Bashkimit Evropain i duhet ushtria e tij për tu ballafaquar me Rusinë dhe me kërcënimet e tjera, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Duke argumentuar se NATO-ja nuk mjafton, meqë të gjithë anëtarët e aleancës mbrojtëse transatlantike nuk janë në BE, Juncker tha se ushtria e përbashkët e BE-së, po ashtu, do të dërgonte sinjale të rëndësishme në gjithë botën.
“Ushtria e përbashkët e BE-së do t’i tregonte botës se kurrë më nuk do të ketë luftë ndërmjet vendeve të BE-së”, i tha Juncker gazetës gjermane, Welt am Sontag, dhe ka shtuar se “një ushtri e tillë, po ashtu, do të ndihmonte për formimin e politikave të përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë dhe do të mundësonte që Evropa të marrë përgjegjësi në gjithë botën”.
Mëtutje, ai ka theksuar se “ushtria e përbashkët evropiane do të dërgonte mesazh të qartë te Rusia, se ne jemi seriozë në mbrojtjen e vlerave tona evropiane”.
Siç raporton agjencia Reuters, Britania së bashku me Francën, që janë ndër forcat kryesore ushtarake në NATO, kanë qenë të kujdesshme në mbështetjen më të fuqishme të rolit ushtarak të BE-së, për shkak të shqetësimeve se kjo mund ta dëmtoj NATO-n. /rel/