Pafuqia e partive shqiptare për ta ndaluar zgjatimin e Listës Serbe brenda Kuvendit

E publikuar: 19/02/2021 16:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lista Serbe që kontrollohet nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u ka siguruar vota personave të caktuar nga parti të komuniteteve të tjera – që më pas të njëjtit të futen në parlament të Kosovës dhe të kontrollohen nga ta.

Kandidatja për deputete e komunitet boshnjak, Adriana Hoxhiq, ka arritur t’i sigurojë rreth 6400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit në komunat ku s’ka asnjë pjesëtar të komunitet boshnjak – votat i mori nga serbët.
Fuqizimin e kësaj liste në Kuvendin e Kosovës përmes kësaj forme, duke dirigjuar edhe deputetët të komuniteteve të tjera, përveç 10 deputetëve serbë që u garantohen si vende të rezervuara, e kanë diktuar, por s’kanë si ta ndalin partitë politike shqiptare,transmeton Telegrafi.

Ish-deputeti i Lëvizje Vetëvendosje, Fitim Uka, tha për Albanian Post se kjo parti edhe në të kaluarën ka pas rol destruktiv në Kuvend duke bllokuar shumë iniciativa ligjore.

“Dëshirojnë ta përforcojnë rolin e tyre në Kuvend dhe ta pamundësojnë kalimin e ligjeve për të cilat nevojiten 2/3 e deputetëve të Kuvendit”, tha Uka.

“Edhe po shihet qartë që ka qenë një strategji e Listës Serbe që t’i eliminojë figurat të cilat i përfaqësojnë komunitetet jo serbe në Kosovë”.

Uka thotë se Lista Serbe është ende e ndikuar nga Beogradi.

“Ne kemi bërë disa herë thirrje që komunitet jo shumicë në Kosovë t’i votojnë kandidatët të cilët e meritojnë”.

“Duhet të kontrollohet manipulimi i zgjedhjeve dhe të parandalohet, pasi në ditën e zgjedhjeve kemi pasur shumë raportime prej komisionarëve tanë në veri për votim të shumëfishtë atje”.

Por, pikërisht partinë e Ukës, sekretari për çështje elektorale i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, e akuzon se nuk e ka ngritur zërin për këtë temë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të sivjetme.

Sipas Gjoshit, rritja e Listës Serbe ka ndodhur me “bekimin e LVV-së”.

“LVV-ja që ka qenë më së shumti e përfaqësuar në KQZ në këto zgjedhje, nuk e ka ngritë zërin ashtu siç e kemi ngritë ne të kaluarën dhe nuk e kemi lejuar këtë çështje, me bekimin e tyre është bërë kjo rritje e Listës Serbe”, potencoi Gjoshi.
Madje, sipas Gjoshit, një gjë të tillë sipas tij kishte tentuar ta bënte edhe LVV-ja në vitin 2014.

“Si PDK sa kemi qenë të fuqishëm nuk i kemi lejuar këto tentativa, nuk është hera e parë që është tentuar, është tentuar qysh nga viti 2014 të krijohen subjekte politike që marrin mandate në emër të komuniteteve”.

“Një përpjeke që nga partitë shqiptare të merren mandatet e minoriteve, konkretisht nga Lëvizja Vetëvendosje”.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa Lista Serbe të funksionojë me instruksionet e Beogradit, nuk do të vije në dyshim qëllimi që të ketë fuqi më të madhe në legjislativ.

Ish-deputeti i kësaj partie, Faton Bislimi, konsideron që ndryshimi i Kushtetutës do ta rregullonte një gjë të tillë.

“Ne e kemi një Kushtetutë që ia ka dhënë këto të drejta dhe përderisa nuk arrijmë ta ndërrojmë kjo është e vetja mundësi. Unë besoj që asaj punë duhet t’i vije rendi shumë shpejt”.

Si të padrejtë tentimin e rritjes së Listës Serbe për t’u rritur duke i dëmtuar komunitet e tjera e sheh edhe nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.

“Nuk është në rregull kjo, sepse komunitet i kanë vendet e rezervuara edhe ashtu qysh parashihet me ligj. Është padrejtësi ndaj komuniteteve tjera në raste të tilla”.

Parlamenti i Kosovës ka 120 ulëse dhe 20 prej tyre janë të rezervuara për komunitetet – 10 për serbët dhe 10 për komunitetet e tjera.

Sa u përket ulëseve të serbëve ato fitohen të gjitha nga Lista Serbe, një parti politike e themeluar dhe e diktuar nga Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë.