“M’i montuan rastet”| Ish-ushtari e padit FSK-në, kërkon rreth 100 mijë euro dëmshpërblim (VIDEO)

E publikuar: 19/10/2022 00:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Si me e hekë një copë të shpirtit”, kështu e përshkruan dorëzimin e uniformës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Driton Imami.

Uniformën të cilën e veshi për herë të parë më 4 maj të 2009-ës, ai u detyrua ta dorëzojë më 13 qershor të 2022-ës, pasi që bordi i FSK-së vendosi për përjashtimin e tij nga ky institucion.

“Huuh, 13 vite në uniformë është sikur me e dorëzu një pjesë të shpirtit dhe me e lon aty. Mirëpo, për këtë arsye është ajo që po luftoj dhe deri në pikë të fundit kom me luftu”, tha ai për KIKS Kosovën.

Në këtë vendim, bordi i FSK-së nuk dha asnjë arsyetim të vetëm se pse e largoi Imamin nga ky institucion.

“Vendimi ka qenë shumë qesharak dhe arbitrar, thjesht ka qenë me i tregu forcat. Fatkeqësia jem u kon e vetmja që jam gjenerata e parë dhe nuk kemi pasë ngjoftësi dhe fatkeqësisht nuk jemi mbi 7-80 veta.”

Para se të përjashtohet, Imami u suspendua nga FSK-ja më 17 mars, vetëm pesë ditë pas rastit për të cilin ai u denoncua në Polici.

Imami thotë për KIKS-in se e gjitha nisi më 12 mars, kur eprori i tij, Aldenis Krasniqi, pretendon se u kërcënua verbalisht nga ai.

Këtë rast, të cilin Imami beson se është i montuar, Krasniqi e raportoi në stacionin e Policisë së Kosovës në Pejë e jo në Policinë e Forcës, çka përbën shkelje të Kodit Disiplinor të FSK-së.

“Kanosja nuk ekziston, sepse kanosja nuk është vërtetuar dhe nuk është marrë askush me të, se thjesht ne jemi kanë bashkë, vetëm. Me pasë dasht na kishim mujt çkado me i bo, mirëpo si një pjesëtar goxha i ledhatum, thjeshtë një kolonel nuk ka dashtë me ra shibël në to.”

Në ditën kur Krasniqi pretendon se ndodhi kanosja, Imami thotë se ka qenë ndihmës në Regjimintin e dytë të këmbësorisë, ndërsa Krasniqi oficer kujdestar në Komandave e Forcave Tokësore.

Pavarësisht kësaj, Bordi Disiplinor vendosi në favor të Krasniqit, duke e suspenduar Imamin, pa e dëgjuar fare versionin e tij.

Sidoqoftë, Imami vlerëson se vendimi për suspendimin e tij është në kundërshtim me Kodin Disiplinor të FSK-së.

Sipas nenit 14, paragrafit 2 të këtij kodi : “Asnjë sanksion disiplinor nuk mund të aplikohet për dyshimin e kryerjes së një vepre penale, e cila dënohet sipas legjislacionit penal, para marrjes së një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente.”

Si arsyetim për suspendimin e Imamit, bordi prëmendi edhe një koment, të cilin ai e kishte bërë në Facebook, dy ditë më vonë, më 14 mars, në lajmin për largimin e Sali Arifajt nga FSK-ja.

“Respekt për punën tënde dhe shërbimin tënd për 13 vite. E vërtetë që institucioni ka humbur me largimin tënd. Respekt që nuk u je dorëzuar sfidave deri më tani dhe fatmirësisht e ke dorëzu demobilizimin para ngjarjeve të fundit edhe askush nuk mundet me t’gjyku gabim.”

Ky koment dhe shpërndarja e postimit të Arifajt në Facebook, nga FSK u vlerësua si “Shpërndaje e dezinformatave të rënda”.

Por, kështu nuk mendon avokati i Imamit, Liridon Tafa.

“Jo, absolutisht, komenti i Dritonit nuk ka asnjë element denigrues ndaj FSK-së, ka pakënaqësi me të cilat ky është ballafaqu dhe të cilat nuk kanë të bëjnë dhe nuk e ka ataku institucionin në tërësi, por individët.”