Me largimin e mundshëm të Dani Alves, Barcelona mbetet zbuluar në krahun e djathtë, edhe pse në këtë rol Enrique ka në dispozicion Martín Montoya dhe Douglas Pereiran, që në fakt thuasje nuk janë aktivizuar fare nga trajneri asturian.