Vdiq ish-trajneri i Kroacisë dhe Prishtinës, Bllazheviq

E publikuar: 08/02/2023 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-trajneri i kombëtares së Kroacisë në futboll dhe i klubit Prishtina, Mirosllav Bllazheviq, ka vdekur më 8 shkurt në moshën 87-vjeçare.

Ai kishte udhëhequr Kroacinë në Kupën e Botës më 1998, duke zënë vendin e tretë.

“E gjithë familja e futbollit sot ka humbur ‘trajnerin e trajnerëve’”, tha Federata kroate e Futbollit.

Mirosllav Bllazheviq, i njohur si Çiro, vdiq në Zagreb pas një lufte të gjatë me kancerin.

Bllazheviq u lind më 10 shkurt 1935 dhe nisi karrierën e tij në futboll në vendlindje, Travnik, që gjendet në Bosnjë e Hercegovinë.

Në vitet ’60, ai nisi karrierën si trajner në Zvicër dhe u shpërngul në Kroaci më 1979, që atëbotë ishte pjesë e Jugosllavisë.

Në Kroaci ai udhëhoqi klubin Rijeka dhe më pas edhe Dinamo Zagreb, ekip me të cilin fitoi kampionatin e parë në Jugosllavi pas 24 vjetësh.

“Dinamo e vitit 1982 ishte arritja më e madhe në karrierën time si trajner”, kishte deklaruar Bllazheviq më 2021.

Nga viti 1994 deri më 2000, Bllazheviq ishte trajner i kombëtares kroate, duke korrur shumë fitore, përfshirë edhe zënien e vendit të tretë në Kupën e Botës që u mbajt në Francë më 1998.

Më 1985 deri më 1986 ai ka qenë trajner i klubit të Prishtinës, që garonte në ligën federative të ish-Jugosllavisë.

Klubi i futbollit Prishtina, ka çmuar lartë kontributin që Bllazheviq dha për ekipin e kryeqytetit kosovar.

“Ai erdhi te Prishtina si shpëtimtar dhe si i tillë u largua derisa e drejtoi gjeneratën e artë të Prishtinës. Bllazheviq e udhëhoqi me shumë pasion e dashuri Prishtinën në vitet e vështira të popullit tonë nën okupim, duke u dhënë zemër e bashkuar të gjithë shqiptarët përreth klubit dhe stadiumit të qytetit”, thuhet në reagimin e klubit Prishtina.

Bllazheviq, i cili u pensionua më 2015, ishte një figurë mjaft e dashur në mbarë ish-Jugosllavinë.