Masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19 që rezultoi me mbylljen totale të bizneseve ka dëmtuar në masë të madhe edhe prodhuesin e verërave “Daka Wine” në Rahovec. Kjo dhe importi i lartë i produkteve alkoolike ka bërë që prodhuesit vendorë të pësojnë shumë gjatë këtij viti.
Menaxheri i këtij bodrumi, Arian Daka deklaroi për KosovaPress se mbyllja e restoranteve dhe kafeneve ka ndikuar indirekt edhe tek ata.
Viti 2019 ishte i jashtëzakonshëm për “Daka Wine” që për cilësinë e produkteve të veta arriti të shpërblehet edhe me shumë çmime ndërkombëtare e këtë e konfirmon edhe vet Daka.
Mirëpo, ky vit solli telashe që me pranimin e rrushit pasi që nga pandemia stoqet e këtij bodrumi janë të stërmbushura dhe shitja e produkteve të tyre ka rënë deri në 75 përqind .
“Kemi probleme shumë të mëdha me pranimin e rrushit, për shkak se kemi stoqe të stërmbushura për shkak të pandemisë… 05:49 Viti 2019, njihet si një ndër vitet me të mira, me të suksesshme për kompaninë tonë, krahasimi i shitjes, viti 2020, që nga periudha e pandemisë, me atë të vitit 2019 është se ka rënie diku 70 deri 75 përqind të shitjes”, ka thënë Daka.
Ai ka thënë se një nga problemet që përballen bodrumet janë importi i produkteve të alkoolit dhe se për këtë Qeveria e Kosovës duhet t’i vendosë kuota Maqedonisë dhe Malit të Zi, pasi që me këto dy shtete përballen me së shumti.
Daka thotë se Kosova ka produkte të mjaftueshme të këtij lloji për të plotësuar nevojat e tregut të Kosovës, madje si zgjidhje për çështjen e importit, ai përmend rastin e Kroacisë që kujdeset për prodhuesit kroatë duke iu vendosur kompanive të huaja limite në sasinë e eksportit.
“Problemi kryesor që momentalisht përballemi, përballemi me import të madh, të mallrave si vera, rakia, produktet e alkoolit, që është import dukshëm i madh. Ndihmesa që kishin mundur të bëjnë, kishte me qenë vendosja e kuotave të shteteve fqinjë, qysh janë Maqedonia dhe Mali i Zi, pasi që me ta përballemi më së shumti. Kosova ka produkte për t’i ofruar këtij tregu dhe tregut të jashtëm. Si model mundemi me e marrë Kroacinë. Eksportin me të madh e bëjmë në Kroaci, si Kosovë, si Rahovec, mirëpo janë të vendosura kuotat, shembull, deri në 10 mijë litra në muaj e kemi të drejtën të eksportojmë në Kroaci, për arsye se shteti kroat i mbron interesat e vendit të vet, pa u shitur malli i tyre nuk e pranojnë mallin tonë. Të njëjtën mundet ta bëjë edhe shteti ynë, në raport me prodhuesit vendorë”, ka thënë Daka.
E ndonëse që Qeveria e Kosovës bën thirrje të shpeshta që bizneset të aplikojnë për grante, Daka thotë se bodrumi “Daka Wine” ka aplikuar plot 23 herë, megjithatë asnjëherë nuk ka marrë përgjigje pozitive për këtë.
Ai thotë se arsyeja, siç i kanë thënë, ishin dokumentet jo në rregull, megjithëse e quan të çuditshëm që 23 herë me qenë arsyeja e njëjte për mosdhënien e granteve për këtë bodrum.
“Biznesi ynë është si biznes familjar, i katërti i licencuar pas luftës, domethënë në Kosovë jemi ndër bizneset me të vjetra. Biznesi ynë, 23 herë ka aplikuar për skemë të granteve në disa ministri të ndryshme, prej 23 herëve, asnjëherë nuk ka marrë përkrahje. Jemi biznesi i vetëm që nuk kemi marrë asnjëherë përkrahje… Thuhet që si kemi përmbush kriteret, nuk ka qenë një dokument në rregull, nuk e ke pasur atë dokument, ose këtë dokument, por 23 herë me qenë e njëjta arsye, duket si pak e tepërt”, ka thënë Daka.
Daka thotë se problem tjetër që përballen vreshtarët është edhe gjetjen e punëtorëve, pasi që shumë prej tyre janë larguar në drejtim të shteteve perëndimore. /B.Hajdari/