Gjykata Kushtetuese u ka rënë në gjurmë dokumenteve të quajtura “Punime përgatitore” për shkrimin e Kushtetutës, të cilat synon t’i ketë udhërrëfyes me rastin e shqyrtimit të çështjes së dekretit presidencial për mandatarin e Qeverisë. Vetëm pasi është sfiduar dekreti në Presidencë, dokumentet i kanë shkuar Kuvendit nga Arkivi i Kosovës më datën 14, që i bie dy javë pas sfidimit të dekretit të presidentit në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje. Më pas, ato i ka kërkuar Gjykata Kushtetuese, një kopje të të cilave tashmë e ka pranuar.
Por kryeparlamentarja Vjosa Osmani e ka hequr përgjegjësinë për vërtetësinë e këtyre dokumenteve. Kjo, meqë ato kurrë nuk janë publikuar në Gazetën Zyrtare apo në ndonjë burim tjetër zyrtar. Osmani u ka dërguar shkresë të hënën kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, dhe anëtarëve të tjerë, ku janë ngritur dyshime për vërtetësinë e këtyre dokumenteve. raporton KOHA.
“Kuvendi nuk mund të vërtetojë autenticitetin e këtyre dokumenteve dhe as nëse ndonjëherë ka pasur ndërhyrje në to; Kuvendi nuk mund të vërtetojë se kush i ka poseduar këto dokumente para se ato të dërgoheshin në Arkivat e Kosovës, si dhe nëse gjatë këtyre viteve ka pasur ndërhyrje në to”, shkruan mes tjerash në letrën e Osmanit, të cilën ka arritur ta sigurojë KOHA.
Ajo ka shtuar se Kuvendi i Kosovës nuk i ka pasur ndonjëherë këto dokumente, deri më 14 maj 2020, kur një kopje i është dhënë nga Agjencia Shtetërore e Arkivave. Osmani e ka përmendur faktin se ato nuk janë publikuar asnjëherë në Gazetën Zyrtare ose në burime të tjera zyrtare.
Sipas asaj që ka thënë kryeparlamentarja, Kuvendi ka vepruar vetëm si lehtësues komunikimi ndërmjet Arkivit të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese.
KOHA ka pyetur në Gjykatën Kushtetuese nëse do t’i marrin në konsideratë këto dokumente, pas vënies në dyshim të vërtetësisë së tyre nga Kryetarja e Kuvendit. Por ka munguar përgjigjja e tyre…