Të enjten pasdite udhëheqësit e partive të koalicionit qeverisës në Kosovë do të mblidhen për të diskutuar funksionimin e tij pas lëkundjeve të kohëve të fundit që pasuan rifillimin e bisedimeve me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri Avdullah Hoti është përballur me kritika posaçërisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për shkak të mënyrës së udhëheqjes së bisedimeve dhe lënien anash të anëtarëve të saj në këtë proces, ndërsa theksi është vënë tek nevoja e shmangies së çdo procesi ku nuk janë të përfshira Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova dhe Serbia pritet të takohen më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë ku siç i tha Zërit të Amerikës përmes postës elektronike zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare, Grayson Vincent, “Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, do të jetë mikpritës i takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, bashkë me ambasadorin (Richard Grenell).
Shtetet e Bashkuara mezi presin këto diskutime të rëndësishme me presidentin serb (Aleksandër) Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, (Avdullah) Hoti. Shtetet e Bashkuara besojnë se përparimi në çështjet ekonomike është çelësi në përparimin e procesit të paqes”, tha ajo.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Zoti Grenell tha më pas se takimi do të bëhej në një datë të ardhme.
Analistët në Kosovë thonë ndërkaq se njoftimet për takimin e dy shtatorit e gjejnë vendin me mungesë të unitetit të brendshëm, gjë që rrezikon sipas tyre të dëmtojë seriozisht pozicionin e Kosovës në procesin e bisedimeve.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet disa ditë para takimit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel më 7 shtator, për të vazhduar bisedimet e rifilluara më 16 korrik.
Koalicioni qeverisës në Kosovë i cili u miratua në parlament më 3 qershor, vlerësohet i brishtë për shkak të votave të pakta dhe situata në vend ka bërë që të hapen diskutimet për mundësinë e zgjerimit të tij gjë që do të siguronte një konsensus më të gjerë edhe përballë bisedimeve./Lajmi.net/