Analisti i njohur Nexhmedin Spahiu thotë për INA se partitë shqiptare në Maqedoni kanë përjashtuar vetveten nga negociatat që do të zhvillohen në Bruksel.
Analisti i njohur për çështjet e Ballkanit, Nexhmedin Spahiu theksoi për INA se partitë politike shqiptare janë vetë fajtore qe kane mbetur jashtë negociatave për zgjidhjen e krizës, sepse me qasjen e tyre në politikëbërje e kanë përjashtuar vetveten nga ky procesi.
Ai këtë e ka komentuar lidhur me negociatat e paralajmëruara midis VMRO-DPMNE dhe LSDM lidhur me krizën e thelluar politike.
“Partitë shqiptare e kanë përjashtuar vetveten nga ky proces. Nuk ka asnjë arsye tjetër. Shqiptarët më nuk janë faktorë për zgjidhjen e krizës sepse e kanë përjashtuar vetëveten nga proceset politike në Maqedoni, dhe janë treguar tepër shkurtpamës. Duke ia lëpirë këmbët partisë më të fortë maqedone, ato e kanë fshirë veten nga politikbërja në Maqedoni”, deklaroi për INA, analisti Nexhmedin Spahiu.
Ai më tej vlerëson se partitë kryesore shqiptare në Maqedoni nuk kanë bërë lojëra politike për interesa të komunitetit shqiptar, por thjeshtë i janë vardisur partisë më të fuqishme maqedone.
“ Me sjelljen e tyre ato kanë treguar se nuk ka arsye reale për t’u përfshirë në bisedime pasi ato i përfaqëson VMRO”, deklaroi analisti Spahiu.
Sipas tij, shqiptarët nuk shfrytëzuan momentet vendimtare të politikbërjes së tyre në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale, edhe pas rekomandimeve të Perëndimit dhe faktorëve shqiptarë.
“Kjo ka të bëjë pikërisht me zgjedhjet e fundit presidenciale, kur Perëndimi i ftoi shqiptarët të votojnë kandidatin opozitar maqedon Pendarovski në raundin e dytë, ata refuzuan. Këtë e kërkoi edhe Hashim Thaçi, por edhe kërkesa e tij u refuzua nga shqiptarët e Maqedonisë, sepse ata e dinin që do të fitojë Gruevski dhe nuk çanin kokën se kush do të jetë president i Maqedonisë, Kësisoj BDI dhe PDSH margjinalizuan vetveten dhe mbetën në mëshirën e Gruevskit. Tani për çfarë t’i ftojë Perëndimi në bisedime? Që ta ndihmojnë Gruevskin të cilin Perëndimi po përpiqet ta rrëzojë nga pushteti?! Nuk ka asnjë arsye. Thjeshtë shqiptaret nuk janë faktor për zgjidhjen e krizës, sepse e kanë përjashtuar veten nga proceset politike në Maqedoni dhe janë treguar tepër shkurtpamës”, nënvizoi analisti i njohur Nexhmedin Spahiu. (M.P/INA)