Kriza politike në Maqedoninë e Veriut, që pasoi zgjedhjet lokale të 17 dhe 31 tetorit, të cilat u fituan nga opozita maqedonase, por edhe dalja nga Qeveria e Lëvizjes Besa, ka nxjerrë një rezultat të barabartë në Kuvend, mes pozitës dhe opozitës, përkatësisht 60 me 60 sa i përket numrit të deputetëve.
Nisma e opozitës për mocionin e mosbesimit të Qeverisë kishte vënë në lëvizje partitë për sigurimin e votave.
Partitë në “vrap” për sigurimin e shumicës
Pushteti ditën kur në rend dite në Kuvend ishte mocioni, arriti të sigurojë shumicën pasi një deputet i opozitës refuzoi mocionin, ndërsa mohoi pretendimet e opozitës për shantazhe, kërcënime, e blerje nga partitë në pushtet, të cilat ndërkohë vazhdojnë negociata me partitë tjera për të rritur mbështetjen.
Një ndër to është edhe partia Alternativa me katër deputetë, e cila aktualisht është në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa ishte edhe pjesë e nismën për mocionin e mosbesimit të qeverisë së bashku me VMRO DPMNE-në.
Bilalli: Transferet e deputetëve, veprime joparimore
Duke komentuar lëvizjet e këtilla të partive, në veçanti të deputetëve që ndryshojnë pozicionet varësisht situatës politike, Mersel Bilallin, ish-deputet në disa përbërje parlamentare, tani profesor universitar, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo flet për humbjen e peshës së deputetit, transfere joparimore dhe rrënimin e sistemit të vlerave.
“Bëhet fjalë për shtet, i cili i tejkalon standardet dhe kornizat ballkanike sa i përket manipulimeve dhe keqpërdorimeve. E gjithë kjo reflektohet edhe në sfera tjera, përfshirë edhe kushtimisht thënë edhe shitblerjen e deputetëve apo transferet joparimore. Mendoj se meqë nuk kemi sistem të vlerave atëherë mbisundojnë antivlerat. Pra, antivlerat shndërrohen në diçka normale, praktike, të zakonshme dhe të preferueshme përkundër vlerave të cilat trajtohen si diçka e huaj, jo e zakonshme, jonormale, e kështu me radhë”, thotë Bilalli.
Tito Petkovski, ish-kryetar i Kuvendit dhe deputet në disa përbërje parlamentare, thotë për Radion Evropa e Lirë se deputeti në Maqedoninë e Veriut është shndërruar, sipas tij, në mjet në duart e partive për realizimin e synimeve për të ardhur me çdo çmim në pushtet.
Petkovski: Deputeti ka humbur kontaktin me elektoratin
Ai thotë se në këtë situatë është arritur edhe për shkak të sistemit zgjedhor proporcional, sipas të cilit, deputetët nuk kanë asnjë lidhje me elektoratin.
“Deputeti këtu te ne nuk është gjë tjetër pos mjet në duart e partive për ballafaqim me kundërshtarët sesa përfaqësues i popullit. Pra, kemi një ndërprerje të lidhjes mes deputetit dhe votuesve dhe deputeti tani është në duart e partisë për realizimin e qëllimeve të saj sesa të qytetarëve që e kanë votuar. Raste të këtilla ka edhe në vende tjera, por jo sikur te ne ku gjithçka tani është vulgarizuar dhe mund të ndodhë që brenda natës deputeti të ndryshojë mendjen për çështje të caktuara. Kjo nuk është aspak e dinjitetshme, pasi nuk ka të bëjë as me bindjet e tija, as me kulturën demokratike, e aq më pak me interesin e votuesve, por e gjitha kjo bëhet për interesa të partisë”, thotë Petkovski.
Albert Musliu, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se manovrimet e këtilla politike janë të domosdoshme për kapërcimin e krizës politike në të cilën ndodhet vendi.
Musliu: Numrat do t’i diktojnë zgjedhjet e parakohshme
Ai vlerëson se gjendja momentale është e paqëndrueshme dhe mund të rëndohet edhe më shumë që mund të çojë në zgjedhje të reja, por nëse ato do të mbahen apo jo varen nga disa faktorë.
“Sipas meje, kjo varet nga numrat e shumicës. Nëse numrat janë afër 60-s, apo 61 deputetë, sigurisht se kjo rrit gjasat për zgjedhje të reja. Nëse shumica ekzistuese rritet, gjithsesi se mundësitë e stabilitetit afatgjatë janë të mundshme. Kjo, gjithashtu, varet edhe nga disa zhvillime që i presim. Normalisht, nëse marrin datën apo nisim bisedimet e anëtarësimit evropian, sigurisht se kjo jep stabilitetit plotësues, apo nëse ka ndryshime në qeveri që do të rrisë efikasitetin e punës së saj kjo garanton një stabilitet më të gjatë”, thotë Musliu.
Por, pavarësisht nëse do të ketë ose jo zgjedhje, profesori Mersel Bilalli nuk pret kapërcimin e krizës politike dhe kjo, sipas tij, do të rrisë edhe më shumë manovrimet politike për të ardhur në pushtet.
“Në qoftë se nuk krijohet një shumicë parlamentare, atëherë me siguri se do të pasojnë bisedimet për t’u krijuar një qeveri teknike dhe në mars të mbahen zgjedhjet. Por, sërish mendoj se do të kemi dy fitues prej të cilëve nuk priten ndryshime spektakulare së paku në kualitetin e marrëdhënieve shoqërore, politike dhe ekonomike në vend”, thotë Bilalli.
Paqëndrueshmëria parlamentare është e pranishme që nga viti 2016, ku zgjedhjet e atëhershme nxorën një rezultat thuajse të njëjtë mes partive në pushtet dhe opozitë.
E njëjta u përsëritet edhe në zgjedhjet e vitit 2020 duke bërë që Maqedonia e Veriut të ketë krizë të vazhdueshme parlamentare.