Trajneri Bernard Chalandes mund të mbështetet te të gjithë futbollistët pasi nuk ka probleme me dëmtimet.
Përfaqësuesja Armene e futbollit po vijon përgatitjet për sfidën kualifikuese të “Euro 2016” që do të zhvillojë ndaj Shqipërisë të Dielën e 29 Marsit në “Elbasan Arena”. Trajneri Bernard Chalandes mund të mbështetet te të gjithë futbollistët pasi nuk ka probleme me dëmtimet. Kombëtarja Armene do të mbërrijë në Tiranë këtë të Premte me një fluturim charter dhe seancat stërvitore që ka në program deri në ditën e ndeshjes do t’i zhvillojë pikërisht në Shqipëri. Ndërkohë nga vendgrumbullimi i përfaqësues armene foli për mediat mesfushori Gevorg Ghazaryan, i cili aktulisht është pjesë e skuadrës së Korfuzit në Superligën greke, ndërsa më parë ka mbajtur veshur edhe fanellën e Olympiacosit. Sipas Ghazaryan situata në të cilën ndodhet Armenia në Grupin I kualifikues nuk është e mirë dhe skuadra e drejtuar nga Chalandes në ndeshjet e mbetura do të zbresë në fushë vetëm për fitore. Edhe pse e pranoi se Shqipëria është një skuadër shumë e fortë mesfushori 26-vjecar theksoi se në “Elbasan Arena”, armenët do të kërkojnë vetëm 3 pikët.
“Shqipëria është një kundërshtare e rrezikshme edhe për kombëtare më cilësore se ne, prandaj nuk do ta kemi aspak të thjeshtë përballë tyre. Megjithatë ne tre ndeshjet e para të Grupit I kemi grumbulluar vetëm 1 pikë dhe nuk na lejohen më hapa falsë nëse duam të synojmë kualfikimin në kampionatin europian. Nuk kemi rrugë tjetër vecse të fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura”.
Në vijim Ghazaryan shtoi se Armenia fillimisht duhet të fokusohet vetëm te ndeshja me Shqipërinë. Në aspektin persoanal ai theksoi së është në 100% të formës së tij dhe do të japë maksimumin në takimin e kësaj të Diele. Për mediat armene foli edhe kapiteni i skuadrës si dhe futbolllisti me më shumë përvojë në kombëtaren e drejtuar nga Chalandes, portieri i Dinamos së Moskës Roman Berezovski. Ashtu si Ghazaryan edhe 40-vjecari e cilësoi thelbësore për ecurinë e Armenisë sfidën ndaj përfaqësues kuqezi. “Rruga jonë për të mbrritur në europianin francez kalon nga Shqipëria”, theksoi në përfundim Berezovski.