Mbi pritjet ekonomike

E publikuar: 16/03/2015 11:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lumir Abdixhiku

Në shtatë vjetët e shkuar, që nga Shpallja e Pavarësisë, ekonomia kosovare ka qenë e trajtuar si temë e dorës së dytë. Dhe në dorë të dytë trajtohej edhe zgjidhja ekonomike e ofruar. Kështu herë me prezantime power-point e herë me qëndrime kuturu – gjithmonë me shpenzime të përtejme nga xhepi ynë – ky vend kishte shterur e djegur gjithë interesin ekonomik e investues që dikush mund të kishte pasur këndej

-1-

Nëse ka diçka që Kosova ka dëshmuar në mënyrë konsistente gjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë vjetëve të fundit, atëherë kualiteti i planifikimit dhe qartësimi i ecjes sonë zënë vendin e parë. Pak për shkak të mungesës së shprehisë për të shkruar – shumë më shumë për shkak të paditurisë për të projektuar – ecja jonë e deritanishme, në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, ka qenë pa plan; pa fije plani madje. Kështu, pa fije plani ne kemi formësuar shoqërinë, pa fije plani kemi bërë ekonominë, politikën, marrëdhëniet ndërkombëtare e vetë shtetësinë. Prandaj, sot, ne vazhdojmë të habisim veten e të tjerët me gjendjen në të cilën kemi ardhur – pa fije plani pra.

Nga të gjitha planet, planifikimi ekonomik mbetet më i domosdoshmi. Sepse në fund të fundit, për nga ekonomia e dobët dhe ikën kosovarët këtë herë; e do ta bëjnë përherë e sa herë të kenë mundësi. Deliret politike e romantizmat heroikë janë konsumuar kaherë. Gjeneratat të reja, madje, kanë për t’i konsideruar si monotone e të tejkaluara ngjarjet që të tjerët ua recitojnë përherë. Puna, mirëqenia, kualiteti i jetesës e vet vizioni perëndimor, përbëjnë ëndrrën e kosovareve këtë herë. Ata duan të jenë atje sa më parë që të jetë e mundur.

Në shtatë vjetët e shkuar, që nga Shpallja e Pavarësisë, ekonomia kosovare ka qenë e trajtuar si temë e dorës së dytë. Dhe në dorë të dytë trajtohej edhe zgjidhja ekonomike e ofruar. Kështu, herë me prezantime power-point e herë me qëndrime kuturu – gjithmonë me shpenzime të përtejme nga xhepi ynë – ky vend kishte shterur e djegur gjithë interesin ekonomik e investues që dikush mund të kishte pasur këndej. Përshkrimin më të mirë të mundshëm të ecjes sonë ekonomike në këto shtatë vjet shtetësi, çuditërisht e gjej jo në mesin e ne ekonomistëve, por në shkrimet e publicistit Surroi, i cili fenomenin ekonomik tonin në librin e tij të fundit e quan si marifet që “shet lirë e blen shtrenjtë”. Kaq kishim bërë në shtatë vjet.

Ekonomia kishte marrë qendrën e vëmendjes gjatë fushatës së fundit zgjedhore; dhe kjo mund të bënte një gjysmë lajmi të mirë. Gjysma tjetër përbënte havallëkun e tahminin që promovuesit i jepnin ekonomisë. Herë me vlerësime amatoreske për punësim, gjithmonë në garë për futkotizëm, propozimet zgjedhore ishin bërë parodi. Madje, propozimi më i përafërt i mundshëm vinte nga një parti satirike – Partia e Fortë – numrat e së cilës ishin ironikisht më të mundshëm sesa të secilës parti serioze (nëse kishte të tillë).

Prandaj dhe këtë javë, kur u prezantua plani i ri qeverisës – përfshirë dhe ai ekonomik – pjesa më e madhe e premtimeve nuk ishin për t’u parë askund. Hiç e habitshme, sinqerisht, nuk mund të më befasoj futkotizmi elektoral. E, meqë plani është formësuar tashmë, them t’ua bëj një vështrim atyre faqeve të publikuara sa për të rrumbullakuar me modesti pritjet për ecjen tonë ekonomike në katër vjetët në vijim.

-2-

Vështrimi i parë që del nga programi i Qeverisë së Republikës, është se nuk ka numra; fare madje. Ai ndonëse jep një përmbledhje të gjithanshme të problematikës socio-ekonomike dhe politike në vend, nuk arrin të përkthejë masat e veta në numra e indikatorë të matshëm, të cilët në fund do të shërbenin për vlerësim dhe matje të performancës. Mungesa e indikatorëve, rrjedhimisht, e bën këtë plan vështirë të interpretueshëm e të analizueshëm. Sepse shprehjet “më shumë”, “më mirë”, “më tepër” janë shprehje të përgjithshme që mund të aplikohen në secilën fushë dhe atë pa përcaktuar mirëfilli ndonjë trend të matshëm. Në vend të tyre do të kishte qenë shumë më mirë ofrimi i numrave e llogaritjeve që do të jepnin kështu një pasqyrë të saktë se si do të dukej Kosova në fundvitin e këtij plani, pra në vitin 2018.

Pra, do të kishte qenë mirë që kur flitet për ekonominë të tregohet sa do të jenë pritjet për rritjen ekonomike në tre vjetët e ardhshëm; kur flitet për punësim të tregohet se sa janë pritjet për vendet e reja të punës që do të krijohen në tre vjetët e ardhshëm; kur flitet për investimet e huaja të tregohet se sa do të jenë ato në fund të planit. Pra numerizimi i planeve dhe i deklarimeve do ta bënte planin më të plotë. Mosfutja e numrave, ndërkaq, mund të jetë bërë qëllimisht për të shmangur një vlerësim të performancës qeveritare në katër vjetët e ardhshëm; por për fatin e keq të prezantuesve, kjo matje megjithatë do të bëhet. Sepse sot, kur flasim tani, ne e dimë se rritja ekonomike mesatare në tre vjetët e fundit ka qenë rreth 3%, numri i të punësuarve vetëm 300 mijë, numri i të papunëve plot 700 mijë, deficiti tregtar plot 2.2 miliardë euro, investimet e jashtme vetëm 250 milionë, e paga mesatare në sektorin privat jo më shumë se 250 euro. Mbi këta numra do të bëhet dhe vlerësimi vit për vit – deri në fund; nëse dikush mendon të mërzitet ndonjëherë.

-3-

Gjithsesi, krahasuar me planin power-point të Banskos, ky dokument është më i elaboruar; dhe për fushën që unë njoh – ekonominë pra – është më gjithëpërfshirës; prek pra fusha të paprekura deri tani. Përfshirja e problematikës fiskale, e liberalizimit të tregut, dhe e investimeve i jep dokumentit një gjuhë ekonomike që ka munguar në programet paraprake.

Do ta ndaja vlerësimin e programit në dy pjesë, në anën pozitive dhe negative të tij. Ana pozitive ndërlidhet me idetë fiskale që prezantohen aty – fatkeqësisht ato mbesin gjithmonë pa numra gjithnjë. Por është ide e mirë heqja e TVSH-së për produktet bazike të shportës së konsumatorit kosovar. Risi e veçantë mbetet integrimi i ATK-së dhe i Doganës së Kosovës në një institucion të vetëm me qëllim të kalimit gradual të mbledhjes së TVSH-së nga kufiri në brendinë e territorit të Kosovës, një problem që ka munduar bizneset tash e sa kohë. Në këtë vijë, po ashtu ideja e lirimeve doganore për pajisjet e teknologjisë shërben si lehtësim sidomos për sektorin e prodhimit.

Në anën pozitive të programit do të fusja edhe qëndrimin e elaboruar për luftimin e ekonomisë joformale, ndonëse shpreh rezervë për mospërmendjen e një policie financiare, një trup të ri taksambledhës me të drejta dhe kapacitete shumë më të forcuara sesa inspektorët tatimorë. Po ashtu, fokusimi në investime të diasporës dhe përmendja e një mase lehtësuese për secilin investitor nga diaspora ofron një fushë të re investuese në vend. Lajm i mirë mbetet gjithashtu ideja e ndërtimit të termocentralit të ri dhe – paralel me të – ndërtimi i kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme.

Pra, në vija të trasha gjithsesi – siç edhe ishte prezantuar vetë plani madje – në katër vjetët e ardhshëm pritet që mekanizmat mbledhës të taksave të reformohen, dhe në këtë reformim ata të ndryshojnë edhe barrën që japin mbi bizneset – nëpërmjet mbledhjes së tatimeve mbi vlerën e shtuar në kufi. Gjatë kësaj kohe do të provohet luftimi i informalitetit e evazionit – pa specifikuar si e sa – dhe do të provohet ndërtimi i një bashkëpunimi shoqëror në mbledhje e shpenzime të taksave njëtrajtësisht. Në fushën e investimeve infrastrukturore, objektiv vendoset ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike, si dhe përfundimi i të gjitha rrugëve rajonale në Kosovë. Në fund të qeverisjes, pra, të gjitha qytetet kosovare pritet të jenë të ndërlidhura mirë. Ideja e financimit të këtyre ndërlidhjeve nga fonde jobuxhetore, pra nga alternativa të tjera financuese, e bën këtë koncept mjaft alternativ (në të mirë).

Në anën negative, ndërsa, do të fusja trajtimin sipërfaqësor të disa fushave që përmendën në program. I pari, dhe më i rëndësishmi ndoshta, mbetet mostrajtimi i detajizuar i çështjes së ndërmarrjeve publike në Kosovë. Nuk ka ndonjë detajizim të elaboruar mbi fatin e tyre, mbi menaxhimin e tyre, mbi depolitizimin e bordeve apo dhe vetëprivatizimin e tyre. Pra, ka shumë pak elaborim dhe ide për një ndër problematikat kryesore të Kosovës – vetë zaptimin ekonomik që vendi e ka kaherë.

Së dyti, prezantimi i fondit për punësim – ndonëse i elaboruar si qëllim – nuk përfshin ndonjë informacion të burimit të mjeteve për fond, relacionin e tij me ofertën bankare në vend, madje as përballjen e tij me nevojat zhvillimore në Kosovë. Për aq sa arrita të kuptoja, fondi synon të zëvendësojë ofertën bankare; që nuk më duket ndonjë ide me shumë ndikim – sidomos kur në Kosovë ka ofertë të mjaftueshme kreditore.

Së treti, funksionalizimi i zonave të tregtisë së lirë më duket një ide e panevojshme, marrë parasysh hapësirën e vogël që ka Kosova. Secili diferencim në këtë drejtim do të kushtojë shumë për rrethinat përreth. Nuk e shoh, pra, Kosovën aq të madhe sa për ta ndarë atë në zona të lira e jo të lira ekonomike.

Së katërti, nuk kam parë ndonjë elaborim të kursimeve buxhetore. Përtej përmendjes së nevojës për balancë buxhetore, nuk pashë ndonjë plan për shkurtim të shpenzimeve të tepruara publike, për zvogëlim të luksit qeveritar, për ulje të mbështetjes për institucionet publike që nënperformojnë e keqmenaxhojnë; e të ngjashme.

[email protected]
/koha ditore/