Komuna e Gjilanit e ka gati studimin e fizibilitetit për palestrën sportive dhe është në pritje të lehtësimit të masave në këtë situatë emergjente dhe pasi të ndodhë një lehtësim i tillë atëherë ata do të organizojnë një dëgjim publik me palët e interesit, ku edhe do ta shtjellojnë planin e tyre.
Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Valbona Tahiri, deklaron se investimet e sektorit privat në projektet të cilat iniciohen nga komuna janë të domosdoshme.
Ajo deklaron se pasi të mbahen dëgjimet publike atëherë lënda do të dërgohet për shqyrtim në Ministrinë e Financave dhe nëse merr aprovimin atëherë do të shpallet edhe tenderi, raporton KOHA.
Ndërkaq, opozita në këtë komunë do ta monitorojë këtë proces.
Ish-drejtori për Zhvillim Ekonomik nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Riad Rashiti, deklaron se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila qeveris me Komunën, në të kaluarën kishte kundërshtuar projektet e partneritetit publiko-privat ndërsa tani ka ndryshuar qasjen.
Ai thotë se nuk do të pranojnë këtë projekt në qoftë se zgjerohet dhe përfshin edhe pjesën e parkut i cili është i destinuar për qytetarët.