Drejtori i Bankës Botërore: Kosova të zhvillohet më shumë, të hapen vende të reja pune

E publikuar: 20/11/2019 09:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marco Mantovanelli drejtor i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni, tha se në 20 vitet e fundit Kosova është mbështetur shumë nga BB-ja.

Por ka thënë se Kosova duhet të zhvillohet më shumë dhe gjithashtu, sipas tij, duhet hapur më shumë vende pune.

Për mungesën e bankave të mëdha që sot janë nëpër Evropë e botë, Mantovanelli vlerësoi se Kosova është vend i vogël, por sistemi është stabil.

“Kosova ka sistem të mirë bankar, kreditë e këqija janë të vogla, dhe sistemi është sistem likuid”, tha ai për televizionin publik.

Sipas tij Kosova duhet të ofrojë qasje më të lehta në financim të projekteve. Për normat e kamatave në Kosovë e që shkojnë ende në përqindje të lartë, Mantovanelli tha se ato janë në rënie.

Tha se Kosova dhe Maqedonia Veriore bazohen në banka.

“Nuk ka dallime tepër të mëdha në këto dy vendet. Ballkani perëndimor ka tipare të përbashkëta dhe nuk ka dallime aq të mëdha”, tha ai.

Mantovanelli deklaroi se tani Kosova është në fazën e ndryshimit të qeverisë, po sfidat janë të njëjta.

“Ekonomia vazhdohet në konsum dhe në sektorin privat, Kosova duhet të zhvillohet më shumë dhe të hapen edhe vendet e reja të punës”, pohoi ai.

I pari i BB-së, për dy vendet ballkanike vlerësoi se migrimi nuk është gjë e keqe, diaspora i ka sjellë të mirë Kosovës.

Ai ka folur edhe për punësimin e grave në Kosovë.

“Ky është një grup i resurseve që nuk po shfrytëzohet, gratë dhe të rinjtë duhet të aktivizohen”, tha ai.

Për investimet ai tha se ato duhet të vijnë si nga brenda ashtu edhe nga jashtë Kosovës. Ai tha se Kosova është në udhëkryq ku lidhen Evropa dhe Turqia.