Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat në Kosovë (SPSPK) ka kërkuar që rritja e pagës minimale në 350 euro të bëhet më një maj, në Ditën e Punëtorëve. Këtë kërkesë e ka bërë kryetari i kësaj Sindikate, Jusuf Azemi, në një konferencë për medie të mbajtur të premten.
Përveç kësaj, Azemi ka kërkuar që institucionet e shtetit të mos nënshkruajnë kontrata me kompani që kanë punëtorë nën pagën minimale 350 euro, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjithashtu ka kërkuar nga kompanitë që tani e tutje të mos nënshkruajnë kontrata me punëtorët nën këtë pagë. Në këtë konferencë Azemi ka kërkuar edhe rritje të numrit të inspektorëve të punës si dhe përmirësim të kushteve të punës për punëtorët e sektorit privat.
Kërkesën për rritje të pagës minimale e cila aktualisht është 130 euro për persona deri në 35 vjeç dhe 170 për ata që janë mbi këtë moshë dhe nuk është ndryshuar që nga vitit 2011, Azemi e ka bërë pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, të bëra ditë më parë që nuk mund të ketë pagë minimale nën 350 euro.