Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se nuk e ka lexuar propozimin franko-gjerman, “por në bazë të asaj që Vuçiç prezantoi në Këshillin e fundit të Sigurisë Kombëtare, “nuk ka bazë të mirë për të diskutuar të gjitha detajet e tij”.
“Nuk diskutohet se cila është zgjidhja politike, por interpretohet se zgjidhja tashmë është aty. Është i papranueshëm”, tha Daçiç për TV Vojvodina.
Ai tha se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun dhe të jetë konstruktive, por nuk është e gatshme të zhbllokojë pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Kryediplomati serb theksoi se për momentin nuk ka ndryshim në politikën e vendosur nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë.
“Duhet të kemi një qasje të kujdesshme dhe të balancuar”, shtoi Daçiç
Më 27 tetor, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media, pas përfundimit të takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe në kuadër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka bërë të ditur se Beogradi zyrtar tashmë po përgatitet të dërgojë përgjigje zyrtare Francës dhe Gjermanisë për propozimin franko-gjerman, duke theksuar se në këtë propozim të cilin Albanian Post, e kishte publikuar më 18 shtator ka gjëra që Serbia nuk mund t’i pranojë.
“Brenda 24 orëve do t’i dërgojmë përgjigje Francës dhe Gjermanisë, jemi gati të vazhdojmë dialogun, por ka gjëra që nuk jemi gati t’i pranojmë”, ka thënë Vuçiç në një konferencë për media.
Sipas Vuçiç, në propozimin franko-gjerman, i cili ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet se “palët janë të vetëdijshme se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit janë kushtet themelore për paqen”.
Sipas propozimit franko-gjerman në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.
Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.
Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka bërë të ditur se detajet e propozimit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, do të bëhen publike shumë shpejt.
“Unë besoj që shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit”, ka pohuar Escobar në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’.