Nga“sponsorët” e pavarësisë së Kosovës, kanë besuar se Kosova vërtet do të pavarësohet. Nuk kanë pritur që për secilën hollësi, përfshirë edhe për probleme të brendshme, do t’i pyesin Amerikën apo Evropën se çfarë të bëjnë. Dhe këshillat e miqve, edhe atëherë kur nuk janë të nevojshme, dëgjohen në mënyrë selektive. Përfshirja e tepruar e faktorit ndërkombëtar në punët e brendshme të Kosovës, që është bërë më shumë nga vetë kosovarët sesa dëshira e të huajve që të përfshihen, dëshmon se politikanët kosovarë ende nuk kanë arritur nivelin e duhur të maturitetit për të udhëhequr një shtet të pavarur dhe të marrin përgjegjësinë e plotë
Para disa vjetësh isha në një takim me një diplomat të lartë amerikan. Ishte një bisedë e lirë, me kafenë e mëngjesit. Ai mundohej të më bindte se si Kosova duhet t’ua japë serbëve në veri një autonomi. Në fakt, thoshte se duhet dhënë diçka më shumë sesa që parasheh Pakoja e Ahtisaarit. Dhe ishte i vetëdijshëm se ajo që duhej dhënë serbëve nuk do të duhej të quhej autonomi. Sepse, e dinte ai, fjala “autonomi” tingëllonte keq në veshët e shqiptarëve të Kosovës.
Por, në anën tjetër thoshte se edhe “Ahtisaari” tingëllonte keq për veshët e serbëve. Pra, sipas tij, duhej gjetur një emërtim që nuk fillon me shkronjën A. As “autonomi” e as “Ahtisaari”. Për çudi, ishte i interesuar që të dëgjonte argumentet e mia pse nuk duhet të shkohet nga një zgjidhje e tillë dhe pse ajo është ide e keqe dhe e rrezikshme. Edhe pse unë nuk përfaqësoja askënd. Isha thjesht një gazetar, siç kam qenë gjithmonë që nga dita kur kam vendosur të merrem me këtë profesion. Dhe gjatë përvojës kisha mbuluar zhvillime të shumta, përfshirë edhe konferenca ndërkombëtare për procesin e zhbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe propozime për “statuse speciale” të disa rajoneve, edhe Konferencën e Rambouillietit dhe shumë e shumë të tjera. Nuk është që nuk kisha ide, sepse secili shqiptar, çfarëdo profesioni të ketë, mund të ketë mungesa të shumë gjërave, por jo edhe të ideve.
Mendimi im ishte se Pakoja e Ahtisaarit ishte maksimumi që Kosova mund të pranonte në rregullimin e vet shtetëror. Se ajo pako, e cila ishte edhe bazë për Kushtetutën e Kosovës, u jepte serbëve shumë të drejta dhe u siguronte një mbrojtje të duhur si atyre si komunitet joshumicë, ashtu edhe asaj që quhej trashëgimi kombëtare dhe fetare e serbëve në Kosovë. Dhe kjo pako e bënte Kosovën shtet të cunguar në funksionim, pa mundësi që të bëjë ndonjë ndryshim rrënjësor të Kushtetutës pa pajtimin e serbëve, por kosovarët e kishin pranuar si kompromis për të arritur pavarësinë. Dhe mendimi im ishte se nuk duhet kurrsesi të pranohet qasja e Serbisë se “shqiptarët kanë fituar gjithçka, ndërsa serbët dhe Serbia kanë humbur gjithçka, e tash duhet gjetur një version sipas të cilit të gjithë humbin diçka”. Sepse po të pranohet një qasje e tillë, Beogradi asnjëherë nuk do të jetë i kënaqur.
Biseda ishte interesante, e lirë dhe pa asnjë obligim. As për mua e as për bashkëbiseduesin. Por, sikur nga secila bisedë me diplomatë, qoftë edhe nga ato të mbrëmjes në ndonjë pub kur pimë birra dhe shikojmë futboll, mëson diçka që në një moment të hyn në punë për t’i kuptuar gjërat, edhe ajo bisedë më kujtohej ku dëgjova se qysh në periudhën e presidentit Obama, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin në favor të një zgjidhjeje e cila do të duhej t’u jepte një “status special”, “trajtim të veçantë”, “autonomi” apo diçka me ndonjë emërtim tjetër serbëve në veri të Kosovës. Nën administratën e Obamas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin hequr dorë nga kërkesat drejtuar Serbisë se duhet njohur pavarësinë e Kosovës. Edhe publikisht kishin shpallur se me Beogradin kanë një marrëveshje se “pajtohen që të mos pajtohen” kur është fjala për Kosovën. “We agree to disagree” – ishte në gjuhën angleze kjo qasje. Pra, SHBA-ja do të vazhdonte ta ndihmonte Kosovën në forcimin e shtetësisë së saj, ndërsa Serbia do të vazhdonte që ta kundërshtonte pavarësinë e Kosovës, dhe kjo nuk do të ndikonte në raportet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pse është e rëndësishme kjo? Për të kuptuar se miqësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovën nuk do të thotë armiqësi ndaj Serbisë. Dhe qëndrim të tillë kishin edhe shtetet e tjera që ishin sponsoruese kryesore të shtetësisë së Kosovës. E njihnin Kosovën si shtet, ndihmonin forcimin e shtetit, dhe në të njëjtën kohë forconin edhe miqësinë me Serbinë.
Sot, kur bëhen krahasime me vendet që e kanë njohur dhe ato që nuk e kanë njohur Kosovën, duhet konstatuar një gjë. Ato që nuk e kanë njohur Kosovën janë kundër Kosovës si shtet, ndërsa ato që e kanë njohur Kosovën nuk janë kundër Serbisë.
Një fakt, tjetër duhet ta kenë parasysh në Kosovë, po ashtu. Ai është se ndihma që shumë shtete perëndimore i dhanë Kosovës, si ndërhyrja e NATO-s, ashtu edhe njohja e shtetësisë dhe argumentimi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të saj, ishin jo vetëm rezultat i miqësisë së Kosovës me ato shtete, por edhe reflektim i faktit se Kosova kishte të drejtë. Pra, ata nuk e ndihmonin një “popull mik”, apo disa politikanë që kishin siguruar mbështetjen e tyre, por një kërkesë të drejtë të kosovarëve për liri dhe pavarësi. Dhe, për dallim nga disa lëvizje të tjera nëpër botë dhe Evropë, kërkesa për pavarësi ishte e barabartë me atë për liri. Sepse e gjithë historia e shqiptarëve në Kosovë kishte dëshmuar se pa pavarësi nuk do të mund të kishte liri.
Kosova është tepër e vogël që të mund ta quajë veten “aleate” e fuqive të mëdha botërore. Dhe po të gabonte Kosova në historinë e saj, po të ishte zhytur në terrorizëm apo në ndonjë aventurë tjetër, po të mos kishte dëshmuar se kanë provuar me të gjitha mjetet paqësore të fitojnë lirinë dhe pavarësinë, vështirë se do ta kishte mbështetjen ndërkombëtare që ka pasur. Kauza e drejtë ka bërë që Kosova, deri me tash, ta ketë mbështetjen ndërkombëtare.
Por, ata që kanë mbështetur Kosovën kanë besuar se Kosova do ta forcojë shtetësinë e saj. Se do të japë një shembull të mirë të sundimit të ligjit. Se do t’i çmojë vlerat e lirisë dhe demokracisë. Nuk kanë besuar se Kosova, sipas vlerësimeve, jo të armiqve por të miqve më të mëdhenj të saj, Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Komisionit Evropian, ka lejuar zhvillimin e krimit të organizuar, lidhjen e krimit të organizuar me strukturat politike. Madje ka shtete që mendojnë se Komisioni Evropian e zvogëlon dukshëm problemin e krimit të organizuar në Kosovë. Dhe ato janë shtete që e kanë njohur pavarësinë. Ato shtete për këtë arsye edhe nuk do të lejojnë liberalizimin e vizave. Sepse mendojnë se Komisioni Evropian “nuk e thotë të vërtetën kur konstaton se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret”. Dhe mendojnë se nuk ka rezultate në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, se nuk ka sa duhet as aktakuza, as dënime e sidomos jo konfiskime të pasurisë së kriminelëve të lidhur me strukturat politike në nivelin më të lartë. Pra, edhe miqtë e Kosovës, amerikanë e evropianë, gjermanë, francezë e holandezë, dyshojnë se Kosova ka elemente të “shtetit të kapur”. Nuk e mendojnë këtë, sepse nuk ia donë të mirën Kosovës. Përkundrazi, ia donë të mirën Kosovës, prandaj edhe tërheqin vërejtjen për problemet më të mëdha që ka Kosova. E problemi më i madh në Kosovë janë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Për momentin është koronavirusi, por ai do të kalojë dhe pasojat e tij do të jenë ndoshta më afatshkurta sesa ato të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Miqtë e Kosovë kanë besuar se Kosova do të ketë liderë që do të jenë të gatshëm të veprojnë dhe të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre. E jo që të vazhdojnë të kërkojnë që ata që i quajmë “miq ndërkombëtarë” të përfshihen në çështjet e brendshme të Kosovës. Aq më pak se do të bëjnë një ndarje mes miqve, që për herë të parë të kemi pohime nga LDK-ja se “Qeverinë e rrëzuam sepse ishte antiamerikane”, ndërsa për herë të parë Gjermania dhe Franca të bëjnë thirrje publike që të mos rrëzohet Qeveria në kohë pandemie.
Aleatët, apo thënë më saktë “sponsorët” e pavarësisë së Kosovës, kanë besuar se Kosova vërtet do të pavarësohet. Nuk kanë pritur që për secilën hollësi, përfshirë edhe për probleme të brendshme, do t’i pyesin Amerikën apo Evropën se çfarë të bëjnë. Dhe këshillat e miqve, edhe atëherë kur nuk janë të nevojshme, dëgjohen në mënyrë selektive. Përfshirja e tepruar e faktorit ndërkombëtar në punët e brendshme të Kosovës, që është bërë më shumë nga vetë kosovarët sesa nga dëshira e të huajve që të përfshihen, dëshmon se politikanët kosovarë ende nuk kanë arritur nivelin e duhur të maturitetit për të udhëhequr një shtet të pavarur dhe që të marrin përgjegjësinë e plotë.
Në atë bisedën e përmendur të fillim të tekstit diplomati i lartë amerikan pati edhe një vështrim interesant për politikanët shqiptarë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. “Më së shumti na shkojnë në nerva kur na pyesin edhe për gjërat që neve nuk na takojnë. Dhe kur ne ju themi se nuk është çështje jona, ata insistojnë që ne të themi mendimin tonë. Dhe e dyta herë kur na shkojnë në nerva është kur ne u themi mendimin tonë, e ata veprojnë krejt të kundërtën”. Në pyetjen time: “A vërtet bëjnë diçka kundër asaj që u thoni ju?”, ai u përgjigj: “Natyrisht, shumë bile. Më pak në Kosovë sesa në Shqipëri. Në Shqipëri gjithmonë e bëjnë të kundërtën, sepse shpesh nuk u pëlqen ajo që themi. Në Kosovë na dëgjojnë më shumë, por ka shpesh raste kur nuk na dëgjojnë”.
Këto ditë në opinionin e Kosovës flitet shumë për arsyet pse LDK e rrëzoi Qeverinë. Për mendimin tim kjo qeveri as nuk ishte dashur të formohej. LDK asnjëherë nuk kishte qëndrim të sinqertë për formimin e saj. Në fillim e zvarriti procesin e krijimit të Qeverisë vetëm pse i frikësohej fajësimit se negociatat do të dështonin për fajin e saj. Dhe tash e rrëzoi, sepse i erdhi rasti. Por ja se LDK po pohon se rrëzimi kishte të bënte me faktin se në Amerikë u paskan thënë se Albin Kurti nuk mund ta udhëheqë delegacionin e Kosovës në dialog me Serbinë. Pyetja duket më e pavend sesa përgjigjja. Nëse LDK fare ka pyetur e nëse ka marrë vërtet një përgjigje të tillë është diçka që është vështir të duhet me saktësi. Por, sikur LDK-ja ta kishte bërë një pyetje të tillë në Bruksel, gjasat janë të mëdha që përgjigjja do të ishte se edhe BE-ja do ta preferonte Hashim Thaçin si udhëheqës të Kosovës në dialog. Sepse me Thaçin kanë përvoja të mira në dialog, sa u përket vetë takimeve, por jo edhe aq të mira në përmbushjen e obligimeve që ai i ka marrë në dialog. Simpatitë për Hashim Thaçin në Bruksel si person shumë konstruktiv në dialog kanë qenë që nga fillimi i tij. E ato janë rritur shumëfish kur për herë të parë në Bruksel në cilësinë e kryeministrit të Kosovës kishte ardhur Ramush Haradinaj. Paraqitja e tij jokonvencionale, akuzat ndaj BE-së se e ka tradhtuar Kosovën, kërkesat që në dialog të përfshihen amerikanët, dhe mënyra se si e kishte bërë këtë, kishte rezultuar me bindjen në Bruksel se “sa i mirë qenka Thaçi”.
Por edhe miqtë e Kosovës e dinë se është Kosova ajo e cila duhet ta caktojë kush do ta përfaqësojë në dialog. Këtë nuk e bën as Beogradi, as Brukseli e as Washingtoni.
Ta zëmë se në Washington LDK-së vërtet i është thënë se kryeministri i Kosovës nuk duhet ta udhëheqë dialogun. Çfarë ka thënë LDK-ja? Sepse miqve duhet thënë atë që mendoni. Dhe kur mendoni se miqtë e kanë gabim, duhet t’i bindni ata që të ndërrojnë mendjen. Pa marrë parasysh luftën e brendshme politike të të gjithëve kundër Vetëvendosjes, në këtë moment në Kosovë do të duhej të bëheshin bashkë të gjithë dhe ta bindin ambasadorin e Trumpi, Richard Grenell, se e ka gabim kur ia mohon Kosovës të drejtën në reciprocitet. Sidomos kur miqtë më të mëdhenj të Kosovës në SHBA, të dëshmuar tash e sa vjet, emrat e të cilëve mbajnë edhe rrugët dhe sheshet në Kosovë, e kritikojnë Grenellin për një qasje të tillë.
Po ashtu, lidershipi i Kosovës nuk është dashur kurrë të pranonte krijimin e Gjykatës Speciale. Është dashur të argumentonte se ajo është e dëmshme dhe e padrejtë. Do të ketë pasoja historike për Kosovën, sepse ajo do të gjykojë vetëm krimet e dyshuara se i kanë bërë personat e UÇK-së. Çfarëdo që të thotë dikush në Kosovë në këto momente kur nuk ka debat racional, kjo gjykatë është krijuar me insistimin e miqve të Kosovës. Është pranuar, negociuar dhe votuar nga ish-udhëheqësit e UÇK-së, dhe është duke hetuar vetëm krimet e supozuara të bëra nga personat e UÇK-së.
Kosovarët, më saktësisht ish-pjesëtarë të UÇK-së, janë të vetmit për të cilët edhe pas Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, edhe pas gjykatave të EULUX-i, gjykatave të UNMIKU-t dhe gjykatave vendore, duhet të ketë një strukturë jashtë Kosove që do t’i gjykojë rastet që dyshohen t’i kenë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Por liderët kosovarë duket se nuk kanë pasur fuqinë e duhur që ta parandalojnë krijimin e kësaj gjykatën speciale. Sepse nuk kanë mundur të garantojnë se në Kosovë ka gjykata të pavarura, se mund të mbrohen dëshmitarët, dhe se askush nuk do të jetë mbi ligjin.
Dhe po, një ambasador amerikan, Clint Williamson, ka thënë pas hetimeve se ai pajtohet me senatorin Dick Marty se ka pasur “nxjerrje organesh” të viktimave serbe. Edhe pse ai pati pranuar se nuk ka gjetur dëshmi të forta për këtë, ai tha se ka mjaft arsye për të besuar.
Nuk është kurrfarë rreziku për politikanët kosovarë t’i kundërshtojnë pohimet e tilla të një personi që mban titullin ambasador dhe që është edhe amerikan. Por kjo duhet të bëhet me argumente.
Problemi i Kosovës është se ka liderë të cilët kontaktet me zyrtarë ndërkombëtarë i shfrytëzojnë për përfitime personale dhe partiake e jo shtetërore. Dhe kjo nuk ka ndryshuar ende për fat të keq. Kjo deri vonë ka qenë e pakuptueshme dhe tash është bërë edhe e rrezikshme.