Sot edhe zyrtarisht ka nisur transmetimi i linja 400 kv mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku u tha se vënia në operim e linjës do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm pozitiv në sigurinë e sistemit shqiptar.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se më në fund hidhet sot pas shumë përpjekjesh, një hap tejet i rëndësishëm për sektorin elektro-energjetik Shqipëri-Kosovë.
“Nisim më në fund operimin e pavarur të Kosovës, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri – Kosovë. Gjithashtu, nis transmetimin linja 400 kv mes dy vendeve, një vepër strategjike me impakt në rritjen e sigurisë dhe kapaciteteve elektro-energjetike të dy shteteve tona”, tha Rama, i cili ishte i pranishëm pranë dispecerisë së OST-së.
Kryeministri theksoi se arritën këtë ditë, e cila faktikisht nëse kthehemi pas edhe shohim historikun e këtij procesi ka marrë shumë kohë”.
“Ka qenë shkurti i vitit 2010, pra plot 10 vite më parë, kur qeveria e Shqipërisë ka miratuar një hua për ndërtimin e e linjës së transmetimit Shqipëri-Kosovë. Dhe sipas zotimit të ministrit paraardhës linja, e cila do të përfundonte brenda dy vitesh, ‘ishte një prej projekteve më të mëdha në historinë e dy vendeve tona, me potencialin e rregullimit të tregut të energjisë mes dy shteteve dhe më gjerë se kaq në rajon’. Duke hequr këtë pjesë të fjalës me të cilën pajtohem plotësisht dua të kujtoj se puna nuk filloi kurrë dhe për arsye të mosarsyes që nuk ka nevojë të qëndrojmë këtu gjatë, jo vetëm që asnjë gjë nuk nisi, por sistemi ynë elektroenergjetik vazhdoi të degradoj deri në pikën që u bë një barrë shtypëse mbi shpatullat e shtetit shqiptar e cila rrezikonte ta falimentonte financiarisht Shqipërinë”, tha Rama.
Kryeministri tha se “u desh viti 2014 që qeveria jonë të fillonte zbatimin e këtij projekti madhor dhe ne e mbyllëm projektin në vitin 2016”.
“Por këtu sot jemi pas 4 vitesh. 4 vite pas përfundimit të plotë të projektit. Kujtoj që kam qenë i pranishëm së bashku me mikun tim, Isa Mustafa, kur kemi lajmëruar përfundimin e projektit dhe linja nuk u vu në punë për një arsye që duhet thënë sot dhe që mbase u shërben atyre që në mënyrë të verbër kundërshtojnë përpjekjen tonë të vazhdueshme për të integruar qasjen ndaj të ardhmes të krejt rajonit”, tha Rama.
Kreu i ekzekutivit tha se “arsyeja ishte vetoja e Serbisë dhe faktikisht linja mbeti peng i një formaliteti në kushtet e mungesës të një vullneti politik”.
“Kosova për 4 vjet nuk mund të merrte një kod transmetimi nga Rrjeti Europian i Autoritetit të Transmetimit sepse pala serbe e pranonte ta njihte pavarësinë e rrjetit me kusht që të mbetej përsëri i varur nga Serbia. Ky është Shengeni Rajonal. Kështu zgjidhen problemet që kanë një rëndësi shumë të madhe dhe mbeten peng i fjalëve të mëdha, sherreve të mëdha”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne arritëm që duke hapur rrugën e një ndërveprimi në rajon dhe njehsuar qasjen edhe me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së dhe për sa i përket të ardhmes së rajonit ta heqim atë veto dhe të marrim mbrapsht këtë për të cilën jemi mbledhur sot, hapjen dhe vënien në funksion të këtij projekti që është një prej projekteve më të mëdha në historinë e dy shteteve tona, se jemi një vend me dy shtete”.
“Fundi i kësaj historie përmes shtypjes së një butoni të vetëm i jep jetë sot një hapësire të përbashkët të integruar energjetike mbarëshqiptare. Vënia në operim e linjës do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm pozitiv në sigurinë e sistemit shqiptar dhe do të rrisë konsiderueshëm kapacitetin e rrjetit të OST-së”, tha Rama.
Kryeministri citoi po ashtu detaje nga libri i Bernd J. Fischer, ku theksohet se gjatë Luftës së Dytë Botërore interesat e tregut kishin bashkuar në një hapësirë të vetme Shqipërinë dhe Kosovën, nën sovranitetin e atëhershëm italian. “Ishte periudha kur Shqipëria dhe Kosova jepnin e merrnin në mënyrë reciproke. Kosova mbulonte nevojën e Shqipërisë për produkte bujqësore, Shqipëria mbulonte nevojën e Kosovës për produkte blegtorale; Kosova mbulonte nevojën e Shqipërisë për qymyr, Shqipëria mbulonte nevojën e Kosovës për krom e hekur e me e radhë”, tha Rama.
Sot, vijoi ai, “ndodh ekzakt e njëjta gjë”. “Shqipëria gjeneron 97% të energjisë së saj nga HEC-et, Kosova gjeneron 97% të energjisë nga termocentralet. Mjafton të shohësh të dyja pamjet e të njëjtës medalje për të kuptuar se çfarë rëndësie strategjike ka kjo që sot është kthyer në realitet ndërveprimi në linjën e OST-së me KOSTT”, tha Rama.
Faktikisht, theksoi ai, “kjo do të thotë që ne sot jemi reciprokisht më të fuqishëm nga pikëpamja e kapaciteteve dhe për sa na takon si Shqipëri duke qenë se kemi një nivel kaq të lartë të prodhimit të energjisë së pastër, e cila në Europë përdoret për të ekuilibruar kuotat e karbonit, hapet perspektiva edhe përmes kësaj linje, pro edhe investimeve si Skavica dhe dy parqet e mëdha fotovoltaike në proces, të mundim të eksportojmë”.
“Në Kosovë sistemi ka kosto të lartë, rrjeti varet nga termocentralet. Njësoj si me Shqipërinë ku nuk ka fleksibilitet, pasi gjithë energjia e prodhuar ka për bazë ujin, në Kosovë nuk ka fleksibilitet për shkak se baza e prodhimit është ajo e termos. Mungesa e fleksibilitetit të sistemit e bën të pamundur racionalizimin ndaj ndryshimit të menjëhershëm të kërkesës. Këtu jemi në kushtet kur mund të fillojmë së bashku të racionalizojmë fuqinë tonë. Për herë të parë, falë kësaj linje, ne jemi në kushtet të programojmë më mirë administrimin e tepricave apo mangësive sezonale”, tha Rama.
Kjo është një kohë, tha Rama, “kur ne vijmë si shprehje e vullnetit sovran të dy qeverive sovrane, në dy shtete sovrane”. ‘Ky është shembull i qartë për të gjithë xhakajdurët tanë këtej e andej kufirit që vënë kujen patriotike për të penguar projekte ekonomike, të kuptojnë se çfarë do të thotë Shengeni Rajonal në thelb. Nuk është dorëzim i asnjë pavarësie dhe asnjë sovraniteti, por është fuqizim i sovranitetit. Ky projekt, ekzaktësisht historik, është shembëlltyrë e vënies në shfrytëzim të kapaciteteve të sovranitetit dhe pavarësisë së të dyja shteteve për të ndërvepruar me njeri-tjetrin në kushtet kur arrijmë të bëjmë politikë largpampëse”, tha Rama.
Ai theksoi po ashtu se “linja e tensionit të lartë mes OST-së dhe KOSTT, faktikisht sjell aplikimin e një koncepti të ri të operimit të sistemit elektroenergjetik shqiptar bashkë me bursën e energjisë”.
“Ajo që ka ka bërë OST dhe KOSTT në këtë periudhë për të arritur të shkelet butoni dhe të fillojë qysh prej mesnatës së mëparshme transmetimi, është shembull kuptimplotë për të gjithë ata që duan të kuptojnë në të gjitha fusha, është një gur kilometrik. Mbetem shumë besimplotë se hapësira e përbashkët shqiptare që është krijuar me vendosjen në operim të linjës do të jetë një shtyllë në historinë e krijimit të tregut rajonal që në të ardhmen e afërt patjetër do të jetë pjesë e rrjetit europian. Nuk është është fundi është vetëm vazhdimi i një rruge kjo që dëshmojmë sot, sepse fundi është shtrirja e plotë dhe integrimi i plotë që kalon përmes tregut rajonal”, tha Rama.