Dialogu Kosovë – Serbi pritet të rinisë pas pandemisë

E publikuar: 12/04/2020 21:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vazhdimi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në rrethanat aktuale, kur vazhdon pandemia e koronavirusit, po shihet si diçka e pamundur.

Por, ky proces nuk është lënë në harresë, qoftë nga akterët në bisedime – Kosova dhe Serbia – qoftë nga lehtësuesit e tyre – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Që nga 1 prilli, kur Qeveria në detyrë e Kosovës shfuqizoi në tërësi taksën doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, masë kjo që shihej si pengesë për vazhdimin e bisedimeve, nga Bashkimi Evropian dhe disa vende anëtare janë dërguar sinjale se barrierat mes palëve për dialogun po tejkalohen.

Një qasje e tillë e BE-së dallon nga qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat, krahas shfuqizimit të taksës, i kanë kërkuar kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, që të mos e vë në zbatim as masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, pasi që edhe ajo masë shihet si një pengesë për të vazhduar dhe përmbyllur dialogun, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të paqes mes dy vendeve.

Pauzë me përplasje

Drejtori i Grupit të Ballkanit për Politika, Naim Rashiti, nuk pret që dialogu të nisë në këtë fazë. Ai jep disa arsye pse, sipas tij, nuk ka rrethana për dialog në këtë kohë, kur e gjithë bota po merret me pandeminë e koronavirusit.

“E para, çdo shtet ndërkombëtar është i mbyllur dhe nuk do të ketë lehtësim të kufizimeve para muajit maj. E dyta ka të bëjë me faktin se Serbia i ka shtyrë zgjedhjet dhe do të duhet t’i mbajë ato, kurdo që të krijohen rrethanat, në fund majit apo në qershor dhe, e treta, nuk kemi qeveri fuqiplotë as në Prishtinë për t’u marrë me dialogun. Së shpejti, të gjithë do ta kuptojnë që nuk mund të ketë dialog në këtë situatë politike në Kosovë”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Para se të ndodhë çfarëdo dialogu, thekson ai, do të ishte e dëshirueshme që Kosova ta ketë një qeveri të plotë e funksionale dhe të ketë një koordinim më të mirë ndërinstitucional e ndërpartiak.

“Kështu që nuk shoh në asnjë rrethanë se do të ketë dialog para fundit të muajit qershor”, thotë Rashiti.

Ndërkohë që vazhdimi i dialogut në kohën e pandemisë shihet si i pamundur, çështja e lehtësimit apo ndërmjetësimit ndërkombëtar të këtij procesi, pasi që të jenë krijuar rrethanat, mbetet temë që po diskutohet.

Në Prishtinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kanë shprehur hapur mospajtimin e tyre me BE-në, për faktin se ka emëruar në krye të lehtësimit të dialogut, diplomatin sllovak, Mirosllav Lajçak, i cili vjen nga një vend i BE-së që nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Thaçi, Mustafa e Veseli nuk e kanë fshehur qëndrimin se e duan SHBA-në me rol parësor në dialog.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka përshëndetur emërimin e Lajçakut dhe ka zhvilluar bisedime me krerët e disa shteteve anëtare të BE-së, në mesin e tyre edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron, për dialogun dhe rolin e BE-së dhe të vendeve më të fuqishme evropiane në këtë proces.

Për veprimet e tij dhe sidomos për urimin dërguar Lajçakut, kryeministri Kurti është kritikuar nga Thaçi e Veseli, duke e fajësuar se po ia kthen shpinën SHBA-së, të cilën autoritetet e Kosovës e shohin si partnerin kryesor.

Ndërkohë, Kurti ka ftuar presidentin Hashim Thaçi, kryetaren e kuvendit, Vjosa Osmani, dhe përfaqësuesit e shtatë partive kryesore politike që t’i bashkohen, siç ka thënë ai, idesë për krijimin e ekipit dhjetë-anëtarësh në nivel politik për përfaqësimin e Kosovës në dialog. Krahas ekipit politik, Kurti ka propozuar edhe formimin e një ekipi në nivel ekspertësh.

“Nuk mund të flas tash se çfarë do të jetë suksesi i formimit të këtyre dy ekipeve. Për ekipin e dytë do të varet më shumë prej meje, kurse për ekipin e parë politik përfaqësues, do të varet më shumë edhe nga gatishmëria e tyre”, ka theksuar Kurti.

Këtë tentativë të Kurtit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar më shumë si një dëshirë, sesa një mundësi për zbatim, edhe për faktin se Kurti dhe qeveria e tij tashmë janë në dorëheqje, pas votimit të mocionit të mosbesimit nga kuvendi.

Mungesë koordinimi

Analistja Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se procesi i dialogut mund të vështrohet nga dy pikëpamje, ajo e jashtme, ku përfshihen SHBA-ja dhe BE-ja si lehtësuese të procesit, dhe perspektiva e brendshme, ku përfshihen institucionet dhe partitë kryesore politike në Kosovë.

Fillimisht, ajo pret që SHBA-ja dhe BE-ja të arrijnë një koordinim rreth këtij procesi, kurse nga plani i brendshëm thotë se institucionet dhe forcat politike në Kosovë do të duhej të gjenin një konsensus politik, në mënyrë që të mos përfaqësojnë vetëm pozicionet e tyre.

“Nevojitet një konsensus, një strategji dhe pozicion i Kosovës, duke përcaktuar edhe vijat e kuqe të bisedimeve”, thekson Krasniqi.

Të plotë e gjeni në Radio Evropa e Lirë.