Ky është vendimi i plotësuar rreth reciprocitetit me Serbinë

E publikuar: 31/05/2020 12:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria në detyrë e Kosovës, ka plotësuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë, ku ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Ky është vendimi i plotë:

Vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës për plotësimin e masave të reciprocitetit me Serbinë:

Nr. 01/37

Datë: 30.05.2020

Në mbështetje të nenit 92 paragrafi 4 dhe të nenit 93 paragrafët (1), (2) dhe (4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 4 paragrafi 2.1 të Rregullores nr. 05/2020 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive dhe nenet 17 dhe 19 të Rregullores nr. 09/2011 të Punës së Qeverisë, dhe duke marrë parasysh Vendimet e Qeverisë nr. 01/14 të 20 marsit 2020 dhe nr. 01/20 të 31 marsit 2020, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 30 maj 2020, nxjerr këtë:

VENDIM

për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 01/20 të 31 marsit 2020 për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë

Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që:

1.1. përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi;

1.2. përmbajnë emra të vendeve në Republikën e Kosovës, por nuk përmbajnë emrin e shtetit;

1.3. i referohen Republikës së Kosovës përveçse me emrin Republika e Kosovës; ose

1.4. përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë ose sovranitetin e Republikës së Kosovës ose trajton Republikën e Kosovës si të pabarabartë.

Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë të përdorë emrin dhe stemën e Republikës së Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare.

Operatorët ekonomikë nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet me mallra që hyn në Republikën e Kosovës. Kërkesa për leje hyrëse i paraqitet zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi me letër ose përmes postës elektronike.

Nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi. Pa marrë parasysh formën e organizimit të saj në Serbi, një shoqëri e tillë mund të njihet, në përputhje me Ligjin nr. 06/L-016 për shoqëritë tregtare, si:

4.1. biznes individual i personit fizik që kontrollon shoqërinë, kur ka një person të tillë; ose

4.2. ortakëri e përgjithshme e personave fizikë që kontrollojnë shoqërinë, kur ka disa persona të tillë.

Detyrohen të zbatojnë këtë vendim:

5.1. Ministria e Financave dhe Transfereve;

5.2. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike;

5.3. Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike;

5.4. Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë;

5.5. Dogana;

5.6. Policia;

5.7. Inspektorati i Tregut;

5.8. Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve; dhe

5.9. institucionet e tjera përgjegjëse.

Ndryshohet, plotësohet dhe mbetet në fuqi për afat të pacaktuar Vendimi nr. 01/20 të 31 marsit 2020.

Ky vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.

ARSYETIM

Më 31 mars 2020, Qeveria e Republikës e Kosovës ka nxjerrë Vendimin nr. 01/20 për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Masat e reciprocitetit ose veprimit të ndërsjellë janë institut i marrëdhënieve mes shteteve sovrane, i njohur nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare dhe nga Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë (GATT) e vitit 1947, e ndryshuar më 1994.

Vendimi nr. 01/20 ka synuar mënjanimin e barrierave tregtare jotarifore që autoritetet në Serbi kanë vendosur ndaj Republikës së Kosovës, duke përfshirë barrierat në transit, barrierat teknike dhe barrierat politike. Pika 3 e Vendimit ka paraparë rishikimin e periudhshëm të zbatimit dhe përshtatshmërisë së masave të reciprocitetit.

Një grup ndërinstitucional, i ftuar nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, ka vëzhguar zbatimin e masave dhe ka identifikuar barrierat e vazhdueshme dhe të reja në marrëdhëniet tregtare me Serbinë. Grupi ndërinstitucional ka dorëzuar një raport vlerësues më 28 maj 2020, në të cilin i ka rekomanduar Qeverisë këto masa:

— të lërë në fuqi Vendimin nr. 01/20 ose ta shfuqizojë me supozimin se masat nga vendimi janë detyrim i qartë ligjor për institucionet dhe se institucionet duhet të vazhdojnë t’i zbatojnë ato;

— të obligojë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë emrin e shtetit në certifikatat fitosanitare dhe veterinare;

— të obligojë Doganën që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë të mos pranojë dokumente të cilat: (i) i referohet Republikës së Kosovës me kodin “XK”; (ii) përmendin emrin e qytetit në Republikën e Kosovës, por nuk përmendin emrin e shtetit; dhe (iii) përdorin kombinime të pabarabarta të emrave të shteteve, si p.sh. “Republika Srbija” në njërën anë dhe “Kosovo” pa cilësimin republikë në anën tjetër; dhe

— të sigurojë se Inspektorati i Tregut do të largojë nga tregu produktet e Serbisë që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke u kushtuar vëmendje të veçantë shenjave kombëtare të konformitetit.

Grupi ndërinstitucional ka identifikuar tutje barrierën që autoritetet në Serbi kanë vendosur ndaj transportit të mallrave, duke u kërkuar operatorëve ekonomikë nga Republika e Kosovës që të pajisen me leje hyrëse nga zyra ndërlidhëse në Prishtinë para se të hyjnë në territorin e Serbisë.

Krahas gjetjeve të grupit ndërinstitucional, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka vërejtur se autoritetet në Serbi nuk njohin personalitetin juridik të shoqërive tregtare të themeluara sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

Qeveria konstaton se barrierat e Serbisë po vazhdojnë të dëmtojnë eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës dhe të shkaktojnë deficit tregtar për Republikën e Kosovës.

Rrjedhimisht, duke u mbështetur në parimet dhe arsyet e sipërcekura, Qeveria vendosi të plotësojë si në dispozitiv masat e reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë.

Albin KURTI

Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës

U dërgohet:

— Zëvendëskryeministrit

— Të gjitha ministrive (ministrave)

— Sekretarit të Përgjithshëm të ZKM-së

— Sekretariatit të CEFTA-s

— Arkivit të Qeverisë