Ja çfarë u thanë gazetarëve kryeministrat Mustafa e Rama sot në Tiranë

E publikuar: 23/03/2015 16:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të hënën në Tiranë u zhvillua mbledhja e dytë e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Pas mbledhjes së përbashkët dhe nënshkrimit të një varg marrëveshjesh ndërmjet dy qeverive, kryeministri Isa Mustafa dhe kryeministri Edi Rama mbajtën një konferencë për gazetarë.

Gjeni të plotë fjalën hyrëse të dy kryeministrave, në konferencë:

Fjala e kryeministrit Isa Mustafa:

Faleminderit kryeministër Rama,

Ju falënderoj të gjithë juve që jeni këtu së bashku me ne.

Unë e konsideroj të rëndësisë së veçantë këtë mbledhje të përbashkët të dy qeverive, të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm nga fakti që ne arritëm të nënshkruajmë disa prej marrëveshjeve, memorandumeve, protokolleve, shumë të rëndësishme për ne, por edhe nga fakti që ne kështu po fillojmë të zgjidhim shumë nga problemet të cilat i kanë preokupuar qytetarët tanë, bizneset tona dhe ekonomitë tona gjatë kësaj periudhe.

Janë edhe çështjet që i përkasin zhvillimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, ato që i përkasin zhvillimit të arsimit në të gjitha nivelet, dhe veçmas ndihmesës sonë që duhet domosdoshmërish t’ua japim bashkatdhetarëve tanë dhe fëmijëve tyre që jetojnë anekënd botës, dhe të cilët kanë nevojë që të kenë qasje në zhvillimet kulturore-arsimore, dhe në zhvillimet tjera në vendet nga të cilët ata kanë shkuar atje.

Sot arritëm të nënshkruajmë pesë marrëveshje, katër memorandume, dy protokolle dhe një deklaratë të përbashkët, e cila do të mundësojë që zonën kufitare që ndërlidh Kosovën me Shqipërinë, ta lidhim edhe më tepër, që të krijojmë një komunikim shumë më të lehtë të njerëzve tanë, këndej dhe andej, dhe poashtu që t’iu ofrojmë shërbime publike, të japim qasje më të mirë në arsim, shëndetësi dhe që së bashku të zhvillojmë strategjinë e zhvillimit të përbashkët të kësaj pjese.

Ne e konsiderojmë të rëndësisë së veçantë nënshkrimin e marrëveshjeve në fushën e sigurisë dhe punëve të brendshme, sepse janë fusha të cilat mundësojnë lëvizjen shumë më të lehtë të qytetarëve tanë, do të mundësojnë po ashtu një kontroll më të madh, dhe një kontribut që ne do t’i japim sigurisë së përgjithshme, jo vetëm në dy vendet tona, por edhe sigurisë së përgjithshme në rajon dhe sigurisë globale.

Ka mundësi shumë më të mëdha që në fushën e ekonomisë të përfitojnë të dy palët më shumë, të përfitojnë njerëzit tanë edhe nga Kosova edhe nga Shqipëria. Bazë e kësaj është marrëveshja e cila është nënshkruar në fushën e financave, sepse është çelës tepër i rëndësishëm që neve të na lehtësohet bashkëpunimi i bizneseve, por po ashtu kjo do të mundësojë edhe realizimin e marrëveshjeve tjera të cilat pasojnë nga takimi i mëhershëm që është mbajtur vitin e kaluar në Prizren, dhe që konsideroj është arritur mjaft shumë nga të dy palët që të realizojnë këtë marrëveshje dhe ta shndërrojmë në punë konkrete, jo vetëm të institucioneve tona por edhe të qytetarëve tanë, të institucioneve tona arsimore, kulturore, shëndetësore, çfarë na bëjmë të jemi një në shumë nga këto fusha dhe të realizojmë interesat në dobi të qytetarëve të të dy vendeve.

Ju falënderoj shumë për këtë organizim të shkëlqyeshëm, për mundësinë që na e dhatë që ne të jemi së bashku këtu, që na ta përjetojmë një pranim vëllazëror në Tiranë dhe në Shqipëri, dhe po ashtu shpreh gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të vazhdojmë edhe më tutje edhe në fusha të tjera, pavarësisht se a do ta bëjmë në Prishtinë apo në Tiranë, është me rëndësi që ta bëjmë bashkërisht, që bashkërisht t’i kryejmë punët tona edhe në Bruksel, si synim themelor i dy qeverive, i dy vendeve dhe i dy popujve.

Faleminderit

Fjala e kryeministrit Edi Rama

Përshëndetje,

Ishte një mbledhje e pasur në përmbajtje dhe shumë e rëndësishme për nga volumi i angazhimeve të mëhershme.

Së bashku me kryeministrin Mustafa dhe pjesëtarë tjerë të të dy kabineteve nënshkruam sot një sërë marrëveshjesh të cilat kam besim të plotë se do të konsolidojnë proces paktin atë të bashkimit të të gjitha forcave dhe bashkimit të të gjithë institucioneve tona drejt qëllimit të përbashkët që është bashkimi ynë kombëtar përmes Bashkimit Evropian.

Marrëveshjet e sapo nënshkruara mbulojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, kontrollin e kufirit dhe dua të nënvizoj këtu një detaj të thjeshtë në dukjen e optikës institucionale mbase të papërfillshme por shumë të rëndësishme për qytetarët tanë, posaçërisht për qytetarët e Kosovës që i drejtohen Shqipërisë veçanërisht në sezonin e verës, se jemi plotësisht të angazhuar që pas kaq shumë vitesh ku kemi një situatë të mbingarkuar me radhë të stërzgjatura kilometrike këtë sezon po punojmë ta transformojmë që çdo pikë kalimi drejt Shqipërisë dhe, sigurisht kam parasysh këtu pikën kryesore të kalimit që është në Rrugën e Kombit, në një pikë pa radhë ku kontrolli të bëhet i rastësishëm ashtu siç bëhet në kufi të Bashkimit Evropian p.sh me Zvicrën.

Më tutje morëm hapat e domosdoshëm për bashkëpunimin ekonomik për nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë dhe firmosëm një memorandum të rëndësishëm mirëkuptimi edhe në mes të Ministrisë së Financave shtuar këtu edhe vendosja e urave të mëtejshme në fushën e bujqërisë. Jemi të vendosur që brenda vitit ti heqim të gjitha barrierat e natyrës administrative dhe të njehsojmë dokumentet zyrtare të nevojshme për tregtinë në mënyrë që sipërmarrësit të mos jenë të detyruar të punojnë me dy palë autorizime me dy palë dokumente kur është fjala për shkëmbime tregtare dhe posaçërisht per shkëmbimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, ku është e domosdoshme të veprojmë me shpejtësi dhe do ta bëjmë këtë për të njehsuar dhe njohur reciprokisht burimet e certifikimit.

Po ashtu do të shkojmë më tutje me ndërveprimin për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, ndërkohë që ecim më tutje mbi themelet tani më të vendosura me marrëveshjen e nënshkruar më parë mes dy ministrive të arsimit të unifikimit të sistemit tonë arsimor, dhe angazhimin themelor në rrugën e bashkimit të forcave të përpjekjeve të institucioneve të dy shteteve tona për të funksionuar si një forcë e vetme në shërbim të një populli, ku gjenerata tjetër meriton të shërbehet me pika referimi të përbashkëta në rrugën e integrimit tonë me njëri-tjetrin dhe në Bashkimin Evropian.

Dhe padyshim që po kaq e rëndësishme është edhe marrëveshja që u firmos mes Ministrive të Kulturës dhe Ministrisë së Diasporës së Kosovës, poashtu. Ndërkohë që një Deklaratë e përbashkët në fushën e zhvillimit të zonave ndërkufitare, që tanimë e kemi firmosur, do t’i jap një shtysë konkrete zhvillimore projekteve konkrete që do të dinamizojnë ekonominë në zonat kufitare, dhe do të krijojnë modele të integruara të zhvillimit ekonomik dhe social mes shqiptarëve në dy anët e vijës kufitare, në funksion të një transformimi të rëndësishëm, edhe të kulturës së projektit, me marrëdhënie edhe me Bashkimin Evropian.

Faktikisht me zona si Hasi, Tropoja, Gjakova e me radhë, ne duam që të vendosim një gurë të rëndësishëm themeli në funksion të zhvillimit të projekteve të përbashkëta me aktor publik dhe privat.
Deri tek dalja me përfaqësime të përbashkëta diplomatike, që sjellin procesin e bashkëpunimit Shqipëri – Kosovë në një fazë të re, guxuam dhe besoj se bëmë shumë mirë me konsullatën e përbashkët në Milano, së shpejti do të hapet në Munih, dhe shembulli që marrim dhe reagimi jashtëzakonisht i mirë i qytetarëve tanë, na imponon që ne të shkojmë më tutje me këtë proces, dhe të vazhdojmë të unifikojmë shërbimin tonë diplomatik edhe më me shpejtësi.

Përpara se t’ia kaloj fjalën kryeministrit Mustafa për të plotësuar bilancin e kësaj mbledhje të dytë të dy qeverive, dëshiroj të nënvizoj se qëllimi parësor dhe më i rëndësishëm i politikave të përbashkëta strategjike të dy qeverive, është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve tanë, përmirësimi i cilësisë së të jetuarit në hapësirën tonë të përbashkët, ku administrimin e bëjnë dy shtete, por ku aspiratat dhe interesat janë absolutisht të përbashkëta.

Falënderime të përzemërta kryeministrit Mustafa, në mënyrë të posaçme edhe ministrit të Jashtëm dhe Zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, z. Thaçi, për vendosjen në funksion të këtij procesi të gjithë eksperiencës së tij, dhe për punën intensive që ka zhvilluar bashkë me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, z. Bushati, në përgatitjen dhe në garantimin e arritjeve të kësaj mbledhje të dy qeverive, që mund ta them me plot gojën, është një moment i suksesshëm në rrugën e bashkëpunimit.

E di që fjala sukses është përdorur shumë nga ne shqiptarët në të kaluarën, kemi folur për dreka të suksesshme, por realisht kjo ishte një mbledhje me rëndësi të veçantë dhe u morën vendime që do të kenë peshë të veçantë në rrugëtimin tonë të përbashkët, në funksion të cilësisë së jetës së qytetarëve, dhe në funksion të rritjes së forcave sipërmarrëse në ndërveprim mes dy vendeve. /Telegrafi/