Enver Hoxhaj, deputeti dhe anëtari i kryesisë së PDK-së ka thënë në DESK të KTV-së se PDK-ja do të jetë në qeveri vetëm kur t’i fitojë zgjedhjet dhe kur të dalë subjekti i parë dhe “me kushtin e vetëm që PDK-ja ta udhëheqë qeverinë”.
“Pritjet tona janë këto: Nuk hyjmë në qeveri për t’u bërë pjesë e dikujt dhe po punojmë në mënyrë intensive t’i fitojmë zgjedhjet dhe kryeministrin ta ketë PDK-ja”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka shtuar se PDK-ja është në kërkim të vetvetes në politikë. “Jemi në komunikim me qytetarë të shtresave të ndryshme, me të rinj, të reja, profesionistë të ndryshëm, derisa ta kemi një kauzë të re politike, një program të ri, një vullnet të qartë se çfarë dëshirojmë të bëjmë”, ka thënë ai.
Ai është shprehur i sigurt që kurdo të mbahen zgjedhjet, PDK-ja do të dëshmohet si subjekt serioz. Por, ka shtuar se ajo për të cilën ka nevojë vendi, nuk është një Qeveri në detyrë.
“Nuk besoj që duhet ta kemi një situatë, kur për muaj të tërë qëndron një Qeveri në detyrë. Në interpretimin tonë të Kushtetutës, zgjedhje nuk mund të ketë”, ka thënë ai.
I pyetur rreth kësaj, Hoxhaj e ka elaboruar: “Jo çdo mocion i mosbesimit nëkupton zgjedhje të reja. Ka një mekanizëm në Kushtetutë të Kosovës ku janë tri situata, ku mund të shkohet automatikisht në zgjedhje të reja. Së pari nëse dështon zgjedhja e Presidenti në tri runde, së dyti nëse dështon formimi i qeverisë në dy runde brenda 60 ditësh dhe së treti nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur ta shpërbëjnë Kuvendin dhe t’i japin fund mandatit të tyre”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka folur edhe rreth dialogut. Ka thënë se ai nuk ka shkuar mirë.
“Prej 2011-tës deri më 2014-tën, eventualisht 2016-tën ka pasur progres në dialog. Prej 2016-tës kur opozita e asokohshme nisi të sillet dhunshëm, t’i përdorë temat e politikës së jashtme për politikë të brendshme… realisht dialogu nuk i ka shërbyer më Kosovës. Por, mendoj që kur je në qeveri, nuk mund të zgjidhësh punët që dëshiron t’i kryesh dhe cilat jo”, ka thënë ai.
21:08
Hoxhaj: Për PDK-në, një marrëveshje potenciale për këmbim territoresh do të ishte e papranueshme
Deputeti dhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, në DESK të KTV-së Hoxhaj ka thënë se për partinë e tij, një marrëveshje që do të përfshinte shkëmbim territoresh do të ishte e papranueshme.
“Jo, e kemi thënë. Kemi qenë super të qartë. Për më shumë, ka të bëjë me identitetin e PDK-së. Kemi pasur një rol të caktuar në faza të caktuara në të cilat ka kaluar Kosova. Jemi parti e themeluar prej UÇK-së dhe misioni i saj ishte çlirimi i territorit të Kosovës në këta kufij. Kemi pasur fatin ta menaxhojmë procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ta zbatojmë Pakon e Ahtisaarit. Dhe, qëndrimi ynë ka qenë i qartë”, ka deklaruar ai.
Ai më parë ishte pyetur nëse do të duhej pranuar këmbimi i territoreve. Është përgjigjur se më 2018-tën ka pasur qëndrim të presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve dhe jo për shkëmbim të territoreve.
Hoxhaj në DESK ka folur edhe rreth taksës, si arsye e tensionimit të raporteve midis Qeverisë së Kurtit dhe Grenellit. Ka shpjeguar origjinën e dokumentit për taksat. Ka thënë se kanë ekzistuar dy koncepte.
“Njëri ka qenë a të vendosim taksë që ta dëmtojmë Serbinë ekonomikisht, apo të vendosim masa reciproke. Pikënisja jonë ka qenë pikërisht fushata e Serbisë për tërheqje të njohjeve dhe unë në vitin 2017 kam pasur informatë nga një vend i vogël evropian, që më ka thënë se ka informata të sigurta se Serbia do të tërheqë gjatë 2017-2018 dhjetë vende që e kanë njohur Kosovën. Vendi i parë do të jetë Burundi”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka vazhduar se këtë informatë e kishte ndarë me presidentin Thaçi, kryeministrin Haradinaj, Pacollin, Veselin.
“Kur filloi tërheqja e njohjeve, ne kemi pasur dy koncepte të shkruara se a mund të përdoret diçka si kundërbalans. Pritja jonë ka qenë që ne të vendosim taksën dhe Serbia ta suspendoi fushatën kundër njohjes së Kosovës dhe amerikanët kanë qëndruar prapa”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se pritja e Qeverisë së atëhershme ka qenë që Amerika ta kushtëzojë Serbinë për ta suspenduar fushatën kundër Kosovës dhe sekretari Pompeo ka folur me Vuçiqin më 2018-tën, gjatë Asamblesë së Përgjithshme. “Edhe Grenelli e ka folur këtë më 2019-tën”, ka deklaruar ai.
Hoxhaj ka vazhduar se Qeveria Haradinaj e ka shndërruar këtë gjë në parullë dhe program.
Duke iu përgjigjur pyetjes se ku qëndron problemi me reciprocitetin, duke e pasur parasysh se atë e përdor edhe SHBA-ja, Hoxhaj ka thënë se “nuk jemi Amerikë”.
“Ne jemi të interesuar për normalizimin e marrëdhënieve”, ka deklaruar ai.
Hoxhaj ka thënë se po të zbatohej reciprociteti i plotë, atëherë ai do të ishte edhe ekonomik, edhe politik edhe tregtar, gjë që do të pamundësonte dialogu midis dy vendeve.
“Partnerët tanë amerikanë kanë mundësi që ta kushtëzojnë Serbinë”, ka thënë ai.
“Sot aktualisht, askush nuk fol për shkëmbim territoresh. Çdo herë po e thotë Grenelli. E ka thënë dy herë gjatë javës së kaluar. Ajo çfarë po thuhet në Prishtinë se ne po i ikim dialogut se ka marrëveshje të gatshme dhe harta, mund ta them një gjë: Kjo është gënjeshtër”, ka thënë ai.
20:47
Hoxhaj: Kurti shfaqi tendencë absolutiste të menaxhimit të Qeverisë
Sipas deputetit të PDK-së, Enver Hoxhaj, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka shfaqur tendencë absolutiste të menaxhimit të Qeverisë.
Në Deskun e Kohës, Hoxhaj ka folur për rrëzimin e Qeverisë duke thënë se “ky veprim ka qenë hap i duhur” e se prishja e qeverisë “erdhi nga vetë ata që ishin në pushtet”. Hoxhaj ka thënë se nëse dy parti në kohë pandemie, krizën shëndetësore e kthyen në krizë politike “ne s’mund të kemi pritje se ato do të menaxhojnë vendin gjatë pandemisë”.
“Vlerësimi im, në pikëpamjen edhe partiake edhe personale pse erdhi te prishja e qeverisë është nga mënyra si negociuan, prej mënyrës si krijuan kabinet pa program politik e prej mosbesimit të thellë dhe prej tendencës goxha absolutiste të kryeministrit për të menaxhuar qeverinë siç menaxhon partinë politike. Kjo çoi te prishja e Qeverisë. Në Qeveri mund të kesh pikëpamje të ndryshme por duhet të harmonizohen. Në demokraci udhëheq edhe partia e parë, edhe e dytë, edhe e tretë, është sistem kompleks”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas Hoxhajt, tendencë absolutiste ka qenë edhe “mënyra e shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu”.
Megjithatë, ai ka thënë se ky ka qenë vetëm pretekst për rrëzimin e Qeverisë, por ka shtuar se “Kurti ka qenë i papranueshëm edhe për LDK-në, por edhe për partnerët e Kosovës”.
Tutje ai ka kritikuar qasjen e Kurtit me deklaratat për SHBA-në dhe ambasadorin Richard Grenell.
“Kur ka thënë një kryeministër i Kosovës se si për shembull shpërtheu lajmi në The Guardian nuk është mirë për vendin, se kinse Amerika ka ndërhyrë në Kosovë, ka bërë puç apo çfarëdo fjale ka përdorur ai. Jemi në hartën e botës për shkak të njohjes amerikane e evropiane. Nëse ne bëjmë hartë këtu, pjesa e botës demokratike e liberale që beson në këto vlera e ka njohur Kosovën”, ka shtuar Hoxhaj.
Ai ka thënë se deklarata e fundit se Grenelli ishte përfshire në rrëzim të qeverisë “është më shumë se skandal”.