Ecuria e dobët në mbledhjen e të ardhurave e ka detyruar qeverinë që të shkurtojë me 8.3 miliardë lekë ose 65 milionë euro fondet e parashikuara për investime publike gjatë këtij viti. Masa pritet të miratohet përmes një akti të ri normativ, i cili do të ndryshojë sërish buxhetin e shtetit.
Në ligjin fillestar të buxhetit për vitin 2019, investimet totale të qeverisë ishin parashikuar 88.3 miliardë lekë. Por sipas Ministrisë së Financave, shifra faktike e investimeve deri në fund të vitit pritet të jetë vetëm 80 miliardë lekë.
Shkurtimi i fondeve që shkojnë për rrugët, shkollat, spitalet apo projektet e tjera publike kompeson ecurinë e dobët në mbledhjen e të ardhurave gjatë këtij viti.
Pak kohë më parë Ministria e Financave njoftoi se të ardhurat faktike të buxhetit për këtë vit pritet të jenë 12 miliardë lekë ose 100 milionë euro më pak se sa plani në buxhet. Në pamundësi për të marrë borxh, pasi do të thyhej kufiri i deficitit buxhetor, qeveria është detyruar që ta kompesojë një pjesë të këtij mosrealizimi duke shkurtuar fondet që shkojnë për investimet publike.
Ndërsa pjesa tjetër e mosrealizimit të të ardhurave amortizohet nga kursimet që qeveria ka tek pagesat e interesave për borxhin apo zëra të tjerë të shpenzimeve korrente.
Investimet publike janë zëri më produktiv i shpenzimeve të qeverisë pasi krijojnë vende pune dhe ushqejnë rritjen ekonomike. Por përballë ecurisë së dobët të të ardhurave, qeveria ka vendosur të bllokojë një pjesë të fondeve për këto projekte për të mos thyer kufirin e defiçitit që i është vendosur nga Parlamenti në fillim të vitit.
/Top Channel/