Senati miraton paketën e ndihmës ekonomike prej afro 500 miliardë dollarësh

E publikuar: 22/04/2020 03:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Senati amerikan miratoi një paketë ndihme ekonomike prej afro 500 miliardë dollarësh të martën, pasi Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë ranë dakord për të ripërtërirë një fond pagash për biznesin e vogël dhe siguruar fonde të reja për spitalet dhe testimin.

Projektligji tani shkon në Dhomën e Përfaqësuesve për votim. Votimi në Senat ishte i shpejtë dhe unanim. Presidenti Trump shprehu mbështetje në rrjetin Twitter ndërsa premtoi se do ta firmostë atë në ligj.

“Senati po vazhdon të qëndrojë pranë popullit amerikan”, tha udhëheqësi i shumicës republikane në Senat Mitch McConnell. Paketa e ndihmës ekonomike përfshin qindra miliardë dollarë fonde të reja për bizneset e vogla të dëmtuara nga shpërthimi i koronavirusit si dhe përparësi të tjera, si fonde për spitalet dhe zgjerimin e testeve për COVID-19. Dhoma e Përfaqësuesve pritet ta vojë projektligjin të enjten.

/Top Channel/