WTF Ramush?

E publikuar: 01/12/2018 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Çim Peka

Ramush!

Tek shikoja sesi Edi Rama të tërhiqte zvarrë për të nënshkruar mbi flamurin kombëtar në Pejë, sinqerisht ndjeva keqardhje. E gjithë skena e asaj dite ishte e përbuzshme, duke përfshirë edhe rreshtoren për të bërë shqipen, por kjo e jotja kalonte çdo kufi.

S’e di, por atë çast mu kujtua e gjithë historia e jote dhe e familjes tënde, para dhe pas lufte; kalvari i pafund i vuajtjes dhe dhimbjes.

Mu kujtua, një histori e jotja personale, kur ne 1997, nga qelitë e stacionit policor në Has, i kërkove dikujt një nder të madh. Vëllait, Luanit që të kishte mbetur i vrarë në kufi me Shqipërinë, dhe që ti e kishe lyer me benzinë trupin e tij, dikush të dilte përtej kufirit dhe ti vinte flakën, që të mos binte në duart e ushtarëve serbe.

Hasjanët fisnikë, nuk e bënë atë, por vajtën e morën trupin dhe e varrosën në oborrin e shtëpisë së tyre, ne fshatin kufitar Vlahnë. Trupin e tij e more, vetëm pas çlirimit të Kosovës. Po ashtu mu kujtua vëllai tjetër Shkëlzeni, kushërinj, shokë të fëmijërisë, bashkëluftëtarë, ushtarë të tu të vrarë në fushë betejë.

Nëse dë të dish se çfarë bënte Edi Rama në atë periudhë sakrificash sublime për ty, më mirë mos pyet. Mjafton të të them, se akoma nuk e kishte telefonuar Fatos Nano për t’u kthyer në Shqipëri.

Gjatë luftës në Kosovë, kur mbi një milion shqiptar kishin lënë Kosovën, ku vetëm në Kukës ishin mbi 150.000 refugjatë, pa përmendur Has e Tropojë, Edi Rama si Ministër i qeverisë shqiptare të vetmin kontribut që dha ishte ideja brilante që qarku i Kukësit ti bashkohej Kosovës. As një gjysëm rroge nuk hoqi mënjanë për të ndihmuar ata njerëz të shkretë.

Dhjetë vjetë më vonë, kundërshtari më i ashpër i Rrugës së Kombit ishte Edi Rama, lider i opozitës. Dhe nuk e kishte për të ashtëquajturin ‘korrupsion’. Të gjithë e dimë Ramush, se ajo rrugë nuk ishte për Shqipërinë, por për Kosovën. Veç për të mos humbur daljen në Adriatik, Sllobodan Millosheviç bëri 4 luftra, me mbi çerek milioni viktima. Ndërsa, kundërshtari politik i Edi Ramës solli Adriatikun në Prizren.

Të kërkoj ndjesë që ti hapa plagët e dhimbjes, por Kjo ishte sa për të të rikujtuar se kush je ti, e kush është Edi Rama.

Të kthehemi tek situata aktuale. Edi Rama të quajti ty, Sali Berishën dhe të gjithë kundërshtarët e idesë së ndryshimit të kufijve ‘Gomar’. Se pse, po mundohem ta shpjegoj.

Kosova në fakt ka filluar me kohë të ndryshojë kufijë. I ndryshoi me Malin e Zi, me rastin e demarkacionit, duke i hequr territorit të Kosovës disa mijëra hektarë.

I ka ndryshuar edhe pas viteve 2000 kur u bë demarkacioni me Maqedoninë dhe humbi disa fshatra dhe disa kilometra të Gjilanit e Vitisë.

Ramush, të bësh paqe duke dhuruar territor është gjëja më e lehtë. Kush nuk ta pranon një paqe të tillë?

Rasti me Serbinë, është më shumë se shkëmbim territoresh, më shumë se paqe.

Serbët më mirë se vetë ne, e kanë ditur dhe e dinë se kush janë shqiptarët, çfarë përfaqësojnë, dhe kush është e ardhmja midis dy kombeve. E kanë ditur ideologët e tyre, nacionalistet e tyre. E ka ditur edhe Millosheviçi. Edhe kur u ul në Kretë me Fatos Nanon.

Ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është e tanishme. As e Thaçit. As e Ramës. As e Vuçiç. Është ide e kahershme. Në diskursin politik dhe diplomatik është futur nga Ivica Daçiç që kur ishte pa u bërë kryeministër. Madje në pranverën e vitit 2012 pati qenë shpreh në Shkup, se ‘nuk me intereson se nësa shtete jetojnë shqiptarët. Mua më intereson që serbët të jetojnë në nje shtet’.

Jo vetëm kaq, porse shkëmbimi i territoreve me Kosovën duhej të bëhej me marrëveshje me Tiranën, duke anashkaluar Prishtinën. Sa ishte Sali Berisha në pushtet askush nuk e mori seriozisht këtë ide, por me ardhjen e Edi Ramës gjerat ndryshuan.

Deri në vitin 2014 kjo ishte tabu, por me Edi Ramën Kryeministër të Shqipërisë, mekanizmi u vu në lëvizje. Beogradi e donte këtë marrëveshje me Tiranën, dhe Rama ishte gati t’ua jepte. Për tu realizuar kjo, duhej krijuar terreni. Pjesa e pare ishte shndërrimi i Edi Ramës në nacionalist.

Që pas rënies së komunizmit, Partia Socialiste ka pasur probleme kredibiliteti në raport me Kosovën. Edi Rama, për shume shkaqe akoma më shumë. Por Edi i duhej Beogradit si nacionalist. Dhe për këtë u ruajt momenti që vizita e tij e parë në Beograd, në fakt e para e një Kryeministri Shqiptar që nga 1946 të bëhej pas ndeshjes së futbollit midis kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë në Beograd.

Historinë e dronit tashmë e dimë të gjithe. Edhe sesi media ne Beograd ja veshi Olsit bëmën e ngritjes së dronit. Kur nuk eci kjo e Olsit (pasi nuk kishte kamer që e nxirrte atë me pult në dorë), doli Ballsti. Shqiptarët kudo në botë u ngritën në këmbë. Ballist Morina u bë hero!

Pak javë më pas u bë vizita e Ramës në Beograd. Ja tha Vuçicxit në sy se Kosova ishte e pavarur.

Televizionet në histeri.

Rrjetet sociale furtunë.

Tashmë ishte krijuar terreni.

Ballisti hero, Rama lider i të gjithë shqiptarëve. Vetëm se kishte dy probleme. As Ballisti nuk kishte ngritur dronin, e as Rama nuk u bë dot lider. Ramush, dronin nuk e ngriti Ballisti, por ja beri dhuratë Vuçiçi Ramës. (Të sfidoj të më provosh të kundërtën).

Pas Beogradit, Edi Rama në ekstazë shkoi në Preshevë, kaloi kufirin për në Kosove drejt Shqipërisë. Si Rama ashtu dhe Vuçiç prisnin që i madh e i vogël të dilnin në rrugë për të përshëndetur udhëheqësin e madh. Për zhgënjimin e të dyve, askush nuk doli.

As edhe një për be!

Si rrjedhim, ndaloi diku në të hyrë të Prizrenit, hëngri një drekë, dhe gjithë vrer u nis për në Shqipëri duke mallkuar nëpër dhëmbë. Skema dështoi.

Dalja e Thaçit me idenë e marrëveshjes së madhe nëpërmjet ndryshimit/ korrigjimit/ adoptimit/ a kudi çfarë termash do shpikin deri në fund, nuk është gjë tjetër veçse zbatim i Planit B, duke qenë se Plani A me Ramën lider nacionalist dështoi.

Me sa kuptojmë ka dy vjet që kjo diskutohet midis Vuçiç, Thaçit dhe Ramës. Po kaq kohë ka nga ngecja e bisedimeve ne Bruksel. Po kaq kohe ka nga ofensiva e Beogradit për zhbërjen e njohjeve nga vende të vogla.

Po kaq kohë ka edhe zvarritja e liberalizimit të vizave midis Kosovës dhe Zonës Shengen.

Kosova Ramush është mbështetur në një qoshe dhe po goditet me grushte e shqelma së pari nga Rama dhe Thaçi e pastaj nga Vuçiç e burokratë europianë pa gjak.

Pasi e dërrmuan mirë e mirë, u ngrit Thaçi e vajti në Uashington dhe në takime me zyrtarë të niveleve të ndryshme u propozoi ndryshimin e kufijve. Fabula që i kishin përgatitur Rama e Vucic së bashku me aktorë të tjerëe jo- shtetërore ishte e ëmbël për veshët e administratës së re, e cila shkon kështu pak a shumë:

Kosova është një problem që ju e keni trashëguar nga administratat e mëparshme. Në kushtet kur përballeni me një mori sfidash nëpër Botë, na lini ne, shqiptarëve dhe serbëve ta zgjidhim vetë. Nga ju duam vetëm mbështetje, asgjë tjetër. Është një frut që kapet lehtë. Ju hiqni një kokëqarje, dhe zgjidhni një krizë. Dikush nga ata, pa eksperience u entuziazmua. Mendjet e qeta i thanë: hajdeni një herë me një propozim, pastaj të shohim.

Reagimet në Prishtinë dhe Tiranë ishin refuzuese. U ngrit një stuhi. Rama askund. As nuk pyetej e as nuk përgjigjet. Shfaqjen sipas skenarit duhej ta udhëhiqte Thaçi.

E kur Thaçi mbeti i vetëm, pa mbështetje, Edi Rama erdhi je Peje dhe bëri atë shfaqjen prej pseudo-nacionalisti. Ishte lëvizje e sforcuar, por e goditur. Thaçi kërkonte ndihmë. Dhe Rama e ndihmoi. Me ty në krah. Duke të futur edhe ty dashje pa dashje në të njëjtin kazan.

Nëse këta tanët nuk e dine se ku do të shkojnë, Beogradi e ka farë të qartë. Në fakt Beogradit nuk është se i intereson shumë as Kosova, as Mitrovica. Të kapë çfarë të kapë, mjafton që të preken kufijtë.

Kushdo në Beograd e di që Kosova ka ikur një herë e përgjithmonë. Vetëm barrë në kurriz e kanë. Halli i tyre nuk është Kosova, por Republika Srbska. E që të hapet loja me Bosnjën duhet të hapet rruga me Kosovën, duke ndryshuar kufijtë. Ndryshimi paqësor i kufijve bëhet në tavolinë; në një tavolinë që nesër të jenë të ulur edhe rusët.

Ruset larguan ushtarët e tyre nga Kosova në vitin 2003, duke i mbetur borxh KEK-ut (Korporatës Elektro-Energjitike të Kosovës) plot 350,000 Euro, për energjinë elektrike të harxhuar nga Baza e tyre ushtarake në Gjilan. Para se ti ftoni në tavolinë, sëpaku kërkojuni borxhin.

Me aq para mbulohen shpenzimet e grupit negociator.

Ramush, problemet individuale të Thcacit dhe Ramës nuk janë probleme as të Kosovës e as të shqiptarëve.

Kur më 8 mars të vitit 2005 Gjykata për Krime lufte për ish-Jugosllavinë ngriti akt-akuzë ndaj teje, ti dhe dorëheqjen nga Kryeministër dhe brenda 24 orëve udhëtove për në Hage për të vënë prangat në duar.

E bëre sepse nuk doje ta ktheje problemin tënd, në problem të Kosovës. Kjo ishte hera e dytë që i dole për Zot Kosovës. Sot është hera e tretë.

Kur të pashë në Pejë duke u tërhequr zvarrë nga Rama për ta vënë dorën në flamur, edhe unë bërtita: WTF Ramush?!

Dhe Rama më dha të drejtë vetëm një ditë më pas! Para të njëjtit flamur doli jo më me ty, por me poture! Sepse ky është ndryshimi midis teje dhe atij: ti shikon të kuqen e flamurit ngjyrën e gjakut, Rama shikon tek e zeza e flamurit ngjyrën e potureve te veta.

Në mos arrifsh të bësh këtë dallim, ti qofsh!