Qeveria amerikane i ka konsideruar të pamjaftueshme masat e marra nga Qeveria e Kosovës për heqje të tarifës 100 për qind në lëndën e parë në prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Një burim brenda Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ka thënë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se vendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti shihen si mënyrë për të blerë kohë, transporton rel.
“Kjo nuk është e mjaftueshme për SHBA-në. Pse të presim? Kjo duket sikur mënyrë për të blerë kohë. Qëndrimi ynë është se tarifat duhet të largohen plotësisht sepse ato dëmtojnë ekonominë e Kosovës”, ka thënë ky zyrtar amerikan.
Kjo deklaratë vjen pas vendimit të marrë të premten nga Qeveria e Kosovës për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në Facebook se “u votua me 10 vota për dhe 2 abstenime vendimi për të liruar nga tarifa 100% importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina”.
Kuri mes tjerash ka thënë se deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerrë një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100%.
Lidhur me reagimin e kryeministrit Kurti kanë reaguar edhe shoqëri civile në Kosovë.
Instituti i Kosovës për Politika Evropiane [EPIK] ka thënë të ketë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen të tarifës.
Sipas këtij Instituti, tarifa 100% është në kundërshtim të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes Stabilizim-Asocimit (MSA).
“Vendimi i sotëm siguron që Kosova të respektojë obligimet që burojnë nga procesi integrues, avancon bashkëpunimin rajonal dhe krijon mjedis të nevojshëm politik për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Taksa dhe qëndrimet rreth saj
Taksa 100 për qind ishte vënë nga Qeveria e kaluar e Kosovës në nëntor të vitit 2018.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar vazhdimisht zbatimin e kësaj mase.
Së fundmi, disa senatorë amerikanë kanë thënë që nëse Kosova nuk heq tarifën dhe nuk është e përkushtuar plotësisht për paqe, SHBA-ja duhet të shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së trupave nga Kosova.
Ky qëndrim është përkrahur edhe nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Taksa është përmendur si arsyetim edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës për prishje të koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Përvec pakënaqësive për shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk pajtohet me qëndrimin e kryeministrit Kurti për heqje graduale të kësaj mase.
Kuvendi pranon kërkesën për mocion mosbesimi ndaj qeverisë
Për këtë arsye, Mustafa ka përmendur nisjen e procedurave për mocion të mosbesimit kundër qeverisë Kurti në Kuvendin e Kosovës.