V.K (emër i njohur për redaksinë), është pezulluar nga puna nga punëdhënësi i tij menjëherë pas marrjes së masave nga Qeveria e Kosovës për mbylljen e bareve, restoranteve dhe qendrave tregtare për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Qeveria e Kosovës këtë masë e ka marrë më 13 mars, menjëherë pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus.
Ai thotë se ka punuar në një restorant gjatë tre vjetëve të fundit dhe pezullimi nga puna do t’ia vështirëson edhe më shumë situatën në të cilën gjendet.
“Kam punuar në një restorant dhe në ditën që qeveria ka marrë vendim të mbyllë restorantet për shkak të virusit, neve na kanë lëshuar në shtëpi dhe na kanë thënë që nuk keni nevojë të vini në punë derisa të ju thërrasin. Na kanë paguar për ato ditë të muajit sa kemi punuar dhe më nuk na kanë thirr. Unë jam mbajtës i familjes”, thotë ai.
Pezullimin apo largimin nga puna pas gjendjes së krijuar nga COVID-19 e kanë theksuar edhe përfaqësuesit e punëtorëve të sektorit privat.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se disa nga biznese në sektorin privat kanë filluar me pezullimin nga puna të shumë punëtorëve si pasojë e mbylljes së aktivitetit ekonomik, apo edhe reduktimit të orëve të punës.
“Tash jam në terren dhe kemi informacione që disa kompani kanë filluar të lëshojnë vendime për largim nga puna dhe kjo për neve është shqetësuese. Në disa raste kemi arritur të intervenojmë dhe t’i kthejmë punëtorët, por në disa kompani nuk po arrijmë. Këto kompani po e keqpërdorin situatën dhe shteti duhet të intervenojë”, thotë Azemi.
Ekspertë në Kosovë patën theksuar se në mungesë të aktivitetit ekonomik disa biznese edhe do të bëjnë largimin apo pezullimin nga puna të punëtorëve. Për të shmangur problemet e mëdha që do të vinë nga kjo situatë e krijuar nga COVID-19 edhe në aspektin ekonomik, në vazhdimësi po kërkohet ndihma e Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar bizneset.