Mediat franceze e tronditën sonte opinionin në Kosovë duke e zbuluar një skandal të ndodhur në futbollin e këtushëm.
Mediumi “Le Figaro” e hodhi “bombën” i pari, duke zbuluar se nëntë persona, prej tyre katër kosovarë, janë arrestuar në Francë pasi akuzohen se janë përfshirë në kurdisje të ndeshjeve, të realizuara në bastore në Francë dhe në Kosovë.
E më vonë, mediumi i madh “Le Parisien” zbuloi se emri i klubit që akuzohet për përfshirjen në kurdisjen e katër ndeshjeve është Llapi nga Podujeva.
Sidoqoftë, llapjanët ndihen të pastër si loti dhe i kanë hedhur poshtë këto akuza.
“Nuk ka shanse të jetë Llapi. Këto janë informata të pabazuara dhe as që dua të merrem me to. Llapi dhe njerëzit e Llapit nuk kanë shanse të jenë të përfshirë”, deklaroi fillimisht trajneri i Llapit, Tahir Batatina për “Gazetën Express”.
“As nuk dua të merrem bile me këto gjëra sepse ndihemi shumë të pastër. Dikujt ndoshta po i pengon suksesi i Llapit”, përfundoi ai.
“Le Parisien” tutje shkroi se janë një grup prej 10 personash, mes moshave 22 e 50 vjeçare, të përfshirë në kurdisje të ndeshjeve, derisa i përmend si të përfshirë në trukime edhe drejtuesit e klubit llapjan, shtabin teknik dhe disa lojtarë. /Gazeta Express/