FMN: Ndasitë politike do ta pamundësojnë rimëkëmbjen ekonomike në Kosovë

E publikuar: 09/10/2020 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qytetarët e Kosovës dhe ekonomia e saj janë goditur rëndë nga pandemia COVID-19, ndërsa politikat fiskale dhe financiare kanë zbutur ndikimin e goditjes në ekonomitë familjare dhe biznese, ndonëse mungesa e konsensusit politik deri më tani ka parandaluar një reagim më të fortë të politikave.

Kështu thuhet në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), derisa ka edhe vlerësime për mjetet e 10 përqind të Trustit.

Po ashtu, FMN vlerëson se ndasitë politike në Kuvend do ta komplikojë zbatimin e masave zbutëse dhe të rimëkëmbjes.

“Ndarjet politike mund ta komplikojë zbatimin e masave zbutëse dhe të rimëkëmbjes. Nga ana pozitive, progresi me vaksina dhe trajtime do të mund ta bëjë të mundur kthimin e lëvizshmërisë në nivele normale më shpejtë”, thuhet në raport.

Më tej në këtë raport thuhet se fokusi i politikave afatshkurtra duhet të jetë në sigurimin që sistemi shëndetësor të mund ta përballojë efektshëm kërkesën jashtëzakonisht të lartë për shërbime shëndetësore, duke vazhduar me mbështetje të të ardhurave.

FMN-ja parasheh një rënie ekonomike për sivjet 7.5 përqind.

“Në frontin ekonomik, BPV reale parashikohet të pësojë rënie prej 7.5 për qind më 2020 dhe të kthehet me 6 për qind më 2021.1 Rënia e rritjes në shtetet ku kemi prani të madhe të diasporës së Kosovës (-6 për qind në 2020), si dhe kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit do t’i kushtojnë Kosovës 6 pikë përqindjeje të BPV-së në të hyrat nga diaspora për vitin 2020. Kjo do të rëndojë efektin negativ në rritje nga rëniet e detyrueshme dhe vullnetare të lëvizjes brenda vendit dhe pasigurisë së shtuar”, thuhet në raport.

Ndërsa, për mjetet e kursimeve pensionale që parashihet tërheqja e 10 përqind me Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, FMN vlerëson se zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit.

“Përpjekja e jashtëzakonshme fiskale për vitet 2020 – 2021 duhet të ankorohet me veprime të besueshme konsolidimi, sapo të jetë stabilizuar rimëkëmbja ekonomike. Për t’u përgatitur për këtë, nevojitet një strategji e qartë komunikimi që nxjerr në pah natyrën e përkohshme të këtyre pagesave shtesë dhe transfereve aktuale. Për më tepër, duhet zbatuar reformat për rifokusimin e shpenzimeve sociale për të mbrojtur personat më të cenueshëm. Duhet të shmanget krijimi i përfitimeve pensionale shtesë, mbi skemat ekzistuese, pa një analizë të qëndrueshmërisë aktuariale të përfitimeve ekzistuese. Gjithashtu, tërheqja e propozuar e 10 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) minon Shtyllën 2, zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit, që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit”, thuhet në raportin përmbyllje të vizitës së misionit të FMN-së, i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, që zhvilloi një vizitë virtuale nga 23 shtator deri më 7 tetor në Kosovë.

Po ashtu FMN ka kërkuar nga Qeveria që ndarja e 60 milionë eurove nga fondi për rimëkëmbje për biznese, transferet në kompanitë private duhet të jenë të targetuara dhe transparente.

“Transferet e planifikuara prej 60 milionë euro (1 për qind e BPV-së) duhet të sigurojnë që mbrohen vendet e punës në kompanitë që do të mbesin aktive pas përfundimit të pandemisë. Kriteret për kualifikim duhet të jenë të qarta, dhe lista e përfituesve duhet të bëhet publike (në përputhje me legjislacionin). Projektimi i subvencioneve të mëdha për bujqësinë (prej rreth 1 për qind të BPV-së në vitin 2020, përfshirë masat e planifikuara të rimëkëmbjes) duhet të forcohet ashtu që të rritet transparenca dhe efektiviteti i tyre”, thuhet më tej në raportin e FMN-së.

Ky mision ndërkombëtar, vlerësim pati edhe për vendimet e BQK-së për t’i shtyrë pagesat e kthimit të kredive.

“Vendimi për t’i shtyrë pagesat e kredisë në mars rezultoi me një moratorium tremujor në pagesa të kredisë, që u shfrytëzua nga më shumë se 50 për qind e gjithsej kredive bankare. Me mbylljen e kësaj dritareje, në qershor, BQK lejoi aplikime për zgjatje dhe ristrukturim të kredive deri në 1 vit, në baza individuale. Pas mbylljes së kësaj dritareje, në shtator, u riprogramuan rreth 15 për qind e regjistrit të kredive bankare”.