Se diskutimet e takimit të 16 korrikut në mes të Avdullah Hotit dhe Aleksander Vuçiqit në Bruksel nuk kanë qenë të lehta, e thotë edhe nikoqiri, Josep Borell, raporton Gazeta Express.
Një gjë të tillë Borell e ka thënë në një shkrim në të cilin ka rrëfyer për atmosferën brenda takimit Kosovë-Serbi në Bruksel.
“Ne kemi shpenzuar të gjithë pasditen dhe orët e para të mbrëmjes në diskutime intensive me të dy partnerët. Këto nuk kanë qenë diskutime të lehta. Temat si personat e humbur dhe të zhvendosur janë tejet çështje emocionale dhe janë pjesë thelbësore e pajtimit”, thotë Borell, raporton Gazeta Express.
Ai ka treguar se gjithashtu në takim është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
“Kjo për mua është e ardhmja e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ata i përkasin të njëjtit rajon dhe janë duke rrugëtuar drejt të njëjtit destinacion -Evropës”, ka shtuar tutje Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell.
Ai thotë se në të ardhmen, njerëzit, kapitali dhe mallrat duhet të lëvizin lirshëm.
“Ata duhet të punojnë gjithashtu për zhvillimin e ekonomisë dhe infrastrukturës së tyre. Kjo është për përfitimin e dyanshëm dhe BE ka bërë mjaft përpjekje për të vendosur një kornizë për një bashkëpunim të tillë”, thekson spanjolli, raporton Gazeta Express.
Ndërmjetësuesi i negociatave thotë se puna e BE’së me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin vetëm sa ka filluar.
Në shkrim e sipër Borell gjithashtu ka treguar se në mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë ka pasur mospajtime, megjithatë thotë se është i impresionuar nga fakti se të dy palët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar dialogun.
“Ne iu kërkuam atyre që të dërgojnë ekipet e tyre në javën e ardhshme, kështu s’do të humbim kohë”, ka treguar Borell.
Ai ka treguar gjithashtu se në shtator do të jetë takimi i radhës Hoti-Vuçiq në Bruksel.
“Mezi pres të punoj me ta dhe jam shumë i lumtur që mund të mbështetemi në përvojën e gjatë diplomatike të Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajcak për këtë detyrë të ndërlikuar. Kemi shumë për të arritur së bashku për të mirën e Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, shprehet Borell
Përfaqësuesi i Lartë i BE’së gjithashtu ka falënderuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, për mbështetjen e dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës duke organizuar Samitin e Parisit.
“Ata i dhanë shtysën e fundit procesit për të nisur përsëri, faleminderit!”, shprehet Borell.
Ndër të tjera ai thotë se e ka bërë të ditur qysh në fillim që dialogu Kosovë-Serbi dhe Ballkani Perëndimor do të jenë prej prioriteteve kryesore të tij./GazetaExpress/