Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi u është drejtuar qytetarëve të Kosovës.
Përmes këtij mesazhi, ndër tjera, kryeministri Kurti ka njoftuar se të martën do të transferohen ndihmat sociale, sipas tij, 10 ditë para kohe dhe atë për dy muaj në vijim.
Me këtë, thotë Kurti, pagesa e muajit të dytë nuk do të hyjë në përllogaritjet e muajve në vijim që do të thotë u falet përfituesve.
“Familjeve që marrin ndihma sociale, të martën do t’ua transferojmë ndihmat sociale 10 ditë para kohe dhe atë për dy muaj në vijim. Me këtë pagesa e muajit të dytë nuk do të hyjë në përllogaritjet e muajve në vijim që do të thotë u falet përfituesve”, ka bërë të ditur Kurti.
“Të gjithë ato gra e burra që po e mundësojnë këtë, meritojnë shumë mirënjohje e shumë falënderime nga të gjithë ne. Natyrisht si ekonomia ashtu edhe amvisëritë dhe sektori publik do ta bartin bashkarisht barrën e kësaj krize. Por, kjo nuk është koha të flasim për çmimin. Është kohë solidariteti në shoqërinë tonë. Shëndeti i qytetarëve tanë është i paçmueshëm”, ka thënë Kurti.